Korçë, fëmijë romë braktisin shkollën nga varfëria

792

Varfëria, problemet familjare dhe ndarja e prindërve, shkaktarët socialë të përkeqësimit dhe thellimit të krizës

Korçë, dhjetëra fëmijë romë braktisin shkollën, të tjerë priten ta lënë
Nga Vepror Hasani

 Dhjetëra fëmijë romë, por jo vetëm, kanë braktisur shkollën, ndërsa shumë të tjerë kanë tendencën të bëjnë të njëjtën gjë si shokët e tyre. Deri më tani, vetëm nga shkolla “Naim Frashëri” të qytetit të Korçës, janë larguar më shumë se 50 nxënës, ndërsa 30 të tjerë tentojnë të ndërpresin shkollimin. Sipas gjasave, më e mundshmja është që edhe këta të fundit të largohen nga shkolla pa e përfunduar procesin mësimor. Numri i nxënësve të larguar nga shkolla dhe i atyre që mund të largohen u bë i njohur nga vetë mësuesit e shkollës në fjalë, pasi këta të fundit ndihen të shqetësuar nga fenomeni i braktisjes së shkollimit, ndërsa po bëjnë të gjitha përpjekjet për rikthimin e tyre në bankat e shkollës, por mundësitë duket se janë minimale. Rikthimi i tyre në shkollë mbetet i vështirë, pasi kjo kategori nxënësish vjen nga familje me problem të mprehta sociale, ku varfëria është një nga shkaqet kryesore të kësaj gjendjeje, dhe jo vetëm kaq,  prindërit e tyre mund të jenë divorcuar,  mund të jenë të papunë, mund të kenë emigruar, ose kërkojnë punësim nga një qytet te tjetri pa mundur dot të sigurojnë jetesën e tyre, ndërsa fëmijët që braktisin shkollën detyrohen të dalin në rrugë për të lypur. Aktualisht janë ngritur grupe monitorimi me pjesëmarrje të mësuesve, të prindërve dhe të vetë nxënësve, por pritshmëritë për rikthim, të tyre mbeten të vogla.

Braktisin shkollën nxënësit me moshë të madhe

Një pjesë e nxënësve që kanë braktisur shkollën kanë moshë të madhe, ata vijojnë të jenë në klasën e tretë, ndërsa tashmë janë 15 vjeç, gjë që tregon interesin e tyre të ulët për të mësuar, pasi edhe vetë prindërit e tyre, në mjaft raste janë të pashkolluar, ose me një arsim minimal, ashtu sikurse nuk kanë mundësi financiare për t’u kujdesuar për fëmijët e tyre në përmbushjen e kërkesave që ata kanë për libra, fletore dhe ndihmë në përvetësimin e lëndëve të mësimit. Për pasojë ata nuk e shohin me interes vazhdimin e shkollës, ndërsa fillojnë të mendojnë se ka ardhur koha të nxjerrin vetë bukën e gojës. Ndërkohë qëndrimi në klasë me nxënës të tjerë shumë më të vegjël se ata, e bën edhe më të vështirë bashkëjetesën e tyre.  Ndaj braktisjen e shkollës e shohin si një zgjidhje në favor të familjes për të ndihmuar edhe ata me çfarëdo lloj pune që mund të kryejnë. Sigurisht, braktisja e shkollës, kërkohet edhe nga prindërit, pasi nga fëmijët e tyre nuk kanë ndonjë pritshmëri se mund të vijojnë studimet në klasa më të larta.

 Nuk kanë vendbanim të përhershëm

Nga analiza e bërë prej mësuesve të shkollës “Naim Frashëri”, rezulton se kjo kategori fëmijësh, një pjesë e tyre, nuk kanë një vendbanim të përhershëm, pasi për shkak të zgjidhjeve martesore që bëjnë prindërit, ata ose mbeten me një prind, ose braktisen prej tyre. Në raste të tilla ata gjejnë mbështetje te të afërmit; të halla, tezja, daja etj,  ku  herë qëndrojnë për disa muaj te njëri  dhe herë disa muaj te tjetri, por duke ndryshuar vendbanimin ndodh që të mbeten larg shkollës, pasi dikush jeton në fshat e dikush në një vend tjetër.  Të gjendur në këto kushte ata nuk mund ta përballojnë dot frekuentimin normal të shkollës. Jeta që bëjnë nuk është e vaforshme për shkollimin normal të tyre, ndërsa shpesh herë u duhet ta sigurojnë bukën duke lypur

Djemtë emigrojnë, vajzat martohen të vogla

 

Një pjesë tjetër e nxënësve të kësaj kategorie e lënë shkollën më mes me qëllim emigrimin, për të gjetur një punë diku në një vend tjetër, kryesisht në Greqi, dhe si në gjitha rastet, edhe te këta të fundit, mungon dëshira për t’u kthyer sërish në shkollë, pasi prej shkollës ata nuk shohin ndonjë të ardhme, pasi gjithnjë kanë qenë nxënës me rezultate të dobëta për shkak jetës së vështirë që bëjnë. Për këtë arsye, mësuesit e shkollës “Naim Frashëri” pohojnë se kjo pjesë e këtij kontingjenti që ndodhet  jashtë vendit për shkak të emigracionit, identifikimi i vendndodhjes së tyre mbetet i vështirë.  Problem tjetër, – shpjegojnë ata, – kemi edhe nxënësit me tendencë braktisjeje,  të cilët nuk vijojnë normalisht mësimet, ashtu sikurse mjaft shqetësuese mbetet braktisja e shkollës nga vajzat, të cilat detyrohen të martohen në moshë të vogël.

Për të gjitha këto arsye, grupet e monitorimit po kryejnë punën e tyre, por pa përmirësim të gjendjes ekonomike dhe jetës së tyre, zgjidhja e problemit mbetet i pamundur. Vetëm sigurimi i një jete normale mund të nxisë shkollimin e tyre.