Kujdes me qentë e rrugës, mund të jenë të infektuar nga ekinokoku

2259
Sigal

Këshilla nga mjeku veteriner dr. Shpëtim Agolli, ja masat parandaluese

Nga Vepror Hasani

Ashtu si në çdo fillim pranvere edhe këtë vit lukunia e qenve nuk ka munguar të pushtojë të rrugët dhe parqet e qytetit të Korçës. Prania e shumtë e tyre dhe sëmundjet që mbartin rrezikojnë jetën e banorëve. Deri më tani eliminimi i qenve përmes vrasjeve ka treguar se nuk është mënyra më e mirë, pasi nuk ka dhënë asnjë rezultat në pakësimin e numrit e tyre. Rreziku më i madh që vjen nga këto kafshë është sëmundja ekinokokozës. Ja cilat janë disa nga këshillat që duhen ndjekur, thotë mjeku veteriner dr. Shpëtim Agolli:

Përhapja e sëmundjes

Qentë parazitmbartës të kësaj sëmundjeje, gjatë defekimit të pakontrolluar, lëshojnë vezët që kontaminojë (molepsin) ambientin deri dhe kopshte, sera me perime, pemëtari, agrume. Ushqimet që rrjedhin prej tyre përmbajnë sasi vezësh, që nga pakujdesia dhe nënvlerësimi për t’i shpëlarë me ujë të bollshëm, bëhemi “pre” e kësaj sëmundjeje. Burimi i përhapjes së saj janë dhe ujë i ndotur me feçet e derdhura nga mishngrënësit parazitmbartës. Jo më pak me rëndësi për përhapjen e sëmundjes është dhe era. Vezët e parazitit kanë peshë specifike të ulët dhe me anën e erës shpërndahen deri në disa kilometra, duke ndotur tokën, ujin, ajrin dhe ushqimet. Rol të rëndësishëm në kontaminimin e njeriut me shkaktarin e sëmundjes është bashkëjetesa e tij me këto kafshë të pa dehelmentizuara të mjekuara kundër ekinokokut. Mënyra më e zakonshme e prekjes së njeriut është kontakti i tij me qenin, siç dihet kjo kafshë e ka refleks të lëpihet prapa (anusin). Duke qenë parazitmbartës gjatë defekimit krahas derdhjes së vezëve në ambientin e jashtëm shkaktojnë dhe përlyerje të pjesëve të prapme të trupit (rreth anusit) gjatë lëpirjes së këtyre pjesëve kontaminon pjesën e fytyrës. Me përkëdheljet që i bëjnë pjesëtarët e familjes marrin me duar shumicën e vezëve, e bëhen burim horizontal investimi dhe “pre” e invazionit antropozonik”.

Burimi i infeksionit

“Burim i fuqishëm kontaminimi, tha më tej Agolli, janë mishi dhe organet e brendshme të kafshëve barngrënëse. Ato janë mundësi kontaminimi e kasapëve dhe konsumatorit. Agolli shpjegoi gjithashtu se çfarë pasojash ka kjo sëmundje te organizimi i njeriut. Sipas tij: Zhvillimi i sëmundjes tek njeriu dhe kafshët barngrënëse nëpërmjet mënyrave që argumentuam më lart, vezët e parazitëve me rrugë orale shkojnë në aparatin tretës. Me anën e rrymës së gjakut lokalizohen në organe specifike. Mëlçia është organi kryesor që preket (75-80%) e lidhur me rrjetin vazal hematogjen venoz që shkon direkt nga zorrët. Në rrugë hematogjene mund të lokalizohen dhe në mushkri, zorrë, dhe në tru ku zhvillojnë jetën parazitare.

Parandalimi i rrezikut

Sipas mjekut veteriner, Agolli, sugjerohet mbajtja e kafshëve të shoqërimit të kontrolluara nga mjekët veterinerë. Kjo realizohet duke bërë mjekime profilaktike për këto antropozonoza të rrezikshme çdo tre muaj. Eliminimi ose përqendrimi dhe mbikëqyrja e gjithë qenve të pakontrolluar si burim i mundshëm sëmundjeje është hallkë e këputjes së zinxhirit biologjik për pasojë dhe frenimin e kësaj parazitoze. Thertoreve dhe pikave të thertoreve u sugjerohet që mishi dhe organet e brendshme të kontrollohen e të vlerësohen nga ekspertiza veterinare para përpunimit të mëtejshëm deri te konsumatori. Organet e brendshme të prekura nga kjo sëmundje, konfiskohen duke u groposur thellë në tokë për të mos u ngrënë nga qentë dhe mishngrënësit e tjerë. Këto procedura sjellin shkëputjen e zinxhirit në ciklin biologjik të sëmundjes dhe për pasojë shëndetësimin dhe uljes së prekshmërisë së konsumatorëve. Konsumatorët duhet të kenë parasysh blerjen e mishit nga dyqane të kontrolluara, garantuara dhe certifikuar nga shërbimi veterinar. Larjen e herëpashershme të duarve para konsumimit të ushqimeve e pas përkëdheljes së kafshëve të shoqërimit si dhe larje e frutave, agrumeve perimeve para konsumit me ujë të bollshëm, janë të domosdoshme.