KLSH rrit bashkëpunimin me botën universitare

1623
Sigal

Nën moton “Nga eksperienca e përbashkët përfitojmë të gjithë”, KLSH në vitet e fundit ka intensifikuar gjithmonë e më shumë bashkëpunimin duke nënshkruar “Marrëveshje Bashkëpunimi” me institucione akademike, Universitete të ndryshme si për shembull Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu”, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, Fakulteti Ekonomik në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Gjeologji-Miniera, Kolegji Universitar “Luarasi” stafet pedagogjike etj., ku në jo pak raste ka bashkëpunuar ngushtë edhe me profesorë të nderuar si Prof. Dr. Skënder Osmani, Prof. Dr. Omer Stringa, Prof. Dr. Jorgji Bollano etj., si në organizimin e konferencave, “workshop-eve” e seminareve ashtu edhe në auditime të ndryshme. Trendi më i ri që po gjen gjithmonë e më shumë aplikim në praktikën e punës së Kontrollit të Lartë të Shtetit, krahas bashkëpunimeve për organizimin e një sërë konferencash shkencore me Universitetet më në zë të vendit, është edhe prezantimi në ambientet universitare në leksione të hapura, i disa prej auditimeve të performancës të kryera me profesionalizëm nga audituesit e KLSH-së. Në këto prezantime audituesit janë shoqëruar nga Drejtori i Departamentit të Performancës në KLSH, z. Rinald Muça i cili krahas njohjes së studentëve me praktikën e punës të Departamentit të Performancës duke evidentuar dhe nxjerrë në pah auditimet e fushave e tematikave të ndryshme të realizuara përgjatë viteve 2012-2017, ka theksuar gjithashtu nevojën për bashkëpunim midis KLSH-së dhe botës akademike në tërësi. Gjatë këtij pesë-vjeçari pesë fushat apo drejtimet kryesore ku janë fokusuar auditimet e performancës janë

  1. Reformat qeveritare;
  2. Shërbimet socio-ekonomike;
  3. Projektet infrastrukturore;
  4. Projektet mjedisore-energjetike;
  5. Shërbimet social-kulturore.

Në këto leksione, studentët kanë pasur mundësinë të njihen më tepër me rolin dhe filozofinë e KLSH-së si mbikëqyrës i fondeve publike, me një profil të konsoliduar si “watchdog”, dhe më specifikisht në auditimet e performancës. KLSH si institucion i pavarur kushtetues, është ndërtuar që t’i shërbejë qytetarit shqiptar, duke qenë “agjent” i Kuvendit dhe palëve të interesit, duke i informuar në mënyrë të vazhdueshme, të paanshme dhe të plotë, mbi përgjegjshmërinë që qeveria dhe entet publike tregojnë në përdorimin e parasë publike. Studentët nga ana e tyre, por edhe trupa akademike kanë shprehur mjaft interes në përfshirjen e tyre në auditimet e KLSH-së në të ardhmen, e sidomos në auditimet e performancës, të cilat, për nga natyra janë më gjithëpërfshirëse. Deri më tani janë prezantuar katër auditime të performancës me synimin që të vazhdohet kjo praktikë e nisur duke qenë se ka pasur një impakt mjaft pozitiv si për audituesit e KLSH-së të cilët përfitojnë në mënyra të ndryshme përgjatë prezantimit të punës së tyre përballë një auditori mjaft kualitativ, ashtu edhe për vet studentët dhe profesorët të cilët kanë mundësi të njihen me tematika nga më të ndryshmet të cilat Departamenti i Performancës në KLSH ka trajtuar në vitet e fundit. Katër auditimet e prezantuara në këtë leksione janë: “Cilësia e Ajrit”, “Performanca e Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë në Zhvillimin e Sportit”, “Unifikimi i pikave doganore të Shqipërisë me Kosovën” dhe “Trashëgimia kulturore”. Diskutimet dhe pyetjet nga ana e studentëve krahas atyre lidhur me auditimet e prezantuara kanë prekur edhe çështje të tjera si metodologjia e përdorur në hartimin dhe realizimin e raporteve të auditimit, teknikat e vjeljes së informacionit, përpunimit dhe përdorimit të analizave të ndryshme si për shembull Analiza Kosto-Përfitim, SWOT, PESTLE etj. Qëllimi kryesor i raporteve të auditimeve të performancës është mbulimi ose fokusimi në tematika aktuale të cilat sjellin shqetësime në komunitet si dhe të garantojë që këto raporte të jenë lehtësisht të kuptueshme për grupet e interesit dhe publikun e gjerë. Nuk janë lënë pa përmendur edhe sfidat që hasin audituesit e jashtëm në punën e tyre të përditshme dhe se sa e rëndësishme është përfshirja qytetare në përmirësimin e mëtejshëm të realitetit që audituesit nxjerrin në pah. Në mjaft raste dhe sidomos në auditimet e performancës, qytetarët janë përfshirë në mënyra të ndryshme e në faza të ndryshme të auditimit duke dalë në “gjetje” shumë të rëndësishme për auditimin të cilat nuk do të kishin qenë të mundura pa përfshirjen e tyre. Synimi i audituesve të KLSH-së është gjithmonë krah interesit publik, gjë e cila është kuptuar më së miri nga një pjesë e mirë e qytetarëve dhe kjo ka qenë një ndër arsyet kryesore që ata kanë kontribuar në këto auditime.  Në përfundim, këto takime janë shfrytëzuar edhe për të ftuar për të aplikuar të gjithë studentët e interesuar për zhvillimin e praktikave mësimore pranë institucionit të KLSH-së. Kështu, në muajin Prill 2018 u zhvillua edhe rekrutimi i studentëve praktikantë dhe nga rreth 350 aplikues u përzgjodhën 15 studentë nën kujdesin e  Grupit të Punës për Menaxhimin e Programit të Praktikave Studentore i përbërë prej 7 Audituesish, dhe nën kujdesin e Sekretares së Përgjithshme e Drejtoreshës së Përgjithshme në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Këta 15 studentë (emrat e të cilëve janë publikuar në fazën zyrtare të KLSH-së) do të zhvillojnë pranë këtij institucioni praktikën mësimore 6-mujore, të marrëdhënies së para-punësimit, Universitet – Institucion Publik. Ky mësim i nxjerrë nga eksperienca e vendeve më të zhvilluara është duke u aplikuar në KLSH me qëllim asistimin e brezit të ri të studentëve në mënyrë që të fitojnë më shumë njohuri e të jenë më të përgatitur përpara se të ballafaqohen me tregun e punës.

Kryeauditues

Dept. i Performancës, KLSH

Aulent Guri