Mbyllen dyert e Britanisë së Madhe për shqiptarët

619
Sigal

Vendimi i Britanisë së Madhe për daljen nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Brexit do të ketë efekt edhe për shqiptarët që ndodhen aktualisht në ishull, por gjithashtu dhe për qytetarët që duan të emigrojnë drejt Anglisë. Emigrimi i jashtëligjshëm drejt Britanisë ka qenë një trend gjithnjë i lartë nga qytetarët shqiptarë, të cilët kanë paguar dhjetëra mijëra paund për të shkuar në në ishull. Së fundmi, Ambasadori shqiptar në Britaninë e Madhe, Qirjako Qirko u ka bërë apel të gjithë shqiptarëve që të heqin dorë nga emigrimi ilegal. Kryesisht pas Brexit, Qirko thekson se çdo emigranti që hyn ilegalisht në territorin britanik nuk i mundësohet e drejta e punësimit apo marrja e lejes së qëndrimit. “I bëj një thirrje të gjithë bashkatdhetarëve të mi për të hequr nga mendja kalimin e paligjshëm në Britaninë e Madhe, veçanërisht me Brexit. Një nga arsyet pse u realizua Brexit është ndalimi i emigracionit në tërësi. Në këto kushtet shteti britanik ka marrë masa ligjore sa i takon heqjes së çdo mundësie punësimi në Britani për shtetas që hyjnë në mënyrë ilegale, jo vetëm shtetas shqiptar por nga çdo vend tjetër i botës. Pra nuk ka asnjë mundësi që një person i ardhur ilegalisht në një moment të caktuar të fillojë punë dhe të bëjë letrat për të qëndruar legalisht në Britani. Ndaj përsëris thirrjen që të mos e ndërmarrin këtë hap sepse janë para të hedhura dëm dhe nuk do të kenë asnjë rezultat në këtë drejtim”, deklaroi Qirko. Megjithatë Qirko thekson se shtrëngimet që vijnë si pasojë e Brexit nuk prekin shtetasit shqiptarë që e kanë fituar të drejtën e jetimit në Mbretërinë e Bashkuar. “Brexit nuk ka lidhje me emigracionin. Sa i takon emigracionit ilegal, heq çdo mundësi për tu legalizuar në një kohë të dytë, ndërsa për sa i takon emigrantëve që janë këtu, Brexit është një proces që nuk ka përfunduar, vazhdojnë diskutimet. Një nga pikat është statusi që do të kenë shtetasit e BE që jetojnë në Britaninë e Madhe dhe atyre britanikë që jetojnë në BE. Sa i takon shtetasve tanë që tashmë e kanë fituar të drejtën e qëndrimit të ligjshëm nuk do të kenë asnjë pasojë nga Brexit”, u shpreh ambasadori.