Marrëzia: Peshkun kinez e hamë për të freskët

2700
Sigal

Abuzimi/ Shqiptarët konsumojnë peshk kinez që vetëm transporti kërkon dy muaj për të ardhur në Shqipëri, pa llogaritur qëndrimin në frigoriferët kinezë. Ligjet e konsiderojnë të ngrënshëm vetëm kur ka 12 ditë, por vendi ynë, edhe pse ka dete dhe liqene importoi në 1 vit mbi 2300 ton. Mungesa e etiketave, origjinës, pasojat tek konsumatorët dhe rreziku nga “pluhuri i bardhë”

Shqiptarët konsumojnë peshk kinez “të freskët” që i duhet rreth 2 muaj të vijë në Shqipëri, ndërkohë sipas ligjeve ndërkombëtare, peshku i freskët konsiderohet i ngrënshëm për 12 ditë

Investigimi/ Abuzimi me produktet e detit, peshkun kinez e hamë për të freskët

Eksperti: Sasia e peshkut që Shqipëria importon është më e madhe se sasia e eksportit. Kjo do të thotë që dy në tre peshq që ne blejmë në dyqan janë të importit

 

Me të zbardhur dita Hasani merr rrugën për nga liqeni, aty ku gjuetarët e natës kanë siguruar një duzinë peshku, të cilët i kapin duke vendosur elektroda në ujë, në 110 volt të siguruar nga një transformator të lidhur me një bateri makine. I ngarkon në ca thasë plasmasi dhe në shtëpi i sistemon mirë në arka druri. Pastaj merr rrugën për në qytet, aty ku shpreson të sheës peshkun, me një çmim më të lirë se në dyqan. Hasani betohet se tregton peshk të freskët e se këtë zanat e kryen prej 17 vitesh. Thotë se edhe me shtetin është në rregull, pasi ka siguruar një licencë si tregtar ambulant.

Si Hasani, janë një duzinë njerëzisht që sigurojnë jetesën duke shitur peshk që zor se dihet nga vjen. Jo vetëm në Shkodër por dhe në Lezhë, Durrës,Tiranë, Pogradec, Vlorë, Divjakë, Fier do të gjesh tregtarë si ai. Peshkun e vendosin në arka të hapura, në karroca, në kosha, në govata plastike e çfarëdo lloj tjetër mjeti që të jetë e mundur. Diku me një plasmas poshtë dhe diku direkt në kontakt me pluhurin e rrugës. Pastrimi i peshkut bëhet po aty në vend. Me gërshërët dhe thikat që mbahen përtokë peshkut i pastrohen luspat dhe pendët. Zorrët e peshkut hidhen përtokë në të njëjtin plasmas të improvizuar në mes të rrugës. Tregtimi, jashtë çdo standardi ligjor të higjienës duket se është problemi më i vogël që kanë konsumatorët me këtë produkt.

Faktet e gjetura nga “Tirana Times” tregojnë se shqiptarët konsumojnë peshk të importuar, të cilëve u shitet si i freskët dhe vendas. Në të gjitha dyqanet që tregtojnë peshk, asnjëri prej tyre nuk deklaron peshk nga importi. Etiketat e origjinës mungojnë në çdo rast, por mbi të gjitha mungon data e skadencës.

Nga vjen peshku?

Mbi 1 mijë ton peshk u importua nga Kinë në vitin 2017. Anijes iu desh më shumë dy muaj të mbërritën në Portin e Durrësit, por në doganën shqiptare ai është deklaruar në zërin peshk i freskët ose i ftohtë. Që nënkupton peshk i ruajtur në freski dhe jo ngrirje të thellë. Ligjet ndërkombëtare peshk të freskët ose të ftohtë mund ta konsiderojnë të ngrënshëm vetëm për 12 ditë. Më pas ai skadon. Peshku kinez nuk është sasia e vetme importuar që është konsumuar në Shqipëri. Dokumentet zyrtare që “Tirana Times” mundi të sigurojë, tregojnë se sasia e peshkut që Shqipëria importon është më e madhe se sa sasia e eksportit. Lista e importit kryesohet në vlerë e në peshë nga Spanja, për të vijuar me Kroacinë, Groenlandën, Italinë, Kanadanë, Greqinë. Ndërkohë që në mesin e 49 shteteve përfshihet edhe Kosova dhe Maqedonia, vende që nuk kanë det. 3 ton peshk u importuan edhe nga Kosova.

Sipas të dhënave doganore, gjatë vitin 2017 u importua për konsum të brendshëm rreth 2 247 ton peshk. Në të njëjtin vit, zëri i eksporteve nga prodhimi vendas deklarohet rreth 2 017 ton. Për vitin 2018 sasia e peshkut të freskët ose të ftohtë që kemi marrë nga jashtë është 2 213 ton, ndërsa sasia e eksportuar është 3 048 ton.

Për qeverinë shifrat e larta të eksporti vlerësohen si sukses. Niko Peleshi, kryetari i Komisionit të Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, nga foltorja e Parlamentit u krenua se Shqipëria po eksportonte peshk në Norvegji e Finlandë, e se sipas tij, të dhënat regjistrojnë eksporte me dy shifra. Në seancën parlamentare, ku diskutohej disa ndryshime në Ligjin “Për peshkimin”, që synoi formalizmin e peshkimit artizanal dhe ndalimin e peshkimit të paligjshëm, ish-Ministri i Bujqësisë foli për eksportet. “Në vitin 2017 eksportet e peshkut u rritën me 35% dhe në vitin 2018 u rritën me 25%, ndërsa investimet në industrinë e peshkut llogaritet në 39 milionë euro ku janë të punësuar mbi 3 mijë njerëz”- deklaroi Peleshi.

Kaq optimist nuk janë ekspertët dhe prodhuesit në vend. Ata i thanë “Tirana Times” se ky lloj shkëmbimi tregtar ka bërë që shqiptarët të konsumojnë peshk jashtë standardeve. Sasia e peshkut që ne marrim nga jashtë është shumë herë më e madhe se ajo që prodhojmë në vend. Kjo do të thotë që dy në tre peshq që ne blejmë në dyqan janë të importit. Por ato na shiten si prodhim vendas.

Jashtë standardeve

Muharrem Jazaj ka një jetë që merret me prodhimin e peshkut. Ai menaxhon një fermë në jug të vendit, në Karaburun e tregon se peshkun e prodhuar në rezervatin e tij e shoqëron me certifikatë ku shënohet data e vjeljes dhe e skandencës. Por si për çudi, kur peshku i tij shkon në dyqanet e pakicës humbet gjurmueshmërinë. “Nëse ua kërkojmë këto elemente sigurie dyqaneve, shitësit ngrenë supet”- thotë fermeri. Prodhuesi nga Vlora, z. Jazaj thotë se peshku që hyn në Shqipëri nuk ka as sigurinë dhe as cilësinë e duhur, sidomos peshku që vjen i ngrirë. “Peshku është i ngrirë me vite, dhe jo vetëm që nuk ka vlera ushqyese por përbën rrezik për shëndetin. Dhe për më tepër konsumatori nuk është i mbrojtur nga ky produkt, derisa nuk ekziston ligji për kontrollin e produkteve të detit”- rrëfen Jazaj, i cili ka se ka parë me sytë e tij se peshku i importuar tregtohet si prodhim vendas. “Kam mbetur i zhgënjyer kur kam parë peshk të ardhur nga Turqia, i cili në dyqane shitet me një tabelë ku shkruhet “Peshk Karaburuni”. Kjo është e papranueshme. Dëmton si biznesin, ashtu edhe konsumatorin. Të vetmit që përfitojnë janë tregtarët, sepse peshku i importit vjen me çmim shumë të lirë. Por duke e shitur si peshk Vlore, apo peshk Shëngjini qytetarët e blejnë më çmim shumë më të lartë”-thotë Muharremi.

Fermeri thotë se standardet e BE-së për tregtimin e peshkut zënë fill që rritja e deri tek vjelja e tij. “Pasi lihet 24 orë pa ushqyer peshku duhet vjelur në akull, për të qenë i freskët. Më pas të ruhet në dhoma frigoriferike në -2ºC. Nga momenti i vjeljes, duhet konsumuar brenda 12 ditëve, për t’u konsideruar i freskët”- tregon ai. Këto janë standardet që kërkon BE, thotë Muharremi, të cilat sipas tij, nuk i gjejmë tek peshku që konsumojmë, duke filluar nga mënyra si tregtohet, apo fakti që nuk ka një datë vjeljeje dhe origjine. Të dhënat e Drejtorinë e Doganave rezulton se vendet kryesore prej nga ne importojmë peshk janë; Greqia, Italia, Turqia dhe Kina. Pastaj vijnë vende të tjera të rajonit të Mesdheut por në sasi të pakta. Eksperti i sigurisë ushqimore Dr. Ymer Elezi thotë se ekzistojnë dy ligje, të cilat e rregullojnë tregun e peshkut. Njëri është ligji i peshkimit, i cili rregullon mënyrën e peshkimit dhe të kultivimit të peshkut. Ndërsa si produkt ushqimor peshku mbulohet me ligjin e ushqimit. Dikur, sasia e peshkut e sapo dalë nga varkat certifikohej nga veterinerët e qarqeve. Ndërsa sot i ka kaluar si kompetencë strukturave të AKU-së. Ky ndryshim nuk ka sjellë një situatë më të mirë, pasi dyqanet ku tregtojnë nuk disponojnë certifikatat, të cilat janë kusht i domosdoshëm. Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit refuzuan t’u pergjigjen pyetjeve që “Tirana Times” pati mbi mënyrën e tregtimit dhe etiketimit të prodhimeve të detit. Por në raportin vjetor të AKU-së që gazeta e disponon nuk ka asnjë masë ndëshkuese për tregtarët e peshkut, që nga ata qe e shesin në rrugë e deri tek eksportuesit dhe importuesit e mëdhenj.

Zyrtarisht në vendin tonë janë rreth 200 subjekte të regjistruara në industrinë e peshkimit, por zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë e kanë përshkruar atë si një ndër sektorët më problematikë në vend. “Në ka sektor peshkimi sot, që është jashtë organizimit, jashtë kontrollit, jashtë monitorimit, jashtë kushteve higjieno-sanitare, jashtë çfarëdolloj parametri, ai është peshkimi i vogël bregdetar, duke filluar nga gryka e Bunës në kepin e Stillos.”- tha Arian Palluqi, drejtori i Peshkimit në Ministrinë e Bujqësisë, në janar të vitit 2019, kur qeveria ndërmori hapa në disa ndryshime në ligjin mbi peshkimin. Ndryshimet ligjore nuk prekën hallkën më të dobët të kësaj indisutrie, siç është ai i gjurmimit të prejardhjes apo edhe etiketimit të prodhimit, por qeveria synoi të kontrollojë gjuetinë e paligjshme. Pas ndryshimeve ligjore, kushdo që do të dalë për gjueti brigjeve të deteve apo liqeneve, me mjete lundruese, duhet të regjistrohet dhe organizohet në shoqata në nivel qarku ose edhe më të mëdha.

Skandalit të shkëmbimit të peshkut të ndenjur i bashkohet edhe “helmi i bardhë”

Ka disa vite që shërbimet e specializuara, kryesisht ato amerikane, por edhe partnerët e tyre të BE-së, kanë ngritur shqetësimin se nga eksportet e peshkut shqiptar ka hije të forta dyshimi se në mënyrë të specializuar transportohen të tretur me mënyrë kimio-biologjike edhe drogë. Sigurisht që këtë nuk e bëjnë dot të gjithë, pasi edhe në Shqipëri duhet të kesh suport dhe mbështetje të fortë shtetërore, si për hyrjen nga kalatat e peshkimit në fabrika, por edhe gjatë eksportit në pikat dalëse doganore. Ekspertë shqiptarë të organeve të specializuara, një pjesë e të cilëve kohët e fundit janë larguar nga vendet e punës me pretektsin e reformës, deklarojnë se kanë të dhëna të sigurta për këtë tregti, e cila nëpërmjet prodhimeve të peshkut dhe atyre të konservuara shpërndahet në vendet e BE-së. Këto vende pavarësisht se nuk kanë shumë nevojë për prodhimet e peshkut shqiptar, pasi janë vende të fuqishme bregdetare, dhe nuk kanë ku të çojnë produktet e tyre e jo më të marrin nga Shqipëria. Gjithmonë sipas këtyre ekspertëve, por edhe atyre evropiane dhe amerikane, këta tregtarë të “helmit të bardhë” janë shumë pranë kupolës qeverisëse, dhe veç mbështetjes kanë në dispozicion edhe infrastrukturën, vende të fshehta ku dhe emërojnë e shkarkojnë edhe titullarë të institucioneve të zinxhirit të punëve të tyre të zeza.

Importi i peshkut nga Kina

Mbi 1 ton peshk u importua nga Kina në vitin 2017. Anijes iu desh më shumë dy muaj të mbërritën në Portin e Durrësit, por në doganën shqiptare ai është deklaruar si peshk i freskët ose i ftohtë. Që nënkupton, peshk i ruajtur në freski dhe jo ngrirje të thellë. Ligjet ndërkombëtare, peshkun e freskët ose të ftohtë mund ta konsiderojnë të ngrënshëm vetëm për 12 ditë. Më pas ai skadon

Si dallohet peshku i freskët

“Konsumatorët duhet të zgjedhim peshk që nuk i ka humbur elasticiteti i lëkurës, që luspat i ka me shkëlqim dhe që velëzat të mos i jenë bërë ngjyrë lejla. Peshku nuk duhet të vijë aromë amoniaku, sa më shumë aromë squfuri të ketë aq më shumë i ndenjur është.”

Të rrezikuarit nga konsumi i peshkut jo të sigurtë

Më të rrezikuar nga peshqit e pasigurt janë nënat gjidhënëse dhe gratë shtatzëna, fëmijët nën 6 vjeç dhe personat që vuajnë nga veshkat. Fëmijët që lindin nga nëna, të cilat kanë konsumuar peshk të pasigurt me përmbajtje të mërkurit në të, mund të zhvillohen më ngadalë dhe të kenë probleme gjatë procesit të të mësuarit. Ndërkohë, të rriturit mund të kenë probleme me sistemin nervor dhe me sistemin kardiovaskular

Pasojat tek konsumatorët

Paulo Rrapaj prej 5 vitesh ka një dyqan peshku në rrugën e Kavajës, në Tiranë. Thotë se produkte që tregton i vijnë nga Porti i Vlorës, i Durrësit, i Lezhës dhe Sarandës. Si tregtar i vjetër, Paulo këshillon të tregohemi të kujdesshëm kur blejmë peshk. “Janë të paktë tregtarët që pas dy ditësh të furnizimit e hedhin peshkun jo të freskët”- thotë Rrapaj duke shpjeguar edhe disa veçori të të dallimit të peshkut të freskët. “Konsumatorët duhet të zgjedhim peshk që nuk i ka humbur elasticiteti i lëkurës, që luspat i ka me shkëlqim dhe që velëzat të mos i jenë bërë ngjyrë lejla. Peshku nuk duhet të vijë aromë amoniaku, sa më shumë aromë squfuri të ketë aq më shumë i ndenjur është.”- sqaron tregtari. Ekspertët thonë se konsumimi i peshkut jo të freskët ka pasoja të rënda në shëndetin tonë. Kristaq Sini, pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës, thotë se me peshkun ndodh e njëjta gjë si me çdo produkt që kalon afatin e përdorimit, por shkalla e alterimit (prishjes) është më e shpejtë, madje edhe më e shpejt se e mishit. “Kjo sjell pasoja në shëndetin tonë duke filluar që nga helmimet edhe shqetësimet gasto-enterite. Duhet të rriten kontrollet të peshqve që konsumojmë, pasi kanë përmbajtje antibiotike dhe pjesë hormonale. Kjo ndikon keq në shëndetin e njeriut, duke rritur kolesterolin por edhe rezistencën ndaj antibiotikëve”- thotë eksperti i sigurisë ushqimore. Neutricionistja Diola Dosti Baftiu thotë se tek peshqit që konsumojmë gjendet mërkuri, një mineral që ekziston natyrshëm në mjedis. Bakteret dhe proceset natyrale e transformojnë mërkurin në përbërës organikë që quhen metil mërkur, një substancë toksike. “Më të rrezikuar nga peshqit e pasigurt janë nënat gji dhënëse dhe gratë shtatzëna, fëmijët nën 6 vjeç dhe personat që vuajnë nga veshkat. Metil mërkuri mund të kalojë lehtësisht placentën dhe grumbullohet në gjak dhe indet që formojnë fetusin. Mund të kalojë dhe në qumështin e nënës dhe sistemi nervor i një fëmije absorbon më shumë metil mërkur se sa i një të rrituri.”- thotë Baftiu sipas së cilës pasojat janë shumë të rënda. “Fëmijët që lindin nga nëna të cilat kanë konsumuar peshk të pasigurt me përmbajtje të mërkurit në të, mund të zhvillohen më ngadalë dhe të kenë probleme gjatë procesit të të mësuarit. Ndërkohë, të rriturit mund të kenë probleme me sistemin nervor dhe me sistemin kardiovaskular. PCBs (polychlorinated biphenyls) tek peshqit e pasigurt, mund të ndikojnë në gjakun e njerëzve, në mëlçi dhe në funksionet imune” – përfundoi Neutricionistja, sipas së cilës në Shqipëri konsumohet 4-5 kg peshk në vit, ndërsa në vendet e Bashkimit Europian 30-35 kg. Nga Elton Kikia