Llotaria, ja përgjigjet e ambasadës amerikane

6499
Sigal

Konsullata  e SHBA  sqaron  të gjithë aplikuesit e   Lotarisë, si dhe u përgjigjet të gjitha pyetjeve të bëra nga të interesuarit për: Plotësimin e formularit, intervistën, si veprohet  kur je  martuar pas aplikimit,  për fëmijët me moshë madhore,  personat jofitues, bashkimin familjar dhe  lindjen e fëmijëve në SHBA

Pyetje: Do doja të dija nëse mund të lind fëmijën në Amerikë a penalizohem? Sepse kam dëgjuar që të vënë. të paguash një taksë ?? A janë të vërteta këto dhe si funksionon?

Përgjigje: Ju falënderojmë që shtruat këtë pyetje kaq të rëndësishme. Mendoj që gjëja më e rëndësishme këtu është transparenca. Ka të bëjë me ju si aplikante që të jeni transparente dhe e hapur me oficerin që ju merr në intervistë. Siç e shikoni, nuk ka ligj specifik që të ndalojë të huajt që të udhëtojnë në SHBA për të lindur, apo për të kërkuar trajtim mjekësor. Hapi i parë i rëndësishëm në intervistën tuaj është të thoni të vërtetën rreth qëllimit të vizitës suaj në SHBA dhe të tregoni se si ju keni planifikuar të paguani për shpenzimet e lindjes apo të trajtimit mjekësor, apo se përse ju nuk mundeni ta kryeni një procedurë specifike (si p.sh. lindjen) në Shqipëri apo në vendin tuaj të lindjes. Edhe pse kjo nuk garanton lëshimin e vizës, ajo fillon me diskutimin korrekt dhe të ndershëm me oficerin intervistues. Aplikantët përpiqen të futen në telashe kur ata keqprezantojnë qëllimin e tyre të udhëtimit, p.sh.: Duke i thënë oficerit intervistues që ata kanë ndërmend të vizitojnë një të afërm në SHBA, kur në fakt ata duan të shkojnë për të lindur në SHBA. Dhe, si për të gjitha vizat për turizëm apo trajtim mjekësor, ju duhet të demonstroni lidhje të mjaftueshme me Shqipërinë apo një rezidencë jashtë SHBA-së. Kjo ishte një pyetje me vend. Shpresoj që kjo përgjigje të ndihmojë.

Pyetje: Unë jam një fituese e lotarisë dhe jam duke plotësuar formularin dv-260. Kur kam aplikuar kam qenë beqare dhe jam martuar në shkurt. Tek formulari më kërkon certifikatën e e martesës për të shtuar bashkëshortin. Certifikata duhet me vulën apostile apo vulë nga ministria e jashtme?

Përgjigje: Jo nuk ka nevojë, mjafton certifikata e martesës.

Pyetje: Unë në fakt kam aplikuar, por fletën e aplikimit e kam lënë në Shqipëri. Si i bëhet për ta verifikuar, nëse jam apo jo e përzgjedhur? Faleminderit për kohën tuaj. Respekt

Përgjigje: Hyni tek dvlottery.state.gov/esc, dhe poshtë Confirmation Number ka një link ku citon “Forgot Confirmation Number”. Klikoni tek ajo dhe plotësoni fushat e kërkuara. Nëse të dhënat që po vendosni tani përputhen me ato që keni dhënë kur u regjistruat për lotarinë, përfshirë edhe adresën e e-mailit, atëherë do ju gjenerohet një kod i ri konfirmimi. Shikoni gjithashtu se mos ngatërroni o (shkronjën o) me 0 (numri 0). Nëse përsëri ju po hasni vështirësi, ju mund të kontaktoni KCC tek [email protected]. Suksese!

 

Pyetje: Do të doja të dija nëse konkretisht ka pasur raste që njerëz të tjerë e kanë fituar lotarinë pas ditës së parë të publikimt dhe a mund të ndodhë edhe këtë herë e njëjta gjë, që ne mund të fitojmë në muajt apo ditët në vijim. Shumë faleminderit! Do të doja një përgjigje sa më konkrete.

 

Përgjigje: Tek udhëzimet e lotarisë, që i gjeni tek https://al.usembassy.gov/…/immigrant…/diversity-visa-sq/, citohet që ju duhet ta kontrolloni statusin tuaj nga 15 maji 2018 deri më 30 shtator 2019. Kontrolli i Statusit të tё Regjistruarit do të jetë e vetmja mënyrë informimi mbi përzgjedhjen tuaj për Lotarinë DV-2019, duke ju dhënë udhëzime se si të vazhdoni më tej me aplikimin tuaj dhe duke ju njoftuar mbi takimin për vizë emigrimi. Nëse rezultoni të përzgjedhur, ju duhet të vazhdoni me plotësimin e formularit DS-260.

 

Pyetje : Më falni që po ua bëj përsëri pyetjen, a ka ndodhur më parë të fitojë dikush pas ditës së parë të aplikmit?

Përgjigje; Po, ka ndodhur para dy vitesh.

 

Pyetje: Doja t’ju pyesja a do ketë lotari për vitin tjetër edhe si mund të aplikoj unë nga jashtë vendit, Faleminderit!

Përgjigje: Monitoroni faqen e internetit në fillim të tetorit. Duke qenë online, ti mund të aplikosh kudo që ndodhesh.

Pyetje: Unë jam fitues i lotarisë me nr 29400, deri në çfarë date kam kohë të plotësoj DS 260????

Përgjigje: Sipas udhëzimeve që jep Qendra Konsullore Kentucky, e cila është edhe përgjegjëse për caktimin e datave të intervistave, ju duhet ta plotësoni formularin DS-260 menjëherë sapo të keni marrë vesh që jeni përzgjedhur. Plotësimi me vonesë i formularit DS-260 çon në caktimin me vonesë të datës së intervistës.

Pyetje: Unë nuk jam përzgjedhur po a do të ketë përgjigje të dyta këtë vit duke parë ecurinë e përgjigjeve?

Përgjigje: Tek udhëzimet e lotarisë, që i gjeni tek https://al.usembassy.gov/…/immigrant…/diversity-visa-sq/, citohet që ju duhet ta kontrolloni statusin tuaj nga 15 maji 2018 deri më 30 shtator 2019. Kontrolli i Statusit të tё Regjistruarit do të jetë e vetmja mënyrë informimi mbi përzgjedhjen tuaj për Lotarinë DV-2019, duke ju dhënë udhëzime se si të vazhdoni më tej me aplikimin tuaj dhe duke ju njoftuar mbi takimin për vizë emigrimi. Nëse rezultoni të përzgjedhur, ju duhet të vazhdoni me plotësimin e formularit DS-260.

 

Pyetje: Po ne të përzgjedhurit e Dv 2018 që nuk po na vjen akoma intervista, përse jemi përzgjedhur?

Përgjigje: Ne nuk mund të parashikojmë ecurinë e numrave, pasi kjo ecuri përcaktohet nga Departamenti i Shtetit. Ju duhet të ndiqni Buletinin e vizave për të parë se kur numri juaj bëhet gati për shqyrtim. Buletini i vizave ndryshon çdo muaj dhe e gjeni këtu: https://travel.state.gov/…/en/laë-and-policy/bulletin.html
Programi i DV-2018 mbyllet më 30 Shtator 2018. Rregullorja e Lotarisë citon që në momentin kur janë lëshuar 50,000 numra vizash lotarie, programi i lotarisë mbyllet dhe nuk mund të lëshohen më viza të tjera për atë vit. Kjo do të thotë që programi mund të mbyllet edhe përpara 30 shtatorit, nëse janë lëshuar të gjithë numrat e mundshëm (50,000). Ditë të mbarë!.

Pyetje: Ama sipas ecurisë 2018 nuk do e plotësoj 50000 në tërë botën dhe ndërkohë gjysma e Evropës do ngelet pa intervista, mendoni se do ndodhë kjo?

 

Përgjigje: Krejt e kundërta. Kjo ecuri e ngadaltë tregon që ka pasur lëshim vizash. Që do të thotë: personi me numrin 0001, i cili e zëmë se është 5 persona, iu lëshua viza, mbeten 49,995 viza; personi 0002, i cili është 5 persona në familje, iu lëshua viza, mbeten 49,990 viza e kështu me radhë.

Pyetje: Të lutem a mund të më thuash, po ato që nuk janë zgjedhur a ka shans që të përzgjidhen në ditët/muajt në vazhdim? Flm paraprakisht.

Përgjigje: Ju duhet ta kontrolloni statusin e regjistrimit çdo muaj deri në Shtator. Ditë të mbarë.

Pyetje: Në vitin 2016 kemi fituar lotarinë amerikane. Kam një problem- në këtë vit vajza ka qenë mbi 21 vjeçe dhe nuk ka përfituar. Ajo është pjesë e trungut tim familjar pasi akoma është me status -beqare. A mund të përfitoj vajza nga akti i mbrojtjes së statusit të fëmijës CSPA dhe të plotësojmë edhe ne formularin për të marr vajzën për të jetuar në Amerikë. Këtë fakt sapo e lexova në një nga komentet tuaja, pasi neve nuk na është thënë asnjëherë për plotësimin e një formulari të tillë. Faleminderit për bashkëpunimin tuaj.

 

Përgjigje: Kini parasysh që programi i lotarisë DV 2017 është mbyllur me 30 shtator 2017 dhe nuk mund të lëshohen viza te atij programi përtej asaj date. Pavarësisht kësaj, vajza juaj nuk do të gjendej e kualifikuar sipas formulës së CSPA-se. tek lotaria, shumë pak muaj mund të përfitohen nga mosha reale e fëmijës, sipas formulës së CSPA-se. E vetmja mundësi për vajzën është që ju t’i bëni peticionin I-130 me USCIS në kategorinë F2B, parashikuar që vajza nuk celebrohet gjatë kohës së pritjes.

Pyetje: Unë që e kam mbaruar gjimnazin part-time, por më mbas kam kryer edhe studimet universitare përfshirë edhe master. A mund të më penalizojë ky fakt?? Jam një nga të përzgjedhurit për vitin 2018-2019 dhe dua të jem i informuar më së miri mbi këtë proces. Nëse mund të na thoni se cilat janë edhe dokumentet kryesore të cilat unë duhet të filloj që t’i plotësoj. Faleminderit!

Përgjigje: Kur studimet janë ndjekur në mënyrë të rregullt dhe dokumentacioni është i certifikuar nga institucionet arsimore universitare shqiptare, atëherë nuk paraqet problem. Për informacionet e nevojshme në përmbushjen e dokumenteve kryesore ju duhet të konsultoheni me faqen tonë https://al.usembassy.gov/…/immigrant…/diversity-visa-sq/,

Pyetje: Unë jam në proces të bashkimit familjar me babain, jam nëntor 2006….në qoftë se më del lotaria cilën rrugë më sugjeroni ju? Të vazhdoj të pres bashkimin familjar, DV lotarinë apo të dyja njëkohësisht??

Përgjigje: Cilado qoftë me e shpejtë për ju.

Pyetje: Vëllai im ka aplikuar dhe është i përzgjedhur. Në momentin e aplikimit ka qenë i fejuar por i pa celebruar, dhe ka aplikuar i vetëm. Celebrimin e martesës kanë vendosur ta bëjnë gjatë muajit korrik. A i penalizon kjo gjë? Si duhet të veprojë?

Përgjigje: Është e rëndësishme që lidhja të jetë e vërtetë dhe jo për arsye imigracioni. Ai duhet të plotësoje DS-260 dhe pasi bën celebrimin të njoftojë [email protected] për ndryshimin e statusit civil.