Sigal

Një falenderim për mjekët e Spitalit të Korçës dhe deputetin Ardit Konomi

Jakup B. GJOÇA

Një mikesha ime më merr telefon nga Athina, dhe me një zë të mbytur më thotë:

  • Mund të më ndihmosh?
  • Pse qan? – e pyeta.
  • Një njeriu im i afërt, 20 vjeç, e kanë çuar sot para disa orësh në spitalin e Korçës, por është në gjendje kome.
  • Po, çfarë mund të bëj?
  • A mund të interesohesh, që mbase e çojnë në Tiranë? Djali nuk merr dot frymë. Mjekët aty nuk dinë çfarë të bëjnë…

Mikesha nuk dinte hollësira të tjera. Të gjithë nuk kanë besim më në spitalet rajonale. Edhe një çikë shpresë, e mbetur nga shërbimi ynë shëndetësor publik, është që pacientin ta sjellin në Tiranë. Nuk kisha asnjë numër telefoni të mjekëve në spitalin e Korçës. I telefonoj mikut tim në Korçë Muharrem Meko, mbase mësojmë më shumë gjera. Pas disa minutave, Muharremi më thotë se i thanë që djali është në gjendje kome, dhe pak shpresa kanë për ta mbajtur në jetë.

Disa të afërm të djalit, më thanë në telefon, që e kanë të vështirë të komunikojnë me mjekët dhe se nuk shpresojnë që djali të mbijetojë në kushtet e spitalit të Korçës. Luteshin, që ta sillnin sa më parë në Tiranë. Pas disa përpjekjeve, mezi gjej telefonin e drejtorit të spitalit. I mbaja mend emrin. Ardit Konomi. Ndonëse nuk kam asnjë njohje, i dërgoj një mesazh, duke e lutur të mësojmë gjendjen, dhe nëse është e nevojshme të shpëtojmë jetën e 20 vjeçarit, të kërkojmë ndihmë nga Spitali Nënë Tereza. U trazova nga kjo gjendje, sepse e kam jetuar këtë dhimbje me njeriun tim më të afërt familjar.  Familja e djalit nuk kishte asnjë mundësi, as ekonomike, që të kërkojë asistencë shëndetësore private. Unë, para 17 vitesh, ndonëse emigrant në Greqi, ndihmesën e parë për vëllanë, e kërkova një zv.ministri grek, që të na ndihmonte që vëllanë, ta çonim në një spital më të specializuar. Dhe, asokohe, zyrtari grek dha çdo ndihmë të mundshme. Pas një ndërkohe,  Ardit Konomi më dërgon diagnozën e gjendjes së 20 vjeçarit.

Duke mos marrë parasysh paragjykimet, i dërgoj një mesazh ministres së Shëndetësisë, Orgeta Manastirliu, me lutjen, që të gjithë të ndihmojmë një 20 vjeçar të jetojë. Është edhe kohë pushimesh… Pas pak, ministrja më përgjigjet, se do interesohet dhe djalit do t’i jepet çfarëdo ndihme e mundshme shëndetësore.

Orë më vonë, bisedoj me mjekun e Reanimacionit të spitalit të Korçës Marsel (shumë më vonë i mësova edhe mbiemrin, Marsel Dhima). Mjeku më tha se duhet të kalojnë 48 orë, që të kenë një ikonë të qartë. Mjeku më tha se është më mirë që djali të mos lëvizë nga spitali, sepse e kanë në mbikëqyrje, i bëjnë çfarë shërbimi shëndetësor ka nevojë, por, nëse familja ka mundësi financiare dhe dëshirë, mund ta çojnë në çdo spital tjetër… I besova fjalës së mjekut të Spitalit të Korçës….

Pas disa ditësh, djali doli nga koma. I shtrëngoi dorën babait… I telefonoj sërish mjekut Marsel Dhima, dhe e pyes, nëse është e nevojshme që djalin ta sjellim në Tiranë, për një kurim më të specializuar, sepse kështu e kanë merak edhe familjarët. Mjeku Marsel Dhima, më thotë, se djali duhet të qetësohet, më mirë është të mos lëvizë, sepse edhe në spitalin e Korçës i jepet çdo shërbim shëndetësor i duhur. Unë kisha krijuar mirëbesim te fjalët e mjekut dhe me fjalën e tij, qetësova familjarët, të mos shqetësoheshin për djalin, pse nuk e çojnë në Tiranë, për më mirë.

Një ditë, një i afërm familjar më kërkoi ndihmë, për të gjetur një serum për t’i dhënë djalit në reanimacion, sepse spitali nuk e ka. E pyeta, kush i tha atij që nuk ka spitali. I afërmi familjar i djalit, më tha që kështu dëgjoi infermierët… Fola sërish me Ardit Konomin ku mund të gjejmë ilaçin e munguar. Por, pas 5 minutash, Arditi më thotë që askush nuk ka thënë që mungon serumi në reaminacion, por më sqaroi, që ai nuk është më drejtor i spitalit, sepse kryen një detyrë tjetër.

E pyeta, në çfarë detyre është. Fillimisht Arditi nguroi, por me këmbënguljen time, Arditi më tha se është betuar për deputet. Unë u shtanga nga e papritura. Emrin dhe telefonin e tij ma kishin dhënë për drejtor të spitalit. E falënderova, për interesimin e madh që dëftoi këto ditë për djalin, duke i kërkuar ndjesë që e shqetësoja, mbase tani është me pushime. Arditi, qeshi dhe më tha: – Për të shpëtuar një jetë të një 20 vjeçari që është në reanimacion, nuk kanë vlerë detyrat shtetërore… Djali përmirësohej. Një ditë, babai i tij, më thotë, se i kanë thënë, që djali do të dalë nga spitali, por tani duhet ta ndihmojmë që ta çojmë në një spital në Tiranë. Mjeku Marsel Dhima, qetësisht, më shpjegoi, se që  të nesërmen, do t’i ndërpresin çdo lloj mjekimi, djali nuk ka nevojë më të shtrohet në asnjë spital, por duhet përkujdesur nga familja.

Mjekët e Spitalit të Korçës bënë gjithçka dhe shpëtuan jetën e një 20 vjeçari, që në fillim, diagnoza u duk se nuk kishte jetë…. Nuk u desh, që djali të shtrohej në asnjë spital më të specializuar, pavarësisht, mosbesimeve, paragjykimeve të familjarëve, apo edhe opinionin që dëgjonin nëpër korridore. Mjeku Marsel Dhima, që në fillim ishte i qartë dhe i qetë, besonte në shërbimin që i jepnin ai dhe mjekët e tjerë…

Kemi mjekë të mirë, të zotë, humanë. Jo vetëm në Spitalin Universitar të Tiranës. Por edhe në spitalet rajonale. Mjeku Marsel Dhima dhe ekipi i tërë mjekësor në Spitalin Rajonal të Korçës, më bindi, që nuk janë një përjashtim, por një shembull për t’u përgjithësuar.

Edhe Arditi, ndonëse, tashmë deputet, bëri gjithçka për të shpëtuar jetën e djalit 20 vjeçar. Mezi munda ta bëja Ardit Konomin, të më thoshte se tashmë është deputet, e jo më drejtori i spitalit. Por, interesimi dhe kujdesi i tij ishte i një njeriu human.

Në fund, dy fjalë për ministren e Shëndetësisë, Orgerta Manastirliu. Si gazetar, kam, kritikuar shumë të meta të shërbimit shëndetësor publik, për përgjegjësitë politike, ndonëse jo të gjitha janë personale ndaj ministres. Por, ishte hera e parë që komunikoja drejtpërdrejt dhe interesimi personal i ministres Manastirliu ishte konkret. Duhet të shkruajmë e të pohojmë edhe pozitiven, sikurse shumë herë, theksojmë problemet…