Ministri Klosi: Forca e ligjit, shfuqizon 12 leje minerare

494
Sigal

Shfuqizohen 12 leje minerare në Krastë-Verjon të Krujës

12 leje për shfrytëzimin minerar në zonën e Krastë-Verjon në Krujë, e cila është shpallur peizazh i mbrojtur, janë shfuqizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit . Ministri Blendi Klosi tha se guroret nuk ishin kontrolluar prej 30 vitesh edhe pse ndotja që shkaktonin në mjedis konsiderohet shumë e lartë. “Të 12 subjektet duhet të ndërpresin urgjentisht aktivitetin e tyre në këtë zonë. Forca e ligjit dhe ligjzbatimit do të jenë të gjitha në terren. Për 30 vjet është shfrytëzuar pa asnjë kriter dhe pa u përputhur aspak me kushtet mjedisore-natyrore. “- u shpreh ministri. Ministri Klosi theksoi se forca e ligjit do të veprojë për të gjitha subjektet që me aktivitetin e tyre ndikojnë në ndotjen e mjedisit. Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka angazhuar task-forcën e saj, së bashku me strukturat përgjegjëse që monitorojnë dhe kontrollojnë, zbatimin e ligjit minerar në çdo aspekt të veprimtarisë minerare. Bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit mes 4 ministrive (Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Brendshme) grupet e inspektimit të MIE kontrolluan dhe vlerësuan subjektet minerare për:

  1. Kushtet e zbatimit të projektit teknik dhe lejen minerare;
  2. Respektimin e koordinatave të lejes minerare;
  3. Investimet e kryera nga subjekti në zbatim të kushteve të lejes minerare;
  4. Pagesat e garancisë për rehabilitimin mjedisor;
  5. Investimet e kryera për rehabilitimin mjedisor;
  6. Kontrollin e sigurisë teknike dhe mbrojtjen e jetës së punonjësve
  7. Sigurinë e sistemit të transmetimit të linjave të tensionit të lartë;

Grupet e inspektimit në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë përfunduar materialin e plotë të kontrollit duke dhënë dhe konkluzionet përkatëse për çdo subjekt që ushtron aktivitet minerar në zonën “Krastë – Verjon”, në Krujë. Në secilin prej 12 subjekteve është mbajtur Akt-Konstatimi përkatës, ku është evidentuar gjendja aktuale e objekteve minerare, problematikat për secilin prej tyre. Pas përfundimit të kontrollit rezultoi se subjektet që ushtrojnë aktivitet minerar në zonën e shpallur peizazh i mbrojtur natyror Krastë-Verjon, nuk kanë zbatuar rigorozisht projektin teknik të hapjes dhe shfrytëzimit të objekteve minerare duke krijuar probleme të sigurisë teknike dhe të mbrojtjes së mjedisit.