Kompanitë në borxhe, gati falimenti i 24 mijë bizneseve

710
150309_FF_OutofDebt
Sigal

DPT: 24 mijë sipërmarrje kanë detyrime financiare, administrata tatimore nis mbledhjen me forcë të tyre

Bizneset të zhytur në borxhe ndaj tatimeve, në 8 muajt e fundit listës iu shtuan 4300 subjekte

Bizneset shqiptare ndodhen në një periudhë krize dhe problemesh për sa i përket ecurisë ekonomike të tyre. Ky fakt tregohet edhe nga shifrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që ka bërë publike shifrat e sipërmarrjeve që kanë detyrime të papaguara financiare ndaj tatimeve. Sipas të dhënave zyrtare të DPT, lista e borxhlinjve të këqij është shtuar me 4361 biznese vetëm në tetë muajt e fundit, teksa që nga qershori i vitit të kaluar, lista e zezë e bizneseve me borxhe u rrit me 17%. Në total raportohet se rreth 24 mijë sipërmarrje kanë detyrime të papaguara në afat ndaj tatimeve. Lista e tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, përfaqëson bizneset ndaj të cilave Administrata Tatimore, ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë dhe fillimin e procedurës së mbledhjes me forcë të tyre. Sipas tatimeve “Lista është publike me qëllimin që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet, të cilët kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet. Sa herë që administrata tatimore konstaton se një tatimpagues nuk ka paguar plotësisht dhe në datën e caktuar detyrimet tatimore, administrata tatimore i dërgon, me postë rekomande, një njoftim me shkrim, ku kërkon pagesën e plotë të detyrimit tatimor. Për njoftimin dhe kërkesën për të paguar, zbatohen afatet dhe procedurat e parashikuara në Ligjin e Procedurës Tatimore. Nëse tatimpaguesi nuk paguan detyrimin tatimor në datën e caktuar, nëpërmjet një urdhri me shkrim, të lëshuar nga drejtori i drejtorisë rajonale të tatimeve, i kërkon çdo banke, ku tatimpaguesi ka llogari në emër të vet, të bllokojë shumat për llogari të tatimeve.” Sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet, gjendja e detyrimeve të papaguara, të cilat ndiqen deri më 31 dhjetor 2017, rezulton 95.5 mld lekë ose 35% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Në stokun e borxhit të ndarë sipas llojit të tatimit, TVSH zë peshën më të madhe me 36%, e ndjekur nga Tatim Fitimi me 28%, zëri Të Tjera me 22%, Sigurimet Shoqërore & Shëndetësore me 12% dhe TAP me 2%.