Kreu i shoqatës të personave të paaftë/ Abusrditeti i Tatimeve të Korçës; i kërkon pensionistit invalid të paguajë sigurime në kundërshtim me ligjin

591
Sigal

Çmendet Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë. I kërkon pensionistit invalid të paguajë për sigurimet shoqërore!

 

 Nga Maksim Rushi – Kryetari Kombëtar i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë

 

Unë, Maksim Rushi, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë nuk mund t’i vë dot asnjë emër tjetër shkresës që me erdhi nga Drejtoria Rajonale Tatimore e Korçës, firmosur nga drejtori i saj, Juxhin Saro, përveçse “çmenduri” dhe asgjë më shumë, pasi shkresa në fjalë më kërkonte mua, person me pension invaliditeti, të paguaja sa më parë kontributin për sigurimet shoqërore, pasi kamatëvonesat dhe gjobat po shkonin në rritje. Kjo më bëri të mendoj: ose jam çmendur unë, ose është çmendur Drejtoria Rajonale Tatimore e Korçës. Sigurisht, më e mundshmja ishte çmendur Drejtoria Rajonale Tatimore e Korçës, sepse unë jam pensionist dhe një pensionist nuk mund të paguajë për sigurimet shoqërore. Veç kësaj jam invalid, (i verbër) dhe nuk jam i zoti për punë. Nëse do të isha i aftë do të kisha punuar kur isha i ri në moshë dhe nuk do të kisha pritur të merrja lëmoshat e shtetit që sa më shumë vite kalojnë aq më të vogla, katandisen. Mbi të gjitha jam i moshuar dhe i sëmurë; pjesën më të madhe të vitit e kaloj nëpër spitale; i falem Zotit që jam ende gjallë, por nuk jam i aftë për punë, përveç punës organizative të shoqatës, që e bëj me pasion dhe me njerëzit që më rrinë pranë dhe punojnë më të njëjtin përkushtim, sepse në këtë botë ka edhe idealistë. Pra për të gjitha këto arsye, mendoj se të çmendur janë drejtuesit e Drejtorisë Rajonale Tatimore Korçë dhe jo unë pensionisti me pension invaliditeti.

Shkresa e Drejtorisë Tatimore

Tashmë po ndalemi konkretisht tek shqetësimi ynë. Në dt. 15. 1. 2019, Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë i mbërriti një shkresë nga Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë dhe Drejtoria Rajonale e Kontrollit Tatimor, ku konkretisht thuhej: “Mbështetur në të dhënat që ndodhen në D.R. Tatimore, Drejtoria Rajonale e Tatimeve Korçë, ju njoftojmë se keni të papaguara më dt 04. 01. 2019, detyrimet si më poshtë, ku ishin përllogaritur: “Tatimi ose kontributi, Periudha Tatimore, Detyrimi për t’u paguar, shumë në lekë dhe Arsyet e detyrimit”. Në fund të 6 faqeve thuhej: Kërkojmë të paguani menjëherë detyrimet e mësipërme, në llogaritë e D.R.Tatimore sipas formularëve përkatës. Nëse keni kundërshtim për detyrimet mund të bëni kërkesë apelimi në Drejtorinë e Apelimit Tatimor, brenda 30 ditëve nga data e Njoftim Vlerësimit, siç përcaktohet në ligjin Nr. 9920, datë 19.05. 2008 “Për Procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Kërkesës për apelim, duhet t’i bashkëlidhni kopje të dokumenteve të pagesës së detyrimeve që lidhen me kërkesën (tatim, kontribut dhe kamatëvonesat duke përjashtuar gjobat); kopje të dokumenteve përkatëse të dërguara nga D.R. Tatimore si; njoftim vlerësimi për të gjitha llojet e detyrimeve tatimore dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, urdhër pagesat dhe çdo lloj dokumenti tjetër që e vlerëson të domosdoshëm për procesin e apelimit. Shuma gjithsej e detyrimit shkonte në 285,696 lekë Drejtori Juxhin Saro.

Aktualisht kjo shumë ka shkuar në 744, 255 lekë, një shifër marramendëse për mundësitë e shoqatës tonë. Sërish mendova se kjo është vetëm një çmenduri dhe asgjë tjetër.

 

Jam kryetar shoqate me pension invaliditeti

Pra, fillimisht menduam se kishim të bënim me ndonjë keqkuptim, të njëjtën gjë mendojmë edhe sot, sepse, siç e theksova edhe më sipër, unë Maksim Rushi, drejtues i Shoqatës Shqiptare të Personave të paaftë, jam me pension pleqërie invaliditeti që nga qershori i vitit 2017, me 18 mijë lekë në muaj, ndërsa prej 40 vjetësh kam qenë invalid pune; kjo do të thotë se unë nuk nuk kam asnjë detyrim të kontribuoj për sigurimet shoqërore, sepse i bie që të kontribuoj për sigurimet shoqërore nga pensioni im. Nuk kam pasur pagë (rrogë) asnjëherë si kryetar i Shoqatës, dhe kjo është e deklaruar në listë pagesën e shoqatës dhe në dokumentacionin e saj. Mua nuk më lejohet të punoj me sigurime shoqërore; veç kësaj, edhe legjislacioni për shoqatat e personave me aftësi të kufizuar, sanksionon mospagimin e sigurimeve shoqërore. Atëherë me ç’të drejtë Drejtoria Rajonale Tatimore e Korçës me konsideron si punonjës me pagë pa kryer asnjë verifikim, pa marrë as mundimin të më pyesë nëse jam person i paguar ose jo. Pra, e gjitha kjo histori mbetet arbitraritet: Dëshiron drejtori i Tatimeve, të vendos person me rrogë; nuk dëshiron drejtori i Tatimeve, nuk të sheh si punonjës të paguar. Jo more zotëri, gjithçka është e shkruar e zeza mbi të bardhën, dhe gjithkush mban përgjegjësi për ato që bën. Në këtë rast përgjegjësia është e Drejtorisë Rajonale Tatimore të Korçës dhe jo e imja, sepse unë nuk kam çfarë të paguaj.

 

Shoqata i paguan sigurimet shoqërore

Por duke ditur që shoqata duhet të ketë një person të siguruar, ne e përmbushëm këtë detyrim. Vendosëm që për sigurimet shoqërore të kontribuonte Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës, znj Mimoza Angjellari. Vendosëm për këtë person sepse znj Angjellari mori përsipër t’i paguante vetë sigurimet shoqërore sa herë që Shoqata nuk do të kishte mundësi. Edhe legjislacioni shqiptar kërkon të paktën një të punësuar me sigurime, por edhe këtë detyrim e kërkon për muajt që shoqata ka veprimtari, dhe jo për kohën që nuk ka aktivitet. E bëmë këtë marrëveshje me zonjën Angjellari, sepse Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë, ushtron aktivitetin e vet në kushte të vështira financiare. Parimi kryesor i punës në shoqatën tonë është vullnetarizmi dhe jo pagesa, sepse ne nuk kemi asnjë pasuri aktive afatgjatë në emër të Shoqatës të regjistruar në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, nuk kemi as aktivitete prodhuese, nuk kemi përfituar as grande nga shteti, sepse edhe qeveria nuk tregon vëmendjen e duhur ndaj nesh.

 

Drejtoria Tatimore më emëron administrator

Nisur nga sa më sipër, arrijmë në përfundimin se Drejtoria Rajonale Tatimore e Korçës, nuk ka asnjë justifikim ligjor të bëjë rivlerësim duke më kthyer mua për një periudhë më se 3-vjeçare nga person që shërbej vullnetarisht në person me sigurime shoqërore e shëndetësore, duke më ndëshkuar kështu në formën më ekstreme, me pasoja për aktivitetin e Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë. Por edhe pse e vërteta është kështu, Drejtoria Rajonale Tatimore e Korçës, i jep të drejtë vetes të më emërojë ADMINISTRATOR, kur unë nuk jam i tillë, sepse nuk kemi asnjë pasuri apo aktivitet prodhues për të administruar. Ku e gjen këtë të drejtë Drejtoria Rajonale Tatimore e Korçës, vetëm Zoti e di. Ne jemi organizatë jofitimprurëse që do të thotë se drejtuesit e saj punojnë falas, pa pagesë dhe pa sigurime shoqërore e shëndetësore. E përsëris, mua nuk më lejohet të punoj me sigurime shoqërore, edhe sikur shoqata të kishte mundësi financiare, sepse jam me pension invaliditeti. Këtë e kemi të sanksionuar edhe në statut, në raporte e dokumente të tjera të brendshme, ku thuhet se drejtuesi dhe Këshilli i Drejtimit, punon falas pa shpërblim e në afat të pacaktuar, sepse nëse do të punohej me pagesë kostoja do të ishte e papërballueshme.

 

Pse nuk u ankuam brenda 30 ditëve

Ndërkohë bëjmë të ditur se ne nuk mundëm ta apelonim brenda 30 ditëve vendimin e Drejtorisë Rajonale Tatimore Korçës, pasi unë gjendesha në Spital në Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore. Kjo është lehtësisht e verifikueshme. Për mendimin tonë, njoftim-vlerësimi i dërguar nga Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë është tendencioz, i pasaktë, i padrejtë dhe i pabazuar në ligj., pasi Shoqata jonë ka qenë dhe mbetet një nga shoqatat më serioze në vend. Jemi Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë, me seli në qytetin e Korçës, e krijuar më 4 dhjetor 2012 me vendim nr. 3457 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e pajisur me NIPT L44011191R, dhe licencë LN-6604-01-2019. Qëllimi parësor i yni është kujdesi për kategorinë e qytetarëve me dëmtim fizik e pluridifekt, të cilët janë persona që nuk janë mbuluar nga skema e sigurimeve shoqërore. Ne vazhdojmë të besojmë në mirëkuptimin e Komisionit të Apelit, e cila duhet të shohë me seriozitet këtë që ndodh me drejtorinë Rajonale Tatimore të Korçës.