Ndryshon abonoja! Ja kushtet që duhet të plotësoni për ta marrë atë

674

Kërkesa e vazhdueshme e operatorëve të transportit urban qytetas për abonetë e personalizuara, duke filluar që nga 1 korriku, do të jetë e realizuar konkretisht. Muajin tjetër, formati i biletës së pajtimit mujor do të ndryshojë, duke i shtuar, veç të dhënave aktuale, edhe fotografinë dhe ID e personit që e posedon.

Nga dita e djeshme, 15 qershor, operatorët e transportit kanë afishuar në mjediset e brendshme të urbanëve njoftimin për formatin e ri bashkë me ato që duhet të kenë me vete qytetarët për të blerë abonenë e muajit pasardhës: kartën e identitetit dhe fotografi personale 2.5 cmx 2.5 cm, që do t’i bashkëngjiten abonesë. Vendimi në fjalë ka ngjallur pakënaqësi te familjet, ku një abone përdoret nga më shumë se një person.

Kushti që aboneja e çdo muaji duhet të ketë patjetër fotografinë, në fakt, ka nisur korrikun e vitit të kaluar, por shumë shpejt u tërhoq, pasi u cilësua si abuzive. Një vit më pas, kjo gjë bëhet e ligjshme me një udhëzim të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili ka hyrë në fuqi që më 9 maj, ndërsa zbatimi nis nga 1 korriku.

MODELI I RI

Në udhëzimin nr.436, datë 0.5.2018 për disa ndryshime në udhëzimin nr.3743, datë 10.07.2017 “Mbi modelet dhe standardet e biletave të transportit rrugor të udhëtarëve”, bileta në format letër me çmim të parashtypur do të ndryshojnë sipas fotos bashkëngjitur shkrimit. Në krye të abonesë do të shënohet Republika e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve si dhe shiriti i sigurisë, që vërteton që aboneja nuk është false. Në mes të biletës do të jenë muaji i vlefshmërisë, Bashkia Tiranë, lloji i transportit, vendi që do të plotësohet me emër e mbiemër dhe fotografia e përdoruesit. Udhëzimi përcakton gjithashtu dhe të dhëna të tjera më të detajuara që do të pasqyrohen në abone: çmimi i biletës, lloji i saj (e përgjithshme/linje apo studenti) muaji me shkrim dhe viti me numra natyrorë. Por jo vetëm kaq, në të djathtë të saj do të shënohet numri i kartës së identitetit, numri serial i biletës dhe shtypshkronja e letrave me vlerë, Tiranë.