Marshimi heroik i tre batalioneve të Brigadës së Parë Sulmuese

799
Sigal

Ing. Myfit GUXHOLLI*

75 vjet më parë – Lufta Antifashiste, një ndër epokat më të ndritura në historinë e Shqipërisë

 Në një kohë kur Operacioni i Madh i Dimrit 1943-1944 nuk kishte mbaruar akoma dhe për çudi, okupatorët nazistë gjermanë kishin deklaruar bashkë me kolaboracionistët, se Ushtria Aantifashiste Nacional Çlirimtare dhe lëvizja popullore që mbështeste këtë luftë kishin mbaruar, i gjeti këta të parët në befasi dhe të alarmuar. Ndërsa popullit i dha zemër dhe besim tek forcat partizane për një çlirim të plotë nga okupatori. Marshimi luftarak nga Shqipëria e Jugut për në Shqipërinë e Mesme të tre batalioneve te Brigadës së I-rë Sulmuese u vendos nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Aantifashiste Nacional Çlirimtare. Ky marshim u drejtua nga komandanti i Brigadës, Mehmet Shehu dhe u krye në kushte të vështira, në një dimër shumë të ashpër. Ata duhet të kalonin nëpër male të larta të mbuluara me dëborë, të veshur jo mirë dhe deri diku pa ushqime. Qëllimiishte që forcat partizane, me një eksperience lufte më të mirë dhe luftëtarë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë t’i çorientonin nazifashistët gjermanë e kolaboracionistët dhe të lehtësonin veprimet luftarake të qarkut të Elbasanit që manovronin në krahinat e Çermenikës, Shëngjergj e Martanesh dhe t’u vinin në ndihmë një pjese të Shtabit të Përgjithshëm. Me 21 shkurt 1944 forcat e Brigadës, pas luftimesh që kishin zhvilluar në Skrapar, u nisën nga Kapinova, kaluan në Qafë Dardhë, Opar, Gorë dhe më 25 shkurt arritën në Çezmë të Mokrës (Malësi e Pogradecit). Sipas urdhrit të Komandantit të Brigadës, batalionet duhet të lëviznin të organizuara dhe me shpejtësi në mënyrë që të arrinin sa më parë dhe pa u zbuluar nga armiku në zemër të Çermenikës. Marshimi do bëhej drejt Qukës – Qarrishtës dhe Çermenikë – Shëngjergjit.

Me 26 shkurt të tre batalionet, nga Çezma e Mokrës, vazhduan marshimin e tyre të lavdishëm duke kryer luftimin në marshim për të thyer pritat që armiku iu kishte përgatitur tre batalioneve, me synimin që t’i asgjësonte. Pikërisht duke pasur informacion, nazistët goditën forcat e Brigadës në një terren shumë të vështirë në fshatin Skroskë afër Qukësit. Në këto luftime ndeshës, partizanët patën humbjedisi të mëdha. Në vazhdim të marshimit forcat partizane treguan trimëri të rrallë. Duhej që patjetër tëarrihej objektivi. Prita ishte në kodër të mbuluar me dëborë. Veç pozicionimit të favorshëm për armikun, aty mund të vinin dhe forca të tjera armike nga Librazhdi. Pas luftimesh të ashpra që bëri Batalioni i I-rë me armikun, forcave kryesore të Brigadës iu krijua mundësia të vazhdonin marshimin. Urdhri ishte që forcat kryesore të mbështetnin njëra – tjetrën duke i dhënë mundësi forcave të batalionit të parë të bashkoheshin me ta. Partizanët e Brigadës I zhvilluan luftime me forcat që kishin ardhur nga Librazhdi në fshatrat Velçan e Peshkur. Kundërgoditja e forcave të Brigadës i detyroi forcat armike gjermane të tërhiqeshin në bazën e nisjes mbi rrugën Librazhd-Qukës. Pas këtyre përpjekjeve, Komandanti i Brigadës u tregoi partizanëve për misionin që u ishte ngarkuar tre batalioneve dhe kërkoi mendim rreth vendimit që uishte ngarkuar, për të vazhduar ose jo marshimin. Përgjigja ishte një e vetme: “Të gjithë, të gjithë do të shkojmë. Rroftë Shtabi i Përgjithshëm!”. Ata shkuan përpara me guxim dhe vetëmohim e iu ngjitën përpjete malit të Shebenikut dhe më 28 shkurt arritën në kasollet e Dragoshtunit. Këtu pasi pushuan disa orë, ashtu siç ishin të pa ngrënë e pa gjumë, që nga data 26 shkurt, ata çanë rrugën në drejtim të Qarrishtës. Gjermanët nazistë nuk hiqnin dorë nga shpartallimi i këtij marshimi të kësaj force ushtarake, e cila u hapi shumë punë në Shqipërinë e Mesme që ishte plotësisht nën diktatin e armikut. Më 29 shkurt, 600 forca gjermano-naziste e kolaboracionistësh që i mbështesnin, goditën forcat partizane të Brigadës në Qarrishtë, ndërsa forcat armike të ardhura nga Librazhdi kishin zënë prita në të gjitha grykat në Lunik dhe donin t’u prisnin rrugën. Por ata luftuan me trimëri dhe heroizëm duke i shkaktuar armikut dëme të mëdha në njerëz, armatim dhe materiale të tjera. Ndërsa forcat partizane patën humbje të pakta, kaluan malin e Lëmit dhe zbritën me shpejtësi në rrugën Librazhd-Dibër dhe zunë katundin Llangë para se ta zinte armiku. Më pas vazhduan marshimin në drejtimin Llangë -Zabzun, Okshtun e Kaptina e Martaneshit – Guri i Bardhë. Në tërësi të gjitha përpjekjet e armikut për të shpartalluar forcat e Brigadës dështuan. Pasi detyra e ngarkuar u arrit me një manovër të shkëlqyer, forcat partizane kryelartë se kryen një detyrë shumë të vështirë, kaluan në Qarkun e Tiranës e konkretisht në Pezën heroike. Nga Peza forcat e Brigadës I Sulmuese përshkojnë krahinën e Pezës dhe kalojnë lumin Shkumbin, arrijnë në Dumre ku zunë robër 170 xhandarë dhe, më 20 mars arritën në Sulovë. Fill mbas një muaji bashkohen me forcat e tjera te Brigadës I Sulmuese. Ky marshim i tre batalioneve shkaktoi habi dhe panik në forcat e armikut dhe kolaboracionistëve. Për çudinë e marshimit të partizanëve, jepeshin informacione të pabesueshme nga ana armike: p.sh. se Mehmet Shehu me 500 veta ka hyrë në fshatin Rasë të Elbasanit. Po të njëjta informacione vinin ngaPeqini e Berati, se Brigada I Sulmuese bashkë me forcat partizane të Pezës do sulmojnë Kavajën, Peqinin dhe si ka mundësi që ata të kalonin dhe lumin Shkumbin kur ai ishte i pakalueshëm. Për këtë veprim ushtarak të shkëlqyer të kryer nga tre batalionet e Brigadës së I-rë Sulmuese dhe që bëri një jehonë të madhe në të gjithë vendin, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Aantifashiste Nacional Çlirimtare i përgëzoi dhe ju dha fletë-lavdërimi në të cilën midis të tjerash thuhet: “Shtabi i Përgjithshëm nënvizon kujdesin e veçantë të komandës, e cila tok me batalionet I, II dhe III të Brigadës I Sulmuese, pa marrë parasysh as lodhjen e as pengesat që mund të hasnin gjatë rrugës, por të bindur dhe të disiplinuar siç u ka hije partizanëve, të shtyrë nga dashuria e madhe për Atdheun, popullin dhe shtabin e Përgjithshëm, kanë vepruar për një pjesë të Komandës së Shtabit të Përgjithshëm, që ndodhej në zonat e rrezikshme dhe të përshkuara nga gjermanët e kolaboracionistët”.

*Nënkryetar i OBVL