Një fantazmë në gjykatë

473

Nga Mystehak Xhemali

(Në vend të fejtonit për anomalitë e regjistrave të gjendjes civile)

Dera e hyrjes së trupit gjykues u hap e që andej dy burra e një grua të veshur me të zeza, me hap të ngadaltë e me pamje hijerëndë, me disa dosje ndër duar, iu drejtuan presidiumit. Nga salla u dëgjua një zë pak i çjerrë:

  • Në këmbë!

Të pranishmit në sallë u ngritën shoqëruar nga një zhurmë e lehtë e

lëvizjes së karrigeve.

Në kafazin e hekurt, paksa të ndarë nga salla, fytyra e një shtatëdhjetëvjeçari dukej pak e trembur, sikur mbi atë fytyrë kishte rënë hija e vdekjes. E zverdhur dhe e rreshkur ajo i ngjante më shumë lëkurës së limonit.

Kryetari i trupi gjykues, një trashaluq që, mbasi rregulloi syzet mbi samarin e hundës, uli kokën mbi dosjen e hapur dhe diçka pëshpëriti. Pastaj me zë të ngjirur iu drejtua burrit me fytyrë limoni në kafaz.

  • Emrin i pandehur.
  • Rrauf
  • Me një “r”, apo me dy “rr”?
  • Nga babai me dy, nga gjendja civile me një.

Kryetari ngriti syzet nga samari i hundës e me një ton të ashpër iu drejtua fytyrëlimonit:

  • I pandehur, mos bëj karagjozllëqe!
  • Po them të vërtetën.

Kryetari u konsultua me dy anëtarët e trupit gjykues, duke e kthyer kokën njëherë majtas e pastaj djathtas. Dhe vazhdoi:

  • Gjendja civile.
  • I vdekur.

Në sallë u ndjen kakarimat e një të qeshure, që pasoi tek të gjithë të pranishmit.

  • Qetësi në sallë.

Por e qeshura duket nuk kishte të shterur. Kryetari i ra me grusht tavolinës.

  • Do të urdhëroj t’ju nxjerrin jashtë!

Priti pak sekonda sa u vendos qetësia e pastaj iu drejtua të pandehurit:

  • Akuzohesh se ke prishur qetësinë publike e mbi të gjitha ke tromaksur e

traumatizuar punonjëset e gjendjes civile. E pranon akuzën?

  • Si t’ju them, ja ta shpjegoj pak…

Por kryetari me zë të trashur ia preu si me sëpatë:

  • Mos e zgjat por thuaj një po, ose jo!
  • Po ja, si të them unë…
  • Po, apo jo. Shpjegimet më vonë.

I pandehuri lëshoi një “po” të zvarritur.

  • I pandehur na trego si ndodhi ngjarja.

Shkova për të marrë një certifikate në gjendjen civile të lagjes. Aty ndodhi e papritura. Punonjësja e gjendjes civile ulëriti e llahtarisur e i ra të fikët. Unë vrapova për ta ndihmuar, kurse ajo duke shkumëzuar ulërinte, duke përsëritur në kllapi: “Lugati, lugati është ngritur lugati nga varri!” I erdhën në ndihmë edhe disa shoqe të tjera. Ajo e lebetitura më tregonte herë mua me gisht e herë regjistrin e gjendjes civile. Këtu ndodhi lemeria më e madhe. Të gjitha në kor përsëritnin të njëjtën frazë: “Fantazma është ngritur nga varri, fantazma është ngritur nga varri!”. Dikush ulërinte, dikush mallkonte disa ishin ulur në gjunjë e i luteshin allahut e disa bënin kryqin. Aty u përzjenë edhe disa qytetarë që prisnin në radhë. U bë rrëmujë. Midis të lebetiturave, ulërimave e mallkimeve befas dikush nisi të qeshte. Ishte një e qeshur, që solli një lloj qetësie siç ndodh zakonisht para furtunave…E ndërpreu me një të folur të rreptë zëri ngjirur i kryetarit.

  • Lëri përshkrimet, i pandehur! Bjeri shkurt!
  • Po ja, kështu ndodhi. Dikush kishte zgjatur kokën tek regjistri i gjendjes civile, që qëndronte hapur mbi tavolinë dhe atje lexoi me zë të lartë se unë figuroja i vdekur. Sipas atij regjistri unë kisha më shumë se tridhjetë vjet i vdekur. Kur mora vesh një gjë të tillë edhe unë vetë, të them të drejtën, u trondita shumë. Fillimisht preka fytyrën, pastaj krahët, këmbët. Nuk po u besoja syve. U revoltova e në inat e sipër i bërtita asaj punonjëses të gjendjes civile. Ja, për këtë më ka paditur ajo. E tremba. Por më thuaj, zoti kryetar, i kujt është faji, i asaj që më më bëri të vdekur apo i imi, që edhe sot e kësaj dite figuroj i vdekur. Ju po i bëni gjyqin një të vdekuri…

Kryetari e ndërpreu me një lloj nervozizmi:

  • I pandehur, këtu pyetjet i bëjmë ne, ti ke për detyrë vetëm të përgjigjesh.

Dhe përsëri e ktheu kokën njëherë majtas e njëherë djathtas.

  • Tani e kanë radhën dëshmitarët. Të hyjë qytetari Kolë.

Në sallë hyri Kola. Ishte një burrë shëndetlig, aq sa të krijonte përshtypjen se do të përplasej nga moment në moment mbi dysheme. Kryetari e pyeti për emrin dhe mbiemrin e pastaj e ftoi të fliste:

  • Gjithë jetën time e kam kaluar në zi, – tha Kola, – e kjo për faj të gjendjes civile.
  • Fol më shkoqur, Kolë.
  • Po ja, si të them unë Kolë ziu, zoti kryetar. Mbeta gjithë jetën i tallur. Mbeta edhe pa u martuar. Kjo për faj të gjendjes civile.
  • Ke prova?
  • Po, kam.

Kola i zgjati trupit gjykues certifikatën e gjendjes civile.

-Ja, shikoni vetë, – th ai- aty vërtetohet se jam femër. Por unë nuk jam femër, zoti kryetar. Mbeta edhe pa u martuar. Për shkak të gjendjes civile. Për shkak të kësaj të flamosure certifikatë.

Kryetari iu drejtua punonjëses të gjendjes civile, që kishte ngritur padi ndaj Rraufit.

  • Si e shpjegoni ju këtë?

Punonjësja u ngrit në këmbë e duke i hedhur një vështrim gjithë inat qytetarit Kolë, u përgjigj:

  • Për këtë nuk kam asnjë faj, zoti kryetar. Unë kam mësuar që në klasën e tretë fillore se emrat e gjinisë femërore mbarojnë me “a”, Kolë në të pashquarën dhe Kola në të shquarën. Nuk është faj im. Nuk e luan as topi. Kola është femër.

Përgjigja e punonjëses së gjendjes civile e acaroi edhe më shumë Kolën. Ai filloi të bërtiste e ulërinte se ishte mashkull e shkuar mashkullit.

  • Unë jam mashkull, jam mashkull, zoti kryetar. Ja, kam edhe prova të tjera…

E plot inat nisi të zbërthente pantallonat. Por nuk e la ai punonjësi i sallës. Nga podiumi u dëgjua zëri i ngjirur i kryetarit.

  • Seanca e sotme mbyllet. Tjetra hapet…

Zëri i tij u mbyt nga të qeshurat në sallë…