Mos qofsh kurrë pensionist!

802
Sigal

Nga Sokrat NDREÇKA

“Nderi i Kombit fillon me të moshuarit dhe mbaron te fëmijët”, thotë një shprehje e hershme, sa mosha e brezave. Të moshuarit ose pensionistët janë trashëgimtarë me vlera të mëdha jetësore, profesionale, shoqërore, pasi ata kanë prodhuar e natyralizuar një përvojë të pa zëvendësueshme në shoqëri. Dhe nuk janë pak, por një komunitet i gjerë, burra e gra, fisnikë për nga përkushtimi dhe veprat që kanë lënë në breza. Janë pikërisht ata të moshuar sot, që puna dhe mundi i tyre, ka lënë gjurmë të mëdha dhe mbajnë firmën në këtë tranzicion të vështirë.

Shoqëria jonë duhet të mburret me këtë kategori njerëzish të cilësuar nderi i kombit. Ata kanë meritën e madhe se puna i ka bërë të lavdishëm. Njëherësh kanë përfaqësuar shoqërinë, institucionet publike, administratën shtetërore në dekada me radhë. Si të tillë mbeten etalon i një brezi dhe u takon të marrin të gjitha meritat, ndërkohë që janë ledhatuar me stimuj moral, i vetmi shpërblim që iu është dorëzuar me duartrokitje dhe brohoritje në emër të sakrificës dhe përkushtimit shumëvjeçar. Të moshuarit, veteranët, ata që kanë sakrifikuar pa masë në dekada e dekada të tëra, sot kanë ngelur jetim nga qeveritarët e të gjitha mazhorancave që kanë drejtuar shtetin në këtë vend. Është shtresa më e përvuajtur, më e sakatuar, e drobitur nga lodhja e jashtëzakonshme, pasi të tilla ishin kushtet në sistemin njëpartiak. Më keq sot, në këtë shoqëri të përzier me të vërteta e të gënjeshtra sa askush nuk i ka besë atyre që thuhen e dëgjohen. Sot pensionistët ose të moshuarit, merreni si të doni, janë nga njerëzit më të pafat në këtë shoqëri mega korrupsion e mashtrime. Është për të ardhur keq kur dëgjon të penalizohen, edhe sot e kësaj dite, ata burra e gra që kanë lënë eshtrat për të ruajtur dinjitetin e punës, ndershmërinë e njeriut, njerzillëkun vetëm e vetëm për t’i dhënë atdheut emrin dhe veprat në atë gjysmë shekulli që lamë pas.

Dhe pagesa e tyre në pension është qesharake. Shpërblimi i punës është për të vënë duart në kokë. Mjafton të kujtojmë se pensionistët mashtrohen nga qeveritë, nga deputetët, nga komisionet parlamentare me një gjeldeti për Vitin e Ri! Është më shumë se turp! Nuk duhet të harrojmë se brezi i tretë rënkon nga dhimbjet e moshës më shumë se kushdo tjetër. Ka një qëndrim indiferent nga drejtuesit e shtetit, nga parlamenti, nga politika, të cilët nuk e kanë vlerësuar drejt asnjëherë punën e bërë nga paraardhësit e tyre. Ata që ndërtuan veprat, kanë marrë përgëzimet edhe nga ndërkombëtarët, për guximin, profesionalizmin, për zotësinë në detyra dhe fronte të gjera pune. Ndërsa qeveritë shqiptare, për ata që kanë punuar një jetë dhe në fund të rrugëtimit të tyre, i mbajnë peng duke u dhuruar lëmoshë, sikur të ishin endacakë, sikur të mos ishin njerëz që kanë bërë epokë. Ata janë të lodhur e të pamundur për të kërkuar lart e poshtë shërbime mjekësore, nuk janë në gjendje fizike të kërkojnë firma për ilaçe, nuk e kanë komoditetin e mjaftueshëm për të gjetur mjekun specialit rajonal, për shkak të moshës nuk janë në gjendje të marrin mjekimin me emra latinisht të shkruara në receta dhe kode të mjekëve. Thjeshtësimi i punës me të moshuarit në këtë këndvështrim kërkon që specialistët e fushës së shëndetësisë të jenë më afër pensionistëve, veteranëve, sepse e meritojnë një shërbim të diferencuar nga të tjerët. Nuk mund të themi se kjo grupmoshë kërkon privilegje. Edhe kështu po të ishte, nuk ka ndonjë problem, madje shëndetësia do të falënderohej prej të gjithë të moshuarve, veçanërisht prej atyre që vuajnë dhe kërkojnë një përkujdesje shëndetësore më të madhe. I shohim se si enden rrugëve, lulishteve, nuk ka qasje në dëgjesa publike dhe kjo tregon mungesën e vlerësimit, sepse edhe në këtë grupmoshë ka shumë intelektualë që kanë akoma rezerva dhe duhen dëgjuar. Nuk ka asgjë të keqe që të moshuarve tu krijohen mundësitë, të dëgjohen, të pyeten, të merren në mbrojtje këshillat për probleme të ndryshme se përvoja është akademi, është art, është univers. Kjo është mrekulli. Këta të sotmit, që kanë ca instrumente bashkëkohor, refuzojnë ti dëgjojnë, nuk pranojnë të marrin mendimin e intelektualëve, pensionistëve, historianëve, fotografëve, natyralistëve, ambientalistëve, akademikëve, sepse “janë të shkuar në moshë” dhe koha sipas brezit të sotëm bën të vetën.

Një arsyetim i tillë është paranojak, është foshnjor, është qëndrim vulgar. Të moshuarit, pensionistët janë thesar i pazëvendësueshëm në shoqëri, janë brezi që të vërtetën e kanë provuar e njohur shumë më herët se këta të sotmit, që e quajnë moshën e tretë të lodhur. Një paragjykim i tillë për ata që kanë bërë histori nuk mund të jepet ky mesazh, ky gjykim nihilist që e deformon të vërtetën historike dhe njerëzore të moshës së tretë, për të cilët shoqëria në çdo kohë është përgjegjëse ta ruajë e stimulojë, që edhe ata të ndihen të vlerësuar për atë që kanë bërë e që i kanë dhënë shoqërisë dhe pasardhësve të vet.

Dallohet qartë një shkëputje, një diferencë e krijuar midis brezit të tretë dhe këtij në zhvillim. Kjo është e dukshme edhe nga shteti, Parlamenti, të cilët, për hir të së vërtetës, këtë moshë duan ta mbajnë larg me moralin e tyre politizues. Pra pensionistët, të moshuarit i duan thjesht për votë dhe për asgjë tjetër. I mbajnë afër duke moralizuar me folklor politik, i inkurajojnë të mos humbasin besimin, sepse kundërshtarët kërkojnë demoralizimin e këtij komuniteti për një Shqipëri me të ardhme të garantuar. Të urtët, të ndershmit, të paepurit, ata që u besojnë verbërisht politikanëve hileqarë, bien brenda me gënjeshtra të mëdha. Të moshuarit, veteranët, janë ngopur me premtime. Ata kërkojnë në këtë moshë një shërbim pleqërie të bazuar në merita dhe punë të bërë për dekada të tëra. Ndërsa ata që ua kanë me hile thonë se “keni shumë të drejtë në kërkesat tuaja”. Shtesa e pensioneve është harruar, çmimi i lartë i ilaçeve i torturon. Mungojnë mjediset çlodhëse e argëtuese. Me të drejtë thonë të zemëruar. Mos qofsh kurrë pensionist! Kur të vini në moshën tonë, do na besoni. Deri atëherë është shumë vonë. Do pendoheni për këtë që bëni me ne!