Muço Kapinova- Atdhetari dhe biri trim i Skraparit

2313
Sigal

Muço Kapinova personifikohet me vetveten me virtytet e një atdhetari që del nga burimi i madh dhe i pashtershëm, nga populli atdhetar dhe liridashës i Skraparit. Ai dhe shokët e tij ushqyen shpirtin e tyre me mendime demokratike gjithë jetën. Muço Kapinova foli me gjuhën e lirisë. Jeta dhe vepra e tij jep në mënyrë të përkryer virtytet e Skraparliut.

Muçua ka lindur më 20 gusht 1888 në Kapinovë të Skraparit. Prindërit e Muços si gjithë prindërit skraparlinj nxitën e ngulitën tek fëmija e tyre ndershmërinë, besnikërinë, respektin për doket e zakonet e vendit. Ata e këshilluan e ushqyen Muçon me shpirt mbarsi, atdhe dashuri, trimëri e burrëri. Në moshën 12 vjeç i vdiq i ati. Nëna e tij e mençur e zemërmirë, Rruhija e dërgoi djalin në Panarit te Korçës ku funksiononte ilegalisht një shkollë shqipe. Kjo shkollë i dha mundësinë Muços të lexojë në shqip e të marrë frymëzime nga veprat e rilindësve.

Në vitet 1905-1907 Muçua inkuadrohet në çetën patriotike të Lace Bachës (ish vellamë i Kajajt) ku mori pjesë aktive në veprimtarinë anti-osmane të kësaj çete shpejt ai u bë një luftëtar aktiv e propagandist i ideve të rilindasve.

Me kalimin e kohës Muço u bë i njohur edhe për figurat patriotike të kohës Lace Baches, Qamil Panariti. Mahmut e Servet Zaloshnjës, Meleq Storoveckën, Ali Farmaqin, dhe në qershor 1907 në shtëpinë e Lace Backës takohet me kryetrimin Çerçiz Topullin, Mihal Gramenon e luftëtarët e asaj çete. Në vitin 1911 zgjidhet delegat e merr pjesë në mbledhjen e dytë të krerëve të Shqipërisë së jugut ne Frashër, zgjidhet anëtar i komitetit kryengritës të Skraparit. Në 23 korrik 1912 merr pjesë në kuvendin e Sinjës ne Berat dhe nënshkroi memorandumin e këtij kuvendi. Muçua përjeton gëzimin e madh ditën e shpalljes së pavarësisë nga Ismail Qemal Vlora në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Në këto vite ai është një nga komandantët e çetave që u bëjnë qëndresë Shovinistëve Grekë duke luftuar trimërisht në Gjonç, Barmash, Leskovik, Kokojkën e Frashërit e shumë vende të tjera.

Me largimin e forcave pushtuese Franceze nga Korça më 1919 Muço Kapinova në krye të 150 forcave merr në dorëzim kufirin në zonën e Devollit, ku bashkarisht me atdhetarët devolli ngriti ne këmbë popullin dhe zmbrapsi sulmet e forcave ushtarake greke dhe detyroi ata të nënshkruajnë me 18 maj 1919 protokollin e Kapshticës.

Në shtator 1920 Muçua kthehet ne Devoll, mbas një pritjeje madhështore që iu bë këtyre forcave pjesëmarrëse në luftën e Vlorës nga populli i qytetit të Korçës më 3 shtator 1920. “Sipas gazetës Shqiptare 8 shtator 1920″ Muço Kapinova në fillim të 1922 ndahet nga Devolli emërohet komandant i xhandarmërisë në Vithkuq. ” Gazeta shqiptari Anekën 1922″ Po në vitin 1922 largohet në Tiranë ku qëndron 5-6 muaj emërohet Z.v komandant rrethi në Shijak, ku bashkëpunoi ngushtë me Riza Cerovën, Bajram Xhanin e patriotë të tjerë të atij rrethi. Në Shijak Muçua e Rizaj bënë takim ilegalisht me Avni Rustemin që nga ajo kohe Muço Kapinova vepron si aktivist i shoqërisë “Bashkimi”.

Por veprimet e R. Cerovës e M. Kapinovës ranë në sy të simpatizantëve të Ahmet Zogut, në qershor 1923 transferohet Rizaj në Krumë e Muço në Gramsh duke i ulur ne përgjegjësi. Dëshpërimin për vrasjen e Avni Rustemit e ktheu në forcë. Në qershor 1924 vihet në krye të forcave kryengritësve dhe marshon suksesshëm çliron Elbasanin dhe bashkohet në Peqin me forcat kryengritëse me forcat kryengritëse të Skraparit të udhëhequra nga Riza Cerova e Ali Koprencka, duke çliruar Kavajën Durrësin arrijnë triumfalisht në Tiranë. Bindjet e tij atdhetare e bënë Muço Kapinovën t’i shërbejë me ndershmëri qeverisë demokratike të Fan Nolit me detyrë Z.v komandant qarku në Elbasan e Korçë. Kthimi i Zogut në Shqipëri dhe vendosja e regjimit të tij antipopullor për Muçon dhe shokët e idealit të tij ishte një dëshpërim i madh, që menjëherë kaluan në ilegalitet për t’i shpëtuar terrorit e persekutimit të regjimit Zogist, emigruan jashtë atdheut në Selanik. Aty së bashku me Riza Cerovën, Hasan Prishtinën etj., vazhduan veprimtarinë e tyre në grupin “Çlirimi Nacional” që drejtohej nga KONAREA, organizuan veprimtari antizogiste edhe breda vendit.

Në vitin 1926 duke përfituar nga amnistia (e rreme) Muço Kapinova kthehet në atdhe. Autoritetet i ofruan punë, por nuk pranoi te vihej ne shërbim të tyre. Shkoi në Skrapar në Kopinovë pranë familjes. Filloi të marrë takime ilegalisht me popullin antizogist. Por Zogu ashtu siç e kishte zakon pabesinë veproi edhe ndaj Muços. Me urdhër tepër sekret të M.P.B. Nr 1025 datë 10.08.1926 një detashment xhandarësh vuri në rrethim shtëpinë në tre rrethime. Muços nuk i mungoi guximi për të çarë rrethimin në dyluftim në pritën e tretë mbeti i vdekur nga tre plagë.

Vrasja e oficer Muço Kapinovës bëri jehonë në qarqet demokratike brenda dhe jashtë atdheut, shtypi përparimtar i kohës shkroi e kritikoi regjimin terrorist të Ahmet Zogut.