Ministri Klosi: Më 2 tetor testim çdo punonjësi të shërbimeve sociale

    354
    TIRANË – Të gjithë punonjësit e shërbimeve sociale, të qendrave të përkujdesit ndaj fëmijëve, të moshuarve e personave me aftësi të kufizuara do t’i nënshtrohen një testimi njohurish që do të mbahet më 2 tetor në Tiranë, në ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës. Lajmin e bëri publik ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi nga shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë. Ky testim mbarëkombëtar që do të vë në peshore aftësinë profesionale të punonjësve dhe sjelljen e tyre ndaj këtyre grupeve shoqërore, është paralajmëruar nga Klosi që në korrik të këtij viti kur një punonjëse e Jetimores në Shkodër dhunoi fëmijët.
    “Nuk mund të tolerohet në institucionet publike, që fëmijët jetimë në qendrat tona të përkujdesit të dhunohen nga ata njerëz që duhet ti mbrojnë. Nuk mund të rrimë duarkryq. Kam vendosur të marr një sërë masash, duhet të garantojmë sigurinë e tyre. Qëllimi kryesor është që çdo fëmijë, i moshuar, të marrin shërbimet më të mira të mundshme që garanton ligji. Është ngritur një grup i posaçëm për të mbikëqyrur situatën. Kam urdhëruar Shërbimin Kombëtar Social për të administruar këtë proces, që do të nisë në 2 tetor, në ditën ndërkombëtare kundër dhunës”, – tha Klosi.
    Tolerancë zero, – theksoi ministri, – për cdo punonjës që do të marrë pjesë në këtë proces.
    “Duhet t’i hedhim një vështrim të thellë sistemit dhe të gjithë ata që punojnë me këto grupe shoqërore të kenë njohuritë e duhura. Nuk do të lejoj që personat me profil të papërshtatshëm dhe me sjellje jo profesionale të vazhdojnë të shërbejnë në qendrat tona. Përpjekjet do të vazhdojnë për të përmirësuar kapacitet e këtyre stafeve, duke ofruar trajnime. Bazuar në rezultatin e testimeve do të hartohen programeve të plota që do të trajnojnë punonjësit”, tha Klosi.
    Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi tha se ka kërkuar që pjesë e testimit të jetë edhe stafi i pushtetit vendor. 
    Klosi shtoi se vlerësimi i plotë i njohurive të punonjësve në qendrat e përkujdesit është vetëm hapi i parë i një aksioni të gjerë që ka për qëllimin garantimin e sigurisë së personave që janë nën mbrojtjen sociale. 
    Sigal