Miratohet ligji për minatorët, naftëtarët dhe metalurgët. 23.500 punonjës përfitojnë pension suplementar. Ja mosha

1154
Sigal

Ulet mosha e daljes në pension për kategoritë përfituese. Ja ndryshimet e plota të ligjit të ri

Miratohet ligji për minatorët, naftëtarët dhe metalurgët. 23.500 punonjës përfitojnë pension suplementar

Minatorët, naftëtarët dhe metalurgët do të përfitojnë pension suplementar, krahas pensionit të pleqërisë. Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar projekt-ligjin për trajtim financiar të këtyre kategorive që futen në kategorinë e punëve të vështira. Pas një kalvari të gjatë, shoqëruar me protesta të shumta, më në fund minatorët, naftëtarët dhe punonjësit e metalurgjisë do të marrin trajtim të veçantë nga shteti. Parlamenti e votoi ditën e djeshme projekt-ligjin për minatorët dhe naftëtarët me 77 vota pro. Në seancën plenare të Kuvendit, ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj prezantoi projektligjin “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”. Ministrja Denaj theksoi faktin se projektligji është diskutuar me grupet e interesit, sindikatat përkatëse të minatorëve, industrisë dhe naftës, dhe individë ish minatorë, tani në pension. Projektligji është paraqitur për miratim edhe Këshillit Kombëtar të Punës në nëntor 2018, si detyrim ligjor i Kodit të Punës dhe në mbledhjen e fundit të këtij Këshilli, sindikatat e minatorëve, të industrisë dhe të naftës kërkuan me insistim kalimin e projektligjit me procedurë të shpejtuar. Ndërkohë Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj u shpreh se është pikërisht ky ligji që garanton drejtësi sociale për 23,500 qytetarë. Sipas tij, të gjithë minatorët e aksidentuar në punë dhe ata me sëmundje profesionale, do të përfitojnë pension të plotë pavarësisht vjetërsisë në punë.

Çfarë përfitojnë minatorët, naftëtarët dhe metalurgët nga Ligji i Ri?

Në bazë të projektligjit, 23.400 punonjës të profesioneve të vështira të minatorit, naftëtarit dhe metalurgut, të cilët janë në pension ose do të dalin në pension në vitet në vijim, do të përfitojnë trajtim suplementar shtesë.

-Minatorët e nëntokës do të përfitojnë 1% pension suplementar për çdo vit të punuar nëntokë. Mosha e daljes në pension për këtë kategori është 55 vjeç dhe ata duhet të kenë 30 vjet punë të siguruara, nga të cilat 12 vjet e 6 muaj në miniera në nëntokë.

-Naftëtarët do të përfitojnë 0.6% pension suplementar për çdo vit të punuar në naftë. Meshkujt e kësaj kategorie dalin në pension 60 vjeç kur kanë 30 vjet punë të siguruara, nga të cilat 20 vjet në naftë. Femrat naftëtare dalin në pension në moshën 55-vjeçare kur kanë 25 vjet punë të siguruara, nga të cilat 15 vjet në naftë.

-Punonjësit e metalurgjisë, ashtu si naftëtarët, do të përfitojnë 0.6% pension suplementar për çdo vit të punuar në metalurgji. Metalurgët do të dalin në pension 60 vjeç kur kanë 30 vjet punë të siguruara, nga të cilat 20 vjet në metalurgji.

Nga ky projektligj do të përfitojnë 13.300 minatorë, 7.600 naftëtarë dhe 2.500 metalurgë, me një vlerë totale prej 14 milion dollarë në vit.