Monopoli i çmimit të qumështit/ Fabrikat bëjnë pazare me njërin tjetrin që t’u blejnë sa më lirë qumështin fermerëve

575
Sigal

Fermerët në protesta: Ulën çmimin në marrëveshje me njëri-tjetrin

Fabrikat pazare me njëri tjetrin kundër fermerëve

(Rëndohet me 14% zgjedha tatimore për prodhuesit e qumështit)

Fermerët në hall. Pozicionohen kundër fabrikave. Së shpejti paralajmërojnë protesta përpara fabrikave të përpunimit të qumështit.
Fermerët thonë se vendimi i qeverisë për rimbursim të qumështit me 10 lekë për litër nuk e zgjidh problemin. “Vendimin qeveria e mori, por ne kemi ndeshur shumë keq me pikat e grumbullimit të qumështit, sepse na e kanë çuar çmimin 37 lekë, nga 47 lekë që ishte. Vendimi nuk ndryshon asnjë gjë, sepse ato 10 lekët kur t’i marrim, po i morëm… Se vit për vit na kanë premtuar, por kot. Kompanitë Erzeni, Lufra, Soal e të tjerë kanë bërë pakt me njëri-tjetrin që mos të grumbullojnë qumësht më lart se 37 lekë”- thotë për Gazetën “Si” Altin Kaja, fermer në Vajkan të Fierit. Altini tregon se disa fermerë janë në bisedime me njëri-tjetrin për t’u grumbulluar përpara fabrikave të përpunimit të qumështit për të protestuar. “Fabrikat e arritën qëllimin e tyre. Ata e ulën 10 lekë përnjëherë çmimin. Gjithë kjo situatë krijohet për të na mërzitur ne, me qëllim që të sjellin qumësht pluhur nga importi. Nuk mund të vendosë shteti një çmim tavan dhe dysheme për qumështin. Mos t’i zhdoganojë botet e qumështit që vijnë nga Maqedonia”- argumenton Altini. Ai thotë se është përpjekur të komunikojë si me ministrin e Bujqësisë Bledi Çuçin, po ashtu edhe me kryeministrin Rama, por nuk ka marrë asnjë përgjigje
Kreu i ALFI-t (Albanian Food Industry) e sheh vendimin e qeverisë për rimbursimin e fermerëve si një reflektim i përgjegjshëm për një ndërmarrje të pakonsultuar paraprakisht. Zusi tha për gazetën “Si” se “Në kuadër të shuarjes së një tensioni të një situate emergjente siç është ajo e sektorit të qumështit, është për tu përshëndetur.
Por vendimi i djeshëm nuk është zgjidhja e problemit. Ne do ta konsideronim si hapin e parë të zgjidhjes së problemit drejt një dialogu mes grupeve të interesit të sektorit të bujqësisë dhe qeverisë për një politikë të qëndrueshme, parimore për të gjithë sektorin. Kjo vendimmarrje i përzien; problemet fiskale me ato të nxitjes.” Ish-Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti shkruan në llogarinë e tij në Facebook për çështjen e fermerëve se “Në Bashkimin Evropian, prodhuesit e qumështit e gjunjëzuan politikën, ndërsa te ne politika gjunjëzon prodhimin dhe prodhuesit e qumështit!Prodhuesit e vegjël te qumështit në Bashkimin Evropian, me protestat e tyre të pandalshme detyruan vendimmarrjen e BE-së të rishihte mekanizmat rregullatore, fiskale dhe financiare në mbështetje të fermave të qumështit. Në vijim u hoqën pengesat, u lehtësua barra, u rrit pagesa për çdo litër. Kështu u administrua me sukses kriza e madhe e qumështit e tre viteve më parë. Fermat u mbajtën më këmbë!. Po te ne? Te ne ndodh e kundërta! Shkurtohen paratë, hiqen pagesat dhe rëndohet me 14 për qind zgjedha tatimore për prodhuesit e qumështit! Në Mbledhjen e Këshillit të Ministrave një ditë më parë u vendos që fermerët të rimbursohen drejtpërdrejtë me 10 lekë për çdo litër qumësht të shitur.. Sipas këtij vendimi fermerët do të përfitojnë një kompensim 100 lekë të vjetra për litër qumështi të shitur”, është shprehur Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi. Ai informoi se aplikimi fillon në datën 22 prill dhe kostoja për fermerët do të jetë zero.
“Për të përfituar nga kjo mbështetje fermerët duhet të dorëzojnë pranë AZHBR-së vetëm faturën tatimore të shitjes së qumështit në pikat e përpunimit. Aplikimet fillojnë pranë zyrave bujqësore në qarqe. Ato do të jenë me kosto zero për fermerët. Është një reagim në kohën e duhur pas ndryshimit të kompensimit të TVSH nga 20% në 6%”, sqaroi ai.
Por fermerët dhe përfaqësuesit e tjerë të sektorit nuk e shohin këtë vendim si zgjidhje të problemit. Përpos të tjerave sektori i fruta – perimeve nuk është marrë në konsideratë.