Klodi Stralla: Përkujtesë në 5-vjetorin e Prof. Niko Thomo

1445
Sigal

Përkujtesë në 5 vjetorin e ndarjes nga jeta të Prof. Niko THOMO

 (1933-2015)

 

Klodi Stralla

Përkujtimoret nuk janë biografi dhe as monografi e personit që kujtohet; ato janë një gjini më vete, të shkurta nga forma por të ngjeshura nga përmbajtja. Më shumë se të informojnë, ato të kujtojnë se kjo Shqipëri që kemi sot, me të mirat e të këqijat e saj, është bërë nga shpirtra atdhetarë e profesionistë, të përkushtuar, idealistë, pasuria e vetme e të cilëve janë veprat që lanë pas dhe që, pas vitesh, kur ata nuk janë më mes nesh, na “detyrojnë” t’i kujtojmë e nderojmë në çdo përvjetor. I tillë ishte për ne nxënësit e shumtë të tij profesori ynë – Niko Thomo. Niko u lind në Korçë në vitin 1933. Aty kreu studimet fillore dhe të mesme dhe në 1955 përfundon me rezultate të shkëlqyera ish-Institutin e Lartë Pedagogjik të kohës, në degën matematikë-fizikës. Që nga ajo kohë e deri sa ndërroi jetë, për afro 60 vjet, ai nuk u shkëput nga veprimtaria mësimdhënëse dhe puna krijuese, ndonëse kishte vite që kish dalë në pension. Thomot, në Korçë, i kemi pasur miq shtëpie: Atin e tij, Vasilin, profesorin e matematikë-fizikës, babai e ka pasur koleg për shumë vite, ndërsa Nikon nxënës në gjimnaz. Për herë të parë Nikon e njoha në vitin 1969, kur fillova studimet universitare në degën e fizikës. Një burrë i gjatë, gazmor, me një të folur karakteristik, lakonik, por me një humor të hollë. Kish pamjen e një shkencëtari, me flokët e shpupurishur, me sytë e thellë që rrezatonin mençuri, me një buzëqeshje fisnike dhe të çiltër, tipike e njeriut të shkencës. U njohëm edhe më shumë, më pas, në zboret apo aksionet e rinisë. Niko ishte shumë i thjeshtë, shumë i afërt me studentët, me të cilët shoqërohej edhe jashtë mësimit. Sot mund të duket çudi por ky afrimitet nuk ndikonte aspak në vlerësim gjatë provimeve dhe të mos harrojmë se ai jepte lëndën më të vështirë – Mekanikën Kuantike. Sa larg prej disa pedagogëve të sotëm që, pas seriozitetit dhe distancës me nxënësit, fshehin mediokritetin e tyre! Jemi takuar me dhjetëra herë këto vite që banoja në Tiranë; kemi pirë shpesh edhe kafe bashkë, duke biseduar kryesisht për ngjarjet dhe politikat e ditës. Niko ishte një analist i thellë, realist dhe shumë i vetëdijshëm për ç’ka ndodhte në Shqipëri e në botë. Ai ishte para së gjithash një personalitet me integritet të lartë moral dhe mendjehapur. Ndonëse nga duart e tij dolën studentë që më vonë patën funksione të larta partiake dhe shtetërore ai nuk denjoi t’u vardisej pas dhe të bënte rolin e sejmenit për të përfituar tituj dhe grada shkencore siç bënë shumë prej kolegëve të tij, ndonëse ishte i vetmi që duhet të ishte, prej vitesh, anëtar i Akademisë të Shkencave, falë mençurisë, thellësisë të mendimit, talentit dhe aftësive krijuese.
Firmën e tij mbajnë leksionet e para në Kristalografi, në Fizikën e atmosferës, në Mekanikën e lëngjeve, në Fizikën e trupit të ngurtë, në Elektrodinamikë dhe, në mënyrë të veçantë, në lëndën e tij të dashur – Mekanikën kuantike. Autor i 12 teksteve universitare, 2 monografive, dhjetëra artikujve shkencore dhe punimeve eksperimentale. Studimi i tij në fushën e gjysmëpërçuesve u vlerësua në vitin 1977 me çmimin e Republikës të Klasit të Parë. Në 7 mars 2013, me rastin e 80-vjetorit të lindjes, presidenti Nishani e dekoron me “Medaljen e Mirënjohjes”. Do të të kujtojmë përherë profesor!