Kryeministri merr në dorë, Kadastrën e pronave

1316
Sigal

Shkrihen entet publike të pronave, krijohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës në varësi të Kryeministrit

Ligji i ri për të monopolizuar titujt e pronësisë, Kryeministri merr në dorë Kadastrën e pronave

Agjencia e Legalizimeve, ajo e Kompensimit të ish-Pronarëve dhe ajo e Hipotekave do të shkrihen për të funksionuar në një njësi të vetme, në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, një institucion që do të jetë në varësi direkt të Kryeministrit, sipas një projektligji të ri që tani është në fazën e diskutimit me grupet e interesit. Projektligji i ri përcakton rregullat për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si institucioni shtetëror përgjegjës për administrimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme, si dhe për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë (Ligjërimi i ndërtimeve pa leje, proceset e lidhura me tokën bujqësore, trajtimin e pronës dhe inventarizimin e pronave shtetërore) të trajtuara me ligj të posaçëm. Gjithashtu projektligji i ri për kadastrën synon të përmirësojë kuadrin ligjor për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, duke parashikuar norma të reja ligjore për mënyrën e administrimit të regjistrit publik të këtyre pasurive, pasqyrimin e të drejtave dhe detyrimeve që rëndojnë mbi pasuritë e paluajtshme, si dhe përmirësim-përditësimin e të dhënave të regjistrit për të korrigjuar pasaktësitë gabimet materiale të mbartura në të gjatë tre dekadave të fundit. Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, objektivi final i kësaj nisme është garantimi i sigurisë në marrëdhëniet juridike të pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, duke sjellë si pasojë zgjidhjen e efekteve negative, ekonomike dhe sociale që kanë shoqëruar këtë fushë të së drejtës dhe të veprimtarisë shtetërore. Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të ketë Drejtorinë e Përgjithshme në Tiranë dhe drejtori e zyra varësie në nivel vendor, teksa organizimi dhe numri i strukturave të varësisë përcaktohen nga Kryeministri me propozim të Këshillit Drejtues. Organet drejtuese të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës janë Këshilli Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit Drejtues. Këshilli Drejtues do të ketë gjithsej 7 anëtarë, një prej të cilëve është Drejtori i Përgjithshëm. Anëtarët duhet të kenë formim profesional të fushave të inxhinierisë, gjeodezisë, drejtësisë, ekonomisë, ose administrimit publik, si dhe përvojë pune të paktën 5 vjet në organet e administratës shtetërore. Anëtarët e tjerë të Këshillit Drejtues, nuk janë funksionarë me kohë të plotë dhe zgjidhen përkatësisht si përfaqësues nga:

  1. a) Ministri i së Drejtësisë;
  2. b) Ministrisë i Financave;
  3. c) Ministri përgjegjës për bujqësinë;

ç) Ministri përgjegjëse për zhvillimin urban;

  1. d) Kabineti i Kryeministrit;
  2. dh) Autoriteti shtetëror përgjegjës për informacionin gjeo-hapësinor.

Agjencia përgatit dhe i paraqet Kryeministrit projektvendimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e Hartës së Vlerës së Tokës”, që përmban çmimet e referencës së tokës ne Republikën e Shqipërisë. Metodologjia e llogaritjes së këtyre çmimeve përcaktohet me VKM. Gjithashtu agjencia ushtron drejtpërdrejt kompetencat që burojnë nga ligji nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të ish-pronarëve”. Drejtoritë vendore të Agjencisë administrojnë kadastrën e zonës/zonave të regjistrimit në kompetencë të tyre, si dhe janë përgjegjëse për zbatimin e procedurave për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.