Korçë, 150 përdorues droge të kartelizuar

891
Sigal

Shprehja: “Drogë marrin edhe politikanët”, shembull i keq për të rinjtë 

Vepror Hasani

Moshat e reja vijojnë të mbeten të rrezikuara nga përdorimi i lëndëve narkotike. Nxitja më e keqe për ta bëhet shprehja e dëgjuar shpesh: “Drogë marrin edhe politikanët, po të ishte gjë e keqe as ata nuk do ta provonin!” Sigurisht, kjo shprehje përhapet nga trafikantët e lëndëve narkotike. Nisur nga investigimet tona, duke filluar që nga qershori i vitit 2009 kur në Korçë u çel qendra e rehabilitimit e në vijim, na rezulton se “preh” e lëndëve narkotike kanë qenë edhe 16-vjeçarët, të cilët mendojnë se drogat e forta, heroina, i bën më të fuqishëm dhe më të mençur. Nxitje për përdorimin e lëndëve narkotike bëhet dhe kurioziteti për ta provuarit për herë të parë, me mendimin se nuk ndodh për herë të dytë, por në realitet nuk ndodh kështu. Ajo që porositet shpesh nga Qendra rehabilituese është: “Nëse provon droga të forta, varësia prej tyre është e menjëhershme. Që të heqësh dorë prej tyre ekziston vetëm një mundësi: të paraqitesh në Qendrën e Rehabilitimit që atë ditë, qoftë edhe të nesërmen, por pa u vonuar më tepër për të marrë këshillat e duhura dhe preparatet e nevojshme; vetëm kështu gjithçka bëhet e sigurt”. Për sa kohë që të inkriminuar gjen edhe në Parlament, në rrugë e në lagje do të ketë gjithnjë e më shumë, trafikantë droge që kërkojnë “gjahun” e tyre. Viktima të lëndëve narkotike janë kryesisht moshat nga 25 vjeç e lartë, ndërsa më të rriturit shkojnë deri në 50 vjeç. Të rrezikuar vijojnë të mbeten nxënësit e gjimnazeve.

Qendra e rehabilitimit

Në qendrën e rehabilitimit në Korçë, kontaktuam me infermieren e përgjithshme, Marinela Fustanja, ku u njohëm me përkushtimin e kësaj qendre për t’u ardhur në ndihmë personave me varësi nga lëndët narkotike; heroina. “Personat që paraqiten për herë të parë, – shpjegoi Fustanja, u bëhet testi i heroinës dhe, nëse dalin pozitiv, atëherë u bëhet kartelizimi. Gjithashtu u përcaktohet edhe sasia e ilaçit që do të marrin çdo mëngjes. Qendra ka të kartelizuar 150 persona, kryesisht meshkuj dhe shumë pak femra. Aktualisht në qendrën e rehabilitimit paraqiten 64 prej tyre, sepse një pjesë ndalon për një farë kohe, nuk vijnë për 2 apo 3 muaj ose shkojnë në Tiranë ku kontaktojnë me mjekë toksikologë, ashtu siç ka edhe nga ata që rikthehen ose që vijnë për herë të parë. Në qendrën tonë nuk u mungon as ndihma e psikologut, kjo qendër funksionon prej gati 10 vjetësh dhe tashmë ka një përvojë të mirë Gjithashtu nga ana jonë, është punuar me përkushtim, kemi shkuar në shkolla 9-vjeçare dhe gjimnaze, kemi marrë takim me të rinj e studentë, kemi shpërndarë broshura dhe fletëpalosje, do të shfrytëzojmë çdo mundësi për t’i ardhur në ndihmë përdoruesve të drogës”.

Biseda në grup


Qendra e rehabilitimit praktikon edhe bashkëbisedimet në grup, ku personat në fjalë tregojnë si ranë në kontakt me drogën, shqetësimet, vuajtjet dhe përpjekjet për të dalë nga kjo gjendje etj. Mësimi i kësaj qendre është: “Nëse do të shpëtosh veten, mos nguro të paraqitesh në qendrën e rehabilitimit. Çdo vonesë ta përkeqëson jetën tënde, mund të mbetesh përjetësisht një i sëmurë kronik, i pashpresë. Bëj të pamundurën t’i kthehesh jetës normale. Ai që ringrihet meriton respekt. Kur përdoruesit e drogës arrijnë të përmirësohen ndjeshëm dhe nuk ndjejnë nevojën e qendrës së rehabilitimit, punë dhe përkushtimi ynë, thotë Fustanja, janë shpërblyer.” Në të kundërt përdoruesi i lëndëve narkotike, shndërrohet në brengë e dhimbje për familjen, dëshpërim për shokët dhe shoqet, problem për shoqërisë. Gjithnjë në përpjekje të gjesh lekët e drogës, do vjedhësh varret, portofolet e miqve, varëset e grave, stolitë e gjyshes, do të shesësh edhe rrobat e tua. Gjithë jeta jote do të mbetet pa kuptim. Megjithatë, gjithkush mund t’ia dalë. Kjo është edhe bindja e infermieres Fustanja, që tashmë ka një përvojë të mirë. Vëzhgim i “Telegraf”