Në Pogradec rritet numri i krimeve , të implikuar të rinjtë

975
Sigal

Fund prilli i trishtuar për Pogradecin. Rritet numri i akteve kriminale, të implikuar moshat e reja

 

Fundi i muaji prill për banorët e rrethit të Pogradecit vijon të jetë i trishtuar. Aktet kriminale të ditëve të fundit janë një lajm i keq në jetën e banorëve. Veprat penale më të fundit kanë qenë: “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien/zhvatjen e pasurisë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit”, “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, goditje me sende të forta dhe vepra të tjera penale. Duket se njerëzit po kërkojnë të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre tek përdorimi i forcës, i dhunës dhe i armëve. Të tjerë e shohin çelësin e përmirësimit të jetës dhe gjendjes së tyre ekonomike te shitja e lëndëve narkotike. Një pjesë e njerëzve po humbasin qetësinë dhe arsyen në zgjidhjen e konflikteve. Përdorimi i sendeve të forta po çon njerëz në spital, madje edhe në gjendje të rëndë. Në të gjitha rastet policia ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorëve, por gjithçka flet për një trazim të jetës së banorëve. Tonet e forta të politikës po mbajnë në ankth jetën e njerëzve që e kanë të vështirë mbijetesën, ndërsa për personat e prirur për vepra penale, kjo periudhë konsiderohet e favorshme për trafik lëndësh narkotike, grabitje, pengmarrje etj. Ajo çka bie në sy në këto vepra penale, ka të bëjë me faktin se të implikuar në këto akte janë moshat e reja, mosha më aktive për punë, të cilët i kanë të gjitha mundësitë të sigurojnë jetën e tyre me punë të ndershme, por mesa duket mungesa e punësimit dhe pasiguria për të nesërmen po shkatërron jetën e të rinjve. Gjithçka e cituar më sipër, ka ndodhur gjatë ditëve të fundit të muajit prill.

Arrestime për dhënie/zhvatje të pasurisë me dhunë dhe armëmbajtje pa leje

Sipas burimeve zyrtare, së fundi një shtetas me inicialet A.T. 47 vjeç, lindur në Pogradec u arrestua për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Arrestimi i tij u bë në kushtet e flagrancës nga specialistët e Seksionit për Krimet, në Komisariatin e Policisë Pogradec. Personi në fjalë, dyshohet se i ka hequr lirinë në mënyrë të paligjshme shtetasit maqedonas D. S., pasi kishte dalë garant për marrjen e një sasie lekësh që shtetasi D. S., ia kishte marrë borxh një shtetasi tjetër, mik me shtetasin A.T. Gjithashtu specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A.P., 27 vjeç dhe J.P., 25 vjeç, banues në fshatin Buçimas, (të dy me precedent të mëparshëm penal, në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve si dhe armëmbajtjes pa leje). Arrestimi i tyre u bë i mundur pas një pune hetimore, të ndjekur me metoda speciale hetimi, ku gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip automatik, si dhe tre krehra me 34 copë fishekë luftarakë, të cilat i posedonin pa leje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprën “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve dhe i municionit” kryer në bashkëpunim.

Arrestime për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike

Gjithashtu, sipas burimeve zyrtare, specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit me inicialet B.B., 45 vjeç për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të cilit iu kap një sasi 9 kg, e dyshuar si lëndë narkotike Cannabis Sativa. Arrestimi i tij u bë në sajë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, ku e gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në mjetin e tij, në aksin rrugor Pogradec-Korçë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Pogradec, arrestuan në flagrancë edhe shtetasit J.Sh., 35 vjeç dhe V.Sh., 28 vjeç, banues në Lin, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, këta shtetas kanë goditur me sende të forta në kokë shtetasin E.B., 43 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Pogradecit nën kujdesin intensiv të mjekëve. Edhe në këtë rast, materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.