Major Tanushi vdiq një ditë para ditëlindjes së të birit, djali i vogël: ‘Doja një tortë me qiri të lutesha për babain’

818
Sigal

Një mik i majorit Klodian Tanushi, i cili u nda nga jeta një natë më parë ka ndarë një moment mjaft prekës me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, teksa ka takuar të birin e Majorit.

Personi në fjalë me emrin Besnik Daci shkruan në një status në Facebook se miku i tij Major është ndarë nga jeta një ditë para ditëlindjes së të birit.

Krejt rastësisht, ai tregon se ka dëgjuar të voglin e Tanushit, Serxhon që kishte thënë se sot donte të fikte qirinjtë e tortës për t’u lutur për të atin, por kjo gjë tashmë ka mbetur vetëm një dëshirë.“U ndave përgjithmonë nga ne Klodi, sa keq që nuk arrite të urosh as Serxhon sot në ditën e lindjes së tij.

Me habi e dëgjova kur më tha e doja tortën sot të fikja qirinjtë për t’u lutur për babin…U prefsh në paqe i dashur Klodi, Lamtumirë”, shkruan Daci.

Gjatë një stërvitjeje ushtarake më 6 maj, Majori Klodian Tanushi u plagos së bashku me nëntetarin Julian Kapaj prej shpërthimit të një mine, kurse nëntetarja Zarife Hasanaj humbi jetën në vend.

Prej katër ditësh, major Tanushi luftonte me vdekjen në spital pasi ndodhej në gjendje të rëndë. Fatkeqësisht ai nuk mundi që t’i mbijetonte plagëve të marra, duke humbur jetën një natë më parë.

Tashmë pritet që trupi i tij të vijë në Shqipëri, ku edhe do të mbahet ceremonia e nderimit. Më pas major Tanushi do të përcillet për në banesën e fundit “Varrezat e Dëshmorëve.”