Kushtet që nuk ndryshojnë për pensionet gjatë vitit 2019

1845
Sigal

Kushtet e daljes në pension për minatorët, ish-të dënuarit politikë, ushtarakët, pedagogët, invalidët dhe emigrantët

Dokumentet e nevojshme për marrjen e pensionit dhe llojet e pensioneve të posaçme

Vijon nga numri i kaluar

-Minatorët do të vazhdojnë të dalin në pension të plotë kur plotësojnë moshën 55 vjeç, kanë 30 vjet punë të siguruara gjithsej në vendin tonë nga mosha 16 vjeç përfshirë dhe periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, kohën e paguar me asistencë, raporte mjekësore, pension të plotë e të pjesshëm invaliditeti, e nga këto 12,5 vjet të kenë punuar në miniera në nëntokë, ndërsa ata që kanë përfituar trajtim të veçantë sipas ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, do të dalin në pension të plotë 55 vjeç, kur kanë 30 vjet punë gjithsej të siguruara në vendin tonë nga mosha 16 vjeç dhe nga këto 11,5 vjet në miniera në nëntokë. Në rastet kur minatorët e nëntokës e plotësojnë moshën 55 vjeç por kanë më pak se 30 vjet punë të siguruara mund të bëjnë sigurime vullnetare ose si i vetëpunësuar në bujqësi, kur kanë tokë. Ndërsa kur nuk plotësojnë kushtet e mësipërme të punës në miniera në nëntokë nuk mund të bëjnë sigurime vullnetare, por duhet për diferencë të punojnë të siguruar në miniera në nëntokë, ndryshe do të dalin në pension 65 vjeç.

-Sipas ligjit nr.24/2018, datë 10.05.2018 botuar në fletoren zyrtare 79,”Koha e vuajtjes së dënimit të ish të dënuarve politikë në burgjet ku punohej në minierë në nëntokë, për efekt pensioni,  njihet si punë e kryer në minierë në nëntokë, sa dyfishi i periudhës së qëndrimit në këto burgje. Paga llogaritet sa paga e punës në minierë në nëntokë, sipas legjislacionit përkatës. Vërtetimi për kohën e vuajtjes së dënimit në burgjet ku punohen në minierë në nëntokë lëshohet nga Ministria e Brendshme, pas konfirmimit nga Ministria e Drejtësisë”. Ky ligj ka ngarkuar Institutin e Sigurimeve shoqërore për zbatimin e tij.

-Në zbatim të vendimit të Qeverisë nr.793, datë 24.09.2010,ushtarakëve të shërbimit aktiv të përhershëm, për kohën e pjesëmarrjes në operacionet luftarake brenda e jashtë vendit, të “Batalionit special Komando”, ushtarakët e shërbimit të përhershëm në repartet e Aviacionit, ushtarakët e shërbimit në Forcat Detare, ushtarakët që punojnë në laboratorët e kimisë të ushtrisë me lëndë helmuese luftarake dhe në vende pune me rrezatim radioaktiv, punonjësit aktiv të policisë në funksionet organike të strukturave të reparteve speciale të ndërhyrjes së shpejtë, të grupit të helikopterëve, punonjësit e shërbimit aktiv të gardës të ruajtjes të: Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Prokurorit të Përgjithshëm, punonjësit aktiv të shërbimit informativ të Krimit të Organizuar dhe Antiterrorit, llogaritja e shërbimit për efekte pensionit do të vazhdojë tu njihet, një vit punë me 1,5 fish për efekte pensioni si në vitin 2018.

-Bazuar në ligjin e arsimit të lartë pedagogët me titullin shkencor “Profesor i asociuar” dalin në pension 65 vjeç dhe me titullin shkencor “Profesor” 68 vjeç pavarësisht nga gjinia. Ata me kërkesën e institucionit mund të vazhdojnë të punojnë edhe mbas moshës së pensionit me kontratë pune të rinovueshme. Profesorët me titullin shkencor “Akademik” do të dalin në pension 75 vjeç femra dhe meshkuj.

-Minimumi i viteve të punës të siguruara në Shqipëri për pension përfshirë dhe personat që banojnë në emigracion mbetet 15 vjet pavarësisht nga gjinia. Personat që nuk e plotësojnë këtë kusht përfitojnë pension social në moshën 70 vjeç nëse 5 vitet e fundit kanë qenë me banim në vendin tonë. Aktualisht pensioni social është 7.262 lekë në muaj dhe shtohet sa herë rriten pensionet me vendim Qeverie.

-Mbas daljes në pension, kryefamiljari ka të drejtë të kërkojë kompensim të energjisë elektrike sipas vendimit të Qeverisë nr.8, datë 14.1.2005,(me ndryshimet e mëvonshme) duke aplikuar në agjencinë e sigurimeve shoqërore ku ka dorëzuar dokumentet për pension.

Gjithashtu nuk ndryshojnë:

-Kushtet për të përfituar pensione të reduktuara, të invaliditetit, të pjesshëm, familjare, ushqimore dhe të pensioneve të nënave me shumë fëmijë.

-Kushtet për njohjen e periudhave të siguruara për personat e dënuar për motive politike me heqje të lirisë dhe internimeve dhe dëbimeve politike, sipas ligjit nr.7514, datë 30.9.1991.

-Pensionet e posaçme, suplementare të punonjësve që kryejnë funksione kushtetuese e të punonjësve të shtetit, sipas ligjit nr.8097, datë 21.3.1996 dhe ndryshimeve të mëvonshme.

-Kushtet për të përfituar pagesën e papunësisë e cila njihet vjetërsi në punë për pension.

-Njohja e periudhave të punës për gratë që ndërpresin punën për shkak se, shoqërojë bashkëshortët kur shkojnë jashtë vendit me detyra funksionale diplomatike si dhe gratë e ushtarakëve që kanë ndërprerë punën mbasi kanë shoqëruar burrat e tyre në rrethe apo qytete të tjera dhe atje kanë qëndruar pa punë, sipas vendimeve përkatëse të Qeverisë.

-Shtesa e pensionit prej 0,5% për çdo muaj kur personi vazhdon punën  mbasi plotëson kushtet për pension të plotë dhe paguan kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

– Nuk ndryshojnë dokumentet që duhen plotësuar për pensione, afatet e dorëzimit në sigurimet shoqërore, periudha kohore që duhet të caktohet pensioni dhe pajisja e detyrueshme e çdo pensionisti me librezë pensioni e pasqyrën e llogaritjes sipas nenit 62/1 të ligjit të sigurimeve shoqërore që i bashkëngjitet librezës.

-Personat të cilët dëshirojnë të marrin pension më të lartë se pensioni shtetëror mund t’i drejtohen institucioneve private të sigurimeve të licencuara dhe mbasi të njihen me kushtet, nëse u intereson të kontraktojnë, të paguajnë kontribute për të marrë pensionin që duan.

-Mënyra e llogaritjes së pensionit e ankimimet kur pensionistët nuk janë dakord me shumën e pensionit, vitet e punës të siguruara, datën e fillimit të pagesës, etj.