Kërpudhat mblidhen në Pustec të Korçës, por shiten në Maqedoninë e Veriut

1525
Sigal

Mungon pika e grumbullimit

Banorët e Bashkisë Pustec të rrethit Korçë mund të sigurojnë të ardhura të mira për familjet e tyre nga mbledhja e kërpudhave dhe frutave të tjera të pyllit, por deri më sot në këtë Bashki nuk është bërë i mundur instalimi i një pike grumbullimi. Kjo i detyron mbledhësit e kërpudhave dhe frutave të tjera të marrin udhën drejt Maqedonisë së Veriut, pasi atje gjenden pika grumbullimi për shitjen e tyre. Mirëpo vajtje-ardhjet Pustec-Maqedoni e Veriut dhe anasjellas kushtojnë, pasi të interesuarit shpenzojnë ditë pune dhe të holla. Për pasojë edhe të ardhurat neto nga shitjet bëhen më të vogla. Realisht gjendja nuk duhej të ishte kjo, pasi në anën tjetër të kufirit ka pika grumbullimi, kurse në këtë anë (pjesa shqiptare), nuk ka. Ku çalon puna në zgjidhjen e këtij shqetësimi ende nuk dihet. E vërteta është se nga qeveria dhe pushteti vendor ka pasur ide dhe propozime, janë bërë takime me shoqatat e grumbullimit të bimëve medicinale dhe produkteve të tjera, ka pasur komunikim edhe me tregtarët që merren mbledhjen e prodhimeve të tilla, por sërish gjë konkrete nuk ka pasur. Gjendja vijon të mbetet si më parë, mbledhësve të kërpudhave u duhet të shkojnë sërish në Maqedoni të Veriut. Madje çdo vit, në muajin tetor, shumë gra dhe vajza të Pusteci shkojnë në Maqedoni të Veriut për të mbledhur manaferra, të cilat mbeten shumë të kërkuara nga tregu fqinj. Kjo është arsyeja që banorët e Bashkisë në fjalë, edhe këtë vit bënë prezent shqetësimin e tyre për instalimin e pikave të grumbullimit

Kërpudhat, punësim për gratë dhe vajzat e Pustecit

Shqetësimi i ngritur nga banorët e Bashkisë Pustec është real, pasi kërpudhat dhe frutat e pyllit janë mundësi punësimi për gratë dhe vajzat e kësaj zone. Janë me dhjetëra gra dhe vajza që çdo vit, gjatë kësaj periudhe, me rënien e shirave, kur ndodh shpërthimi i kërpudhave mbi sipërfaqen e tokës, i drejtohen pyllit. Sasitë që grumbullohen nuk janë të vogla. Për më tepër kërpudhat e kësaj zone janë të pëlqyeshme nga vizitorët dhe turistët që frekuentojnë liqenin e Prespës, por sasitë e mbledhura nuk mund të konsumohen tërësisht nga vetë zona. Ndaj lind nevoja e instalimit të një pike grumbullimi. Një kilogram kërpudha shitet nga 800 deri në 1000 lekë. Shqetësimi i banorëve të Pustecit ka mbërritur edhe të emigrantët e kësaj zone që punojnë në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, si në Itali, Gjermani e gjetkë, të cilët po ndërmjetësojnë me tregtarët e atjeshëm për një bashkëpunim të mundshëm me banorët dhe Bashkinë e Pustecit. Iniciativa është mbështetur edhe nga agronomët e zonës. Sipas burimeve pranë Bashkisë Pustec, përveç pikës së grumbullimit të kërpudhave, luleshtrydheve, manaferrave etj., në Pustec mungon edhe një pikë grumbullimi për mbledhjen e çajit. Në fshatin Gollomboç të kësaj Bashkie merren me kultivimin e çajit dhe bimëve medicinale mbi 300 banorë. Edhe për çajin pati një iniciativë për instalimin e një pike grumbullimi, ku ndërkohë do të kryhej tharja dhe paketimi në qeska të vogla, por fatkeqësisht edhe kjo ide nuk gjeti zbatim në praktikë, kur në të vërtetë, ekzistenca e frutave të pyllit dhe e bimëve medicinale duhej t’i kishte tërhequr me kohë tregtarët e kësaj fushe.

Bimët medicinale kërkohen me shumë se qepa e patatja

Jo vetëm banorët e Bashkisë Pustec, por edhe banorët e fushës së Korçës, i kanë kthyer sytë nga kultivimi i bimëve medicinale. Ndodh kështu sepse kostoja për kultivimin e tyre është shumë me e ulët krahasuar me kultivimin e patates, fasules, qepës, mollës etj. Këto të fundit shumë herë u mbeten pa shitur dhe detyrohen t’i hedhin në lumë. Përveç sa më sipër, kultivimi dhe rritja e bimëve medicinale kërkojnë më pak kohë dhe shpenzime, kurse të ardhurat janë më të mëdha dhe të garantuara. Shitja e tyre mund të bëhet në çdo kohë. Kjo është dhe arsyeja që sipërfaqet e mbjella me bimë medicinale janë dyfishuar. Tashmë është viti i 10-të që sipërfaqe të mëdha toke mbillen me bimë mjekësore, si: luleciani, thundërmushke, lulekuqe, qumeshtore, (nga të cilat merren rrënja dhe gjethja), kalendra, xinxifet, trëndafil i egër, mëllaga e zezë, mëllaga e bardhë etj., të cilat eksportohen kryesisht në Gjermani dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian. Megjithatë banorët e zonës Pustecit, ende janë pa pika grumbullimi.