Ku dhe si mund të aplikoni për bursë jashtë vendit

1720
Sigal

Vendet kryesore që ofrojnë bursë dhe dokumentet që duhet të dorëzoni për të aplikuar. Afatet dhe procedurat

Të gjithë ata që kanë marrë një diplomë Bachelor dhe dëshirojnë të vijojnë master jashtë shtetit, kanë një variacion mundësish për të përzgjedhur për të përfituar bursë. Ja një listë e vendeve kryesore që ofrojnë bursa studimesh dhe mënyrat e aplikimit në to. Studentët shqiptarë që kanë dëshirë të vazhdojnë studimet pasuniversitare në një vend të Bashkimit Evropian apo edhe më gjerë, mund të aplikojnë nëpërmjet bursave që këto shtete akordojnë posaçërisht për Shqipërinë. Ne kemi grumbulluar dhe po listojmë të gjitha shtetet që kanë marrëveshje me Shqipërinë dhe që ofrojnë çdo vit një numër të caktuar bursash në fusha të ndryshme.

Brittish Council
Edhe këtë vit Brittish Council ka nisur të pranojë aplikimet e të diplomuarve shqiptarë që dëshirojnë të vijojnë studimet e tyre në Britaninë e Madhe, nëpërmjet bursave “Cheavning”. Aplikimet për këto bursa bëhen në faqen zyrtare të institucionit shtetëror britanik www.britishcouncil.org/albania.htm. Në këtë faqe aplikantët mund të grumbullojnë informacion për bursën dhe për dokumentet e aplikimit. Çdo vit, Brittish Council ofron një numër të kufizuar bursash për të diplomuarit shqiptarë, të cilët dëshirojnë të vijojnë studimet master dhe doktoraturë në universitetet më të mëdha britanike. Bursa “Cheavning” cilësohet si një ndër më prestigjiozet në botë dhe mbajtësit e saj vijojnë studimet në universitetet më me emër të Mbretërisë së Bashkuar.
Rusi
Qeveria ruse, në bazë të marrëveshjes dypalëshe të bashkëpunimit në fushën e arsimit, ofron çdo vit 20 (njëzet) bursa studimi për në universitetet publike të Federatës Ruse. Nga këto bursa studimi, 15 prej tyre do të jenë për studime universitare dhe pesë për studime pasuniversitare. Masa e bursës parashikon vetëm tarifën e shkollimit, që do të thotë se studentët duhet të paguajnë vetë shpenzimet e ushqimit (të cilat shkojnë deri në 200 USD në muaj) dhe siguracionin shëndetësor në shumën deri në 200 USD në vit. Ndërkohë, për realizimin e programit të studimeve, të gjithë studentët që nuk dinë gjuhën ruse, duhet t’i nënshtrohen vitit përgatitor të gjuhës, i cili fillon në shtator të vitit përkatës.
Kinë
Marrëveshja e bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Kinës në fushën e arsimit është nënshkruar më 13 shtator 2004 në Pekin. Sipas kësaj marrëveshjeje, çdo vit në universitetet shtetërore të Kinës studiojnë 6 të rinj shqiptarë dhe 6 studentë kinezë fitojnë një bursë studimi në Shqipëri. Për studentët shqiptarë, fushat e studimit për në universitetet kineze mund të jenë të ndryshme, ndërsa në përgjithësi të rinjtë kinezë preferojnë të studiojnë gjuhën shqipe në universitetet tona. Në bazë të marrëveshjes, pala dërguese përballon shpenzimet e udhëtimit ndërkombëtar vajtje-ardhje, ndërsa pala pritëse do të mbulojë shpenzimet e shkollimit, akomodimit dhe ushqimit, duke përfshirë edhe shpenzimet për shërbimet mjekësore.
Greqi
Greqia është një ndër vendet më “bujare” për sa u përket bursave, duke i dhënë Shqipërisë së paku 15 bursa në vit. Vitin e kaluar, Ministria e Arsimit e Greqisë akordoi 18 bursa për të gjithë ata kandidatë të interesuar, të cilët janë nën moshën 35 vjeç dhe nuk kanë përfituar bursë më përpara nga Ministria e Arsimit e Greqisë. Kështu, të gjithë ata kandidatë, të cilët dëshirojnë të jenë përfitues të këtyre bursave, përveç kushtit të të qenit nën 35 vjeç, si dhe të mos kenë përfituar bursë më parë nga kjo ministri, ka edhe disa kushte të tjera. Një nga kushtet kryesore, të cilin kandidati duhet të përmbushë për të përfituar bursën është që kandidatët duhet të kenë bërë një fletë-kërkesë drejtuar një universiteti në shtetin grek dhe pas marrjes në konsideratë të kërkesës së tyre nga ky i fundit, të kenë një ftesë pranimi nga një universitet në Greqi.

Kërkesat
Më poshtë është e renditur lista e kërkesave që do të plotësojnë dosjen tuaj për të aplikuar. Shtete të ndryshme kanë kërkesa të ndryshme, të gjitha të përfshira në këtë listë:
1. Kërkesën e të interesuarit, duke specifikuar fushën e studimit në të cilën aplikanti dëshiron të studiojë;
2. Diplomën e shkollës së lartë, fotokopjen e noterizuar;
3. Listën e notave, fotokopjen e noterizuar;
4. Dy rekomandime;
5. Programin e studimit;
6. Raportin mjekësor për aftësi studimesh;
7. Raportin mjekësor që vërteton se kandidati nuk ka kaluar ndonjë sëmundje ngjitëse të AIDS-it ose të Hepatitit C;
8. Certifikatën e lindjes me fotografi;
9. 3 fotografi
10. Listën e artikujve shkencorë të botuar (nëse ka të tilla) ose një përshkrim të shkurtër të temës së studimit të ardhshëm.
11. Formulari i aplikimit që gjendet online.