Kastriot Korro: Për Myslim Hyso, njeriun humanist të Malëshovës

940
Sigal

Myslim Hyso, njeriu me vlera të veçanta i fisit të Hysajve

 

Këtë shkrim ja kushtojmë një djali të krahinës së Malëshovës, Myslim Tare Hysos, njeriu që shquhet për vlera të larta njerëzore

 

Prof. As.Dr. Kastriot Korro

 

Myslimi ose me emrin përkëdhelës Limja ka lindur në fshatin Limar të krahinës së Malëshovës, në një fshat me vjetërsi rreth 3000 vjeçare duke iu referuar “moshës” së kalasë përballë tij. Emrin ia vuri gjysh Myslimi, që kur ishte gjallë, e që e priste me shumë gëzim lindjen e tij, pasi te nipi shpresonte të transferohesh jo vetëm emri, por edhe vlerat që ai mbartte. Myslimi është fëmija i tretë i lindur nga dy prindër që njihen nga të gjithë, të ndershëm, mikpritës, punëtorë dhe fisnikë. Babai i tij Tarja, lindur në Limar në vitin 1922, pavarësisht faktit që jeta nuk e përkëdheli aspak se mbeti jetim nga nëna që në moshën 2 vjeçare, bashkë me të vëllanë Faikun, edhe pse mes shumë vështirësive, u rritën nga i ati me shumë dinjitet. Ai me fëmijët jetimë shkoi në qytetin e Elbasanit duke mposhtur varfërinë ekstreme që kalonte vendi përmes punës pa pushim dhe i rriti e i shkolloi ata deri kur ata kishin përfunduar me rezultate të larta edhe dy vite të Shkollës Normale të Elbasanit, që për vlerat që kishte quhej universiteti i kohës. Në pamundësi për të vazhduar studimet për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike i ati i Faikut dhe Tares, iu drejtua për bursë Ministrit të Arsimit të kohë,s i cili drejtpërsëdrejti i tha se Qeveria jonë nuk mund t’u japë bursë përkrahësve të Nolit. E vërteta është që vëllezërit Myslim dhe Adem Hysa në kohën që ishin në ShBA ishin veprimtarë aktivë dhe anëtarë të Shoqërisë “Vatra” të themeluar nga gjiganti F. S. Noli me kontribute sociale dhe financiare në atë organizatë. I dëshpëruar nga përgjigja e Ministrit të Arsimit të Qeverisë së Zogut, Myslimi u mësoi atyre zanatin e marangozit, zanat që iu shërbeu atyre gjithë jetën duke u bërë mjeshtër të rrallë në këtë fushë. I ati i Muslimit, Tarja edhe pse në moshë të re ka qenë pjesëmarrës aktive gjatë Luftës Nacional Çlirimtare në Çetat Territoriale, duke marrë pjesë edhe në një nga aksionet më të rëndësishme siç ishte ai i çlirimit të Libohovës.

Menjëherë pas çlirimit të vendit, Tarja bashkë me vëllanë e tij Faikun u caktuan si mësues: njëri në Mezhgoran e tjetri në Arze të madhe, por duke qenë se ata i ati i kishte përgatitur si marangozë të talentuar, i dhanë kontributet e tyre në rindërtimin e vendit të shkatërruar nga Lufta si në Vlorë, Fier, Patos, Cërrik, Berat, Memaliaj, Tepelenë, Këlcyrë e Përmet. E vërteta është që Tarja dhe i vëllai Faiku, për kontributet e tyre të shquara në rindërtimin e vendit janë dekoruar disa herë me urdhra e medalje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Nëna e tij Selimeja rridhte nga familja e Rusmaleve me mjaft merita në Luftë dhe pas çlirimit duke i dhënë Atdheut dy dëshmorë, Zenelin dhe Rifatin. Ajo ishte një nënë e përkushtuar në rritjen dhe edukimin e tre fëmijëve të saj: Dritën, e cila shquhet si një grua shembullore që me mund e sakrifica lindi dhe rriti 5 fëmijë : Luljetën, Jahon, Naimin, Vjollcën dhe Rozën ku secili ka krijuar familjen e vet dhe jetojnë me punë e dinjitet.

Myslym Tare Hyso

Limja, të cilit po i dedikohet ky shkrim modest ose Lymi si i flasin kolegët dhe kushërinjtë tanë të “Miell Tirana” ka lindur më 7 Gusht 1950 në Limar ku kreu edhe studimet e shkollës fillore. Shkollën 8-vjeçare e kreu në Leskaj dhe po aty kreu edhe Shkollën e mesme. Në periudhën 1968-1971 kreu shërbimin ushtarak pranë Gardës së Republikës. Ai aty u shqua për korrektesë shembullore dhe përgatitje të lartë ushtarake, aq sa një neglizhencë e vogël nuk i dha mundësinë të shërbente si oficer efektiv në Forcat e Armatosura. Pas lirimit nga ushtria, për 5 vjet (1971-1976) ai shërbeu në Industrinë e naftës- Shpim kërkim) në Sarandë. Gjatë atyre viteve ai u dallua për punë shembullore e rendiment të lartë, duke rënë në sy të drejtuesve të atij sektori që e inkurajonin edhe me shpërblime suplementare. Në vitet 1976- 1978 punoi në Fier, te N.Sh.I. Tensioni i Lartë. Pas këtij viti ai kthehet në vendlindje pranë familjes dhe prindërve, duke punuar me mish e me shpirt për mirëqenien e tyre, duke u përballur e luftuar kundër varfërisë e vështirësive ekstreme të kohës.

Ndryshimi i sistemit e inkurajoi Myslimin për një jetë më të mirë duke shkuar fillimisht në vitet 1992-1994 në Sarandë dhe në vitet 1994-1998, si mijëra e miliona shqiptarë ai emigroi jashtë (Greqi ) për të siguruar diçka për fëmijët dhe familjen.

Në fillim të vitit 1998 Myslimi erdhi familjarisht në Tiranë. Ai kishte blerë një shtëpi të sapo filluar dhe e përfundoi atë në një kohë rekord me punë dhe vullnet të admirueshëm. Edhe pse të moshuar, në ndërtimin e saj kontribuan edhe prindërit e tij, sidomos i ati, i cili e vuri edhe një herë veten në provë duke finalizuar punime të shkëlqyera. Me gjithë preokupimin dhe angazhimin e Myslimit për të ndërtuar shtëpinë, në kushtet e një dimri nga më të ftohtët në 50-vjeçarin e fundit në shekullin që lamë pas dhe pothuaj pa kushte, pasi edhe strehimin e bënë me mjete rrethanore, ai mendoi edhe të punësohej diku. Fillimisht u punësua n Fakultetin e Mjekësisë, por një ditë lajmërohet direkt nga Z. Roland Hysa, pronar i Fabrikës “Miell Tirana” dhe kushëriri ynë, për të filluar punë atje. Rolandi, ndër biznesmenët më të suksesshëm të Shqipërisë, që shquhet për një aftësi e fantazi të rrallë në këtë fushë, çka e rendit atë ndër biznesmenët elitarë të vendit tonë, shquhet edhe për një fisnikëri unike, pasi te bizneset e tij janë punësuar rreth 150 kushërinj, përshirë edhe Myslimin.

Rolandi, u ka kushtuar një vëmendje të veçantë gjithë stafit që ka punësuar, por kur bisedon me të, mirënjohja e parë nga ana e tij shkon për prindërit e tij të mrekullueshëm, Zymbylen dhe Enverin, tek puna dhe karakteri i të cilëve gjeti frymëzimin dhe mbështetjen morale për t’u ngjitur në këto nivele ku është sot. Ai përmend disa persona që janë shtylla në suksesin e biznesit të tij, ndër të cilët edhe Myslimin.

Fëmijët e tij Moza, Ariani, Valbona dhe Floriani, kanë marrë nga i ati vetitë më të mira. Ata janë edukuar nëpërmjet punës duke vlerësuar faktin që ajo është burimi i mirëqenies dhe prosperitetit. Secili prej tyre ka krijuar familjen e vet, duke jetuar në shtete të ndryshme: Moza në Greqi, Ariani në Norvegji, Floriani në Itali dhe Valbona me familjen e saj pranë prindërve në Tiranë. Familja e secilit ka 2-3 fëmijë duke ju dhënë një kënaqësi të veçantë gjyshërve të tyre.

Sukseset dhe arritjet e Myslimit nuk mund të kuptohen pa bashkëshorten e tij Nexhmijen, një grua zonjë, punëtore, fisnike, nënë shembullore, por edhe një grua mikpritëse, që edhe pas ndërrimit të jetës së prindërve të Myslimit, me të cilët jetoi si t’i kishte prindërit e vet mbi 40 vjet dhe i pleqëroi deri në ditën e fundit të jetës së tyre me dinjitet, e ka mbajtur hapur shtëpinë siç ka qenë gjithmonë e tillë për të afërmit dhe miqtë. Ajo e ka ndjekur hap pas hapi Myslimin në punët më të vështira të tij duke ia bërë atij dhe familjes më të sigurt dhe më të gëzuar jetën e tyre. Urojmë që ky rrugëtim të vazhdojë gjatë me shëndet, gëzime e lumturi!