Nuk ka më azil, BE kthen mijëra qytetarë të Kosovës

503
Sigal

Emigracioni ilegal dhe azil-kërkimi në vendet e BE-së për motive ekonomike dhe të natyrave tjera tanimë duket një kapitull i mbyllur për kosovarët. Kthimi masiv i tyre nga vendet e BE-së po vazhdon, sidomos që nga hyrja në fuqi të ligjit gjerman për vendet e Ballkanit Perëndimor apo të drejtën për pajisje me vize pune për kosovarët. Të dhënat kanë treguar se në fund të vitit të kaluar, janë kthyer 452 qytetarë që kishin kërkuar azil në Gjermani. Ndërkaq në total janë të paktën 32 mijë qytetarë të riatdhesuar të cilët ishin larguar nga vendi në valën e ikjes, tri vite më parë drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Riatdhesimi i tyre thuhet se është bërë qoftë në mënyrë vullnetare, në disa raste, por ka pasur raste që janë kthyer edhe me forcë. Problemet për këtë kategori nuk përfundojnë me rikthimin në atdhe, pasi shumë prej tyre nuk kanë strehim. Llogaritet që një pjesë e madhe e tyre kanë shitur gjithçka nga pasuria për të emigruar në rrugë ilegale drejtë shteteve të BE-së. Instituti për Studime të Avancuara GAP, në një raport të saj tregoi se nga shpallja e paravarësisë së Kosovës e deri me tani 198.050 kosovarë apo 11 % e popullsisë kanë kërkuar azil, së paku një herë në vendet e Bashkimit Evropian. Instituti Evropian i Statistikave, ka bërë të ditur se, numri më i madh i kosovarëve që kanë marrë leje qëndrimi, vazhdon të jetë i koncentruar më së shumti në Gjermani me 47% të numrit të përgjithshëm të personave me leje qëndrimi. Arsyet e marrjes së lejes së qëndrimit të shtetasve kosovarë në shtetet anëtare të BE-së dhe Zonës Shengen janë, bashkimi familjar, punësimi dhe edukimi. Kujtojmë se mijëra qytetarë të Kosovës në mënyrë të paligjshme morën rrugën e migrimit drejt vendeve të Bashkimit Evropian, në fund të vitit 2014 dhe fillim të vitit 2015, duke shfrytëzuar kufirin e ‘brishtë’ ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë. Vala e madhe e migrimit të qytetarëve nga Kosova detyroi autoritetet në Hungari, Serbi, Austri dhe Gjermani, që të forcojnë kontrollet e kufirit, për të penguar kalimin e paligjshëm. Numri i të shpërngulurve nga Kosova ra pas një ashpërsimi të kontrolleve dhe shumë qytetarë që migruan në mënyrë të paligjshme u rikthyen në Kosovë. Fatos Shala