Klosi prezanton programin dhe prioritetet: Kemi hapur 120 mijë vende pune

    355
    Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi prezantoi programin e tij me prioritetet, sfidat dhe angazhimet e mëtejshme të Ministrisë që drejton.
    Klosi gjatë fjalës së tij u ndal në mbrojtjen sociale, sigurimet shoqërore, zyrat e punës, reformën territoriale etj.
    “Vendi im ashtu siç të gjithë e dinë ka nevoje për investime, ka nevojë për më shumë rrugë, ka nevojë për më shumë investime strategjike. Por, ndihma që ju jepni për një Shqipëri më solidare, ndihma që ju jepni për më të dobtit, është një ndihmë që buron nga zemra. Dhe kjo ndihmë i jep mirënjohje jo vetëm këtij stafi të MMSR-së, por çdo shqiptari që e prek çdo ditë atë ndihmë”, theksoi Klosi.
    Ai theksoi se programi qeveritar flet për 300 mije vende të reja pune në krye të 4 vjetëve.
    “Ne kemi një llogaridhënie për të dhënë para opinionin publik. Më shumë se 120 mijë vende pune tashmë janë hapur”, tha ministri Klosi.
    Ndërsa për arsimin profesional, Klosi tha se nuk duhet të pranojmë ne që në arsimin profesional shkojnë nxënësit se nuk shkojnë dot në shkollë të lartë.
    “Ta kthejmë arsimin profesional në një vend ku njerëzit shkojnë për të marrë një zanat më shumë, për të bërë një veprim më shumë në jetë”.
    Në vijim, ministri i Mirëqënies Sociale u ndal tek zyrat e punës, që sipas tij, do të duhen të shndërrohen nga zyra të cilat vazhdimisht vetëm presim ankesat e qytetarëve, në zyra që ofrojnë punë, sidomos qytetarëve që janë në nevojë.
    Duke iu referuar sigurimeve shoqërore, ministri i Mirëqenies Sociale tha se kjo reformë do të duhet të vazhdojë, duke vënë në plan të parë transparencën.
    “Sigurimet Shoqërore, një nga problemet më të mëdha që ka Shqipëria, dhe çdo administratë sot në Evropë apo në vendet më të zhvilluara të kësaj Evrope. Sigurisht që sigurimet shoqërore tashmë kanë marrë një këndvështrim të ri. Por skema nuk mund të mbetet kjo që është. Rritja e transparencës do të mbetet objektivi ynë dhe rritja e kontributeve me skemat dytësore apo kontribute alternative do të jetë një nga prioritetet tona të mëdha”, deklaroi Klosi.
    Lidhur me përfshirjen sociale, ai tha se ajo shtrihet në fushat që kanë nevojë për mbështetje si ato të mbrojtjes së dhunës në familje, kundër dhunës së fëmijëve, kundër dhunës së gruas, shtresave në nevojë, shtresave diskriminuese dhe ish të përndjekurve politikë.
    Sigal