Mospërmbushja e standardeve, pengu i eksportit

747
Sigal

Qarku i Korçës, me thertore të reja që ofrojnë parametra bashkëkohore për sigurinë ushqimore

Prefekti i Korçës, Dhori Spirollari: Mospërmbushja e standardeve s’lejonte eksportimin e produkteve shtazore

Mospërmbushja e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian vijonte të mbante peng eksportimin e produkteve shtazore. Nga Shqipëria nuk mund të eksportoheshin produkte të tilla në asnjë vend të botës. Standardet tona nuk krahasoheshin as me vendet për rreth, si Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Bosnja etj., ndërsa nuk mund të bëhej fjalë për vendet e Bashkimit Evropian, i cili, si për të gjitha produktet e tjera ashtu edhe për ato shtazore, kërkon siguri të plotë ushqimore që nga grumbullimi kafshëve, transporti, therja, ruajta, tregtimi e deri te mbërritja në tavolinën e konsumatorit. Nga 7 thertore që kishte qarku i Korçës, vetëm njëra prej tyre, ajo e qytetit të Korçës përmbushte standardet, kurse të tjerat linin mjaft për të dëshiruar. Pronarët e thertoreve u vunë në lëvizje vetëm pasi ushtrimi i aktivitetit të tyre u pezullua, por duke u ofruar mundësinë për subvencionime nga 10 deri në 20 milionë lekë. Procesi u ndoq nga Ministria e Bujqësisë, nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe institucione të tjera. Kujdes dhe vëmendje u tregua edhe nga prefekti i qarkut Korçë, Dhori Spirollari, i cili e ndoqi realizimin e këtij procesi hap pas hapi. Tashmë në Pogradec gjenden dy thertore sipas parametrave bashkëkohorë.

Mbështetje edhe për bashkitë e tjera

Fill pas çeljes së dy thertoreve në qytetin e Pogradecit, Prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirollari, bëri me dije se do të jetë në mbështetje edhe të iniciativave të Bashkisë Kolonjë dhe të Bashkisë Devoll, pasi të gjitha thertoret e qarkut të Korçës tashmë do të jenë të standardeve të kërkuara. Për realizimin e këtij objektivi u punua me të gjitha instancat, por në radhë të parë me pronarët dhe institucionet e tjera të qarkut të Korçës, me qëllim pasjen e një zinxhiri ushqimor shumë herë më të sigurt. Pra, për ne, vijoi prefekti, e rëndësishme është t’u krijojmë kushtet për plotësimin e standardeve. Kjo rrugë që filluam do të vazhdojë me rreptësi, por me mbështetje maksimale. Kemi besim që përvoja e fituar do të aplikohet edhe në bashkitë e tjera. Sipërmarrësit patën edhe mbështetjen e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, e cila ndihmoi në infrastrukturë, në teknologji dhe në përmbushjen e standardeve evropiane. Çelja e pikave të tilla u prit mirë nga qytetarët, pasi siguria ushqimore tashmë është e garantuar. Por për të mbërritur deri këtu, u desh që pikat e therjes të mbylleshin; licencat për ushtrimin e aktivitetit të pezulloheshin, dhe ndërkaq, sipërmarrësve t’u kërkohej të aplikonin për përfitim subvencionesh. Tashmë pas më shumë se një viti të gjithë jemi të kënaqur, edhe ne si drejtues institucionesh, por në radhë të parë pronarët, të cilët tashmë janë zotërues të objekteve dhe teknologjive cilësore. Kjo është arritje dhe shembujt e mirë janë nxitje për arritje të standardeve

Përballja me vështirësitë

Me mbylljen e thertoreve, tregtarët e mishit dhe fermerët që merren me rritjen e bagëtive, u vunë në vështirësi, pasi duhej të vinin nga Pogradeci, Gora dhe Opari në thertoren e Korçës, e vetmja që përmbushte standardet. Kjo solli rritje të kostove, shpenzimet e transportit u rritën me 4 mijë lek të rinj. Vajtje-ardhjet Korçë-Pogradec – Pogradec-Korçë u bënë të lodhshme, kurse për ata që vinin nga zona më të largëta ishte edhe më e vështirë. Megjithatë ishte e arsyeshme të sakrifikohej, deri në ngritjen e thertoreve të reja. Pati tendenca për therje fshehtas të bagëtive etj., por u morën masa që gjithçka të kalohej me sa më pak kosto. Tashmë nga një vend i dështuar në sigurinë ushqimore, gjendemi në standarde të kërkuara për sigurinë e ushqimit, të cilat gjithnjë do të jenë në përshtatje me kërkesat e kohës, ku nuk do të mungojnë dhomat frigoriferike, mjeti i transportit frigoriferik etj. Fal arritjeve të tilla, nxitja për investime të rëndësishme sipas standardeve bashkëkohore, po shndërrohet në pikësynim për çdo sipërmarrës, përfundoi prefekti i qarkut Korçë, Dhori Spirollari.