Nisma e re, qeveria do t’u japë fund titujve “pezull” të pronësisë

865
Sigal

Qeveria ka hartuar një projektligj, i cili synon t’u japë fund titujve të pronësisë në prona me status të paqartë ose të përfshira në vite në proces të përfitimit të titullit. Ministria e Drejtësisë, e cila ka hartuar projektligjin, sqaron se qëllimi është krijimi i bazës ligjore të thjeshtuar dhe të harmonizuar, për përfundimin proceseve administrative të trajtimit të pronës së paluajtshme të shtetit dhe pronës private, duke përcaktuar rregullat për:

1-Ligjërimin e titujve të pronësisë të dhënë sipas akteve ligjore dhe nënligjore, për tokën bujqësore;

2-Ligjërimin dhe regjistrimin në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme për ndërtimet pa leje, objektet dhe trojet funksionale kur mungojnë aktet e fitimit të pronësisë, si dhe për oborret në përdorim;

3-Rregullimin e marrëdhënieve të pronësisë në territoret e cilësuara si “zona të stimuluara me përparësi zhvillimin e turizmit”;

4-Inventarizimin dhe përditësimin e pronave të paluajtshme të qeverisjes qendrore dhe vendore, si dhe transferimin e tyre;

5-Kalimin e të drejtës së pronësisë mbi trojet e pa privatizuara të ndërtesave të privatizuara, ndërtesave të shitura nga ndërmarrjet shtetërore dhe të ngritura në bazë të lejeve të ndërtimit, pas datës 10.8.1991 si dhe trojet e objekteve apo ndërtesave, ish-pronë e ish-kooperativave bujqësore;

6-Trajtimin ligjor të problemeve të krijuara si pasojë e gabimeve materiale, parregullsive në zbatimin ligjit;

7-Harmonizimin e procedurave dhe të strukturës organizative shtetërore për përfundimin e procesit të njohjes dhe kompensimit të pronës sipas parashikimeve të ligjit 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.

Synimet e projektligjit kanë të bëjnë me reformimin në thelb të proceseve të mbetura pezull, duke parashikuar normat e nevojshme për zgjidhjen e problematikave që kanë shoqëruar zbatimin e tyre, në funksion të përmbylljes së çështjes së Pronës. Konkretisht, synimet e projektligjit fokusohen tek: Trajtimi sistematik, që do të thotë se proceset e ndryshme të lidhura me pronën (legalizim, azhurnim, trajtim prone, regjistrim AMTP-je, inventarizim i pronave shtetërore) do të konceptohen dhe zbatohen në mënyrë të njëkohshme dhe sistematike dhe jo më në mënyrë të çrregullt. Proaktiviteti, që bazohet në idenë se, për çështjet që kanë të bëjnë me pronën, strukturat shtetërore duhet të marrin efektivisht rolin e rregullatorit dhe jo më atë konstatuesit/vrojtuesit të thjeshtë të problematikave. Ligjërimi i faktit, i cili përbën frymën që do duhet të udhëheqë proceset e përkohshme që kanë të bëjnë me legalizimin e ndërtimeve pa leje, ligjërimin dhe regjistrimin e AMTP-ve inventarizimin e pronës shtetërore. Kjo është linja që duhet ndjekur, me qëllim stabilizimin e marrëdhënieve të pronësisë, në nivel të përgjithshëm. Arritja e këtij qëllimi kërkon detyrimisht një zgjidhje me ligj, për shuarjen e pasigurisë, që ka karakterizuar pronën e paluajtshme gjatë këtyre 25 viteve; Unifikimi i bazës hartografike të funksionimit të te gjithë proceseve që lidhen me pasuritë e paluajtshme, çka përbën një ndër kushtet themelore për të mundësuar realizimin e reformës.