Mbikëqyrja: Kontroll i rreptë bizneseve të lodrave për fëmijë

597
Sigal

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut do të ketë një kontroll më të lartë ndaj bizneseve që operojnë në fushën e tregtimit të lojërave për fëmijët, gjatë këtij viti. ISHMT thekson, se do të kontrollohen të gjithë tregtarët që produktet e ofruara në treg të garantojnë kriteret e mëposhtme:

  1. Të mbajë Markimin CE të konformitetit. Markimi CE duhet të jetë në përputhje me përcaktimet e shtruara në Nenin 9 të ligjit nr. 10489, datë 15.12.2011;
  2. Të shoqërohet nga Deklarata e Konformitetit (EC Declaration of Conformity). Deklarata e Konformitetit duhet të jetë në përputhje me përcaktimet e bëra në Nenin 8, Ligji nr. 10489, datë 15.12.2011;
  3. Të shoqërohet nga Dokumentacioni teknik. Dokumentacioni teknik duhet të mundësojë vlerësimin e konformitetit të produktit me kërkesat ligjore në lidhje me të dhe duhet të përfshijë një analizë dhe vlerësim të përshtatshëm të risqeve;
  4. Të shoqërohet nga Paralajmërimet. Udhëzimet në (gjuhën shqipe) për përdorimin, si: mosha, kufizimet etj., dhe për mirëmbajtjen;
  5. Mban një numër tipi, grupi apo serie ose elemente të tjera, që lejojnë identifikimin e tij; si dhe mban emrin prodhuesit, emrin tregtar ose markën tregtare të regjistruar dhe adresën ku mund të kontaktohet.

Gjithashtu, ISHMT bën të ditur se edhe inspektorët u janë nënshtruar trajnimeve në këtë fushë, që të jenë më të përgatitur për të mbikëqyrur sigurinë e lodrave, duke përdorur pajisje kontrolluese. “Operatorët ekonomikë që tregtojnë artikuj të klasifikuar si ‘lodër’ në kuptim të Rregullit teknik (Prodhues/Përfaqësues i Autorizuar, Importues, Shpërndarës), do t’u nënshtrohen kontrollove gjatë këtij viti, të vazhdueshme me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga lodra të pasigurta dhe që nuk përputhen me kërkesat ligjore që parashikohen në legjislacionin aktual.”