Matura Shtetërore, 36 mijë nxënës zhvillojnë provimin e parë

248

Provimet e maturës 2019 nisën zyrtarisht ditën e djeshme me provimin e parë, atë të gjuhës së huaj. Rreth 36 mijë maturantë në të gjithë gjimnazet e Shqipërisë janë testuar në provimin e anglishtes, i cili këtë vit u vështirësua duke kaluar nga niveli B1 në B2. Provimi nisi në orën 10 duke zgjatur për 2 orë e gjysmë deri në 12:30, teksa maturantët janë paraqitur në ambientet e shkollave rreth 1 orë e 30 minuta më herët në mënyrë që të shmangej vonesa, prej kontrolleve të ushtruara. Siç u bë e ditur, në provim ndalohej përdorimi apo mbajtja me vete e telefonave, dhe mjetet e vetëm të lejuara ishin karta e identitetit, stilolapsi dhe uji. Përfaqësues të Ministrisë dhe mësuesit e shkollave kanë ushtruar kontrolle para fillimit të provimit, gjithashtu duke i pozicionuar nxënësit në 1 metër distancë ndaj njëri tjetrit nëpër klasa me 15 nxënës. Për sa i përket tezës së provimit, ndryshime të tjera kishte me formatin, pasi këtë vit kishte më shumë pyetje me alternativa, rreth 20, kundrejt 14 pyetjeve që ishin me shtjellim, duke e bërë në këtë mënyrë më të thjeshtë provimin. Një grup maturantësh u shprehën se si çdo vit tjetër teza e provimit të anglishtes doli në momentin që nxënësit ishin në provim. Ndërkohë administratorët e provimeve nuk ishin mësuesit e shkollës. Për këtë provim gjithashtu e angazhuar ka qenë edhe policia e shtetit, duke planifikuar në shërbim rreth 560 punonjës policie dhe 45 automjete policie. Një tjetër risi për provimin e parë të Maturës Shtetërore do të jetë edhe korrigjimi i provimeve me një formë digjitale, nga një sistem i veçantë i përgatitur në QSHA. Provimi i radhës është ai i letërsisë që do të zhvillohet, në datën 12 qershor.