Kastriot Bezati: Kristo Frashëri, Institut më vete i Historisë në Shqipëri

    596
    Më 31 janar 2016, në vitin e 96 të jetës së tij, u nda nga jeta profesor Kristo Frashëri, historiani i madh, akademiku, personaliteti i shquar i historiografisë, kulturës, arsimit dhe qytetërimit shqiptar, që i kapërcen kufijtë e Shqipërisë. U shua dijetari, mendimtari dhe historiani i përmasave europiane, i cili padyshim është nga historianët e mendimtarët më të mëdhenj që ka pasur e që ka njohur Shqipëria. Vepra shkencore e Kristo Frashëri u bën nder shqiptarëve dhe Shqipërisë. U lind më 4 dhjetor 1920 në Stamboll, djali i Anastasit nga Frashëri dhe i Dhoksisë nga Ogreni i Dangëllisë. Është bir i madh i Frashërit, i këtij fshati të Përmetit ku qielli zbret në tokë dhe toka lartësohet në qiell, i këtij fshati të Dangëllisë me hapësirë gjeografike 15.5 km2, i cili gjatë ecurisë historike ka lindur aq shumë figura historike me kontribute të veçanta kombëtare sa është vështirë të gjendet një hapësirë e dytë gjeografike me madhësinë e Frashërit, qoftë kjo hapësirë brenda apo jashtë Shqipërisë. Është bir i Frashërit të Vëllezërve Frashëri, banorët e të cilit njihen për trimëri, guxim dhe mençuri, – thotë Sami Frashëri. Më 1924 i ati vendoset në Tiranë, ku mori edhe familjen më 1927. Anastasi më 1908 ka qenë redaktor i gazetës “Besa”, ndërsa gjatë luftës, më 1943 anëtar i Këshillit Antifashist e Nacionalçlirimtar të qytetit të Tiranës. Dhoksia ka qenë shtëpiake, gjatë luftës ajo ishte kryetare e Organizatës së Gruas Antifashiste Nacionalçlirimtare të lagjes “Guerile” të Tiranës. Vëllai i tij, Gjergji është dëshmor i LANÇ. Shkollën fillore e kreu në Tiranë. Vazhdoi më tej një vit Shkollën Mbretërore Ushtarake. Largohet vetë nga kjo shkollë dhe vazhdon gjimnazin në Tiranë, të cilin e mbaroi më 1940. Më pas u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences së Italisë.
    U rekrutua qysh në fillim nga Grupi Komunist i Korçës
    Mori pjesë në demonstratat e para antifashiste të prillit 1939. Më 1940 ai ishte në një nga celulat e “Grupit të të Rinjve”. Në nëntor 1941 bëhet përgjegjës i njërës prej të 17 celulave të PK, që u formua në Tiranë, anëtar i Aktivit të Komitetit Qarkor të Tiranës. Më 1942 u burgos 2 herë dhe u internua nga administrata fashiste e okupatorit. Në qershor 1942 përjashtohet si fraksionist nga PKSH, ndërsa më 22 maj 1943 doli partizan në repartet e Pezës, pastaj në Martanesh, në Mat dhe për një kohë të gjatë në Dibër e më vonë në Batalionin e Dajtit e së fundi në Brigadën XXIII të UNÇSH. Jeta e tij qëndron e vlerësuar brenda epopesë heroike të LANÇ. Mbas Çlirimit ka punuar në radhët e ushtrisë, në Korparmatën III, në Brigadën XVIII, në Divizionin II dhe Brigadën XI, pastaj në sektorin e kreditit të Bankës së Shtetit. Ndërkohë, më 1951 filloi e pastaj vazhdoi studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Institutin e Lartë Pedagogjik, të cilat i përfundoi më 1955. Dy vjet më parë, më 1953 ishte punonjës shkencor në Institutin e Shkencave në sektorin e Historisë së Shqipërisë, pastaj më 1955 në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë dhe më tej më 1957 në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të UT.

    Në vitin 1966 u dërgua për “riedukim” 
    Në vitin 1966 u dërgua për “riedukim” si mësues në shkollën e mesme “Sami Frashëri” të Përmetit, ku punoi deri më 1970. Më 1971 u emërua përsëri punonjës shkencor në Institutin e Historisë, ku dhe doli në pension, në vitin 1990. Gjatë kësaj kohe ka dhënë mësim në Universitetin Shtetëror të Tiranës.

    Anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit 
    Ka qenë anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, themeluar më 18 dhjetor 1990, ndërsa 4 vjet më vonë zgjidhet kryetar i këtij Komiteti. Më 1997 u emërua zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe doli përsëri në pension në vitin 1999. Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë. Më 1954 botoi ndër të tjera punimet kushtuar Luftës së Vlorës dhe Shoqërisë së Shkronjëzave Shqipe të vitit 1879. Po këtë vit, më 1954, ka botuar një vështrim mbi jetën dhe veprën e Sami Frashërit dhe, 4 vjet më vonë, më 1958, botoi një vështrim mbi Gjergj Kastriot Skënderbeun. Është bashkautor i Historisë së Shqipërisë, Vëllimi I, më 1959 dhe i Vëllimit II, botuar më 1965. Ka botuar shkrime historike mbi Historinë e Skënderbeut (broshurë 60 faqesh) më 1962 dhe Historinë e Shqipërisë (një vështrim prej 360 faqesh) më 1964.
    Kontribut në fushën e arsimit
    Gjatë qëndrimit në Përmet, ai ka dhënë një kontribut në fushën e arsimit, të historisë dhe të muzeumologjisë të rrethit të Përmetit. Në këto vite ka shkruar edhe tre punime: mbi parauejt si banorë të lashtë të Luginës së Vjosës, mbi rininë e Naim Frashërit dhe mbi iluministin Kostandin Duka. Më 1971 rikthehet në Institutin e Historisë. Është bashkautor i “Histoire de l’Albanie” (Lion, 1974). Më 1979 dha kontributin e tij në hartimin e tekstit të parë të Historisë së Shqipërisë për Shkollat e Mesme, ndërsa në vitet 1980-1981 jep kontributin e tij në ngritjen e Muzeut “Gjergj Kastriot Skënderbeu” në Krujë. Më 1984 botoi monografinë “Abdyl Frashëri”. Është bashkautor e bashkëredaktor i “Historisë së Shqipërisë”, Vëllimi II, 1984, si dhe bashkautor i “Historisë së popullit shqiptar”, Vëllimi II, 2002. Më 1997 boton monografinë dy vëllimshme “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881”, më 2002 boton veprën “Skënderbeu – jeta dhe vepra” dhe, më 2004, librin “Historia e Tiranës”. Të tjera vepra të tij janë: “Burimet historike shqiptare në shekullin XV për Skënderbeun (në origjinal dhe përkthimi shqip), 2005, “Himara dhe përkatësia etnike e banorëve të saj”, 2005, “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH 1878-1941”, 2006, “Identiteti kombëtar shqiptar”, 2006, “Historia e qytetërimit shqiptar”, 2008. Është autori i mjaft veprave nga të cilat cilësojmë librat “Historia e Kosovës. Dardania (Kosova Antike)”, 2009, “Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën”, 2009, “E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrëmbërimet e Enciklopedisë së Shkupit”, 2010, ”Frashëri, shkëlqimi dhe rrënimi i tij”, 2010, “Shtrembërime të historisë së Epirit nga Akademia e Athinës”, 2011, “Monedha, krediti dhe banka në Shqipëri ”, 2011, “Historia e Dibrës”, 2012, “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë”, 2012, “Ismail Qemali, album”, “Etnogjeneza e Shqiptarëve”,2013, “Principata e Arbërisë”,2013,”Historia e Çamërisë”, 2015, “Kongresi i Përmetit”, 2015, “Shqipëria në Konferencën e Paqes në Paris”, 2015.

    Enciklopedisti i historisë së Shqipërisë 
    Kristo Frashëri është enciklopedisti i historisë së Shqipërisë. Është atdhetar, mbrojtës i së vërtetës, i vlerave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe me këto virtyte dhe cilësi morale të larta, edukoi edhe fëmijët e tij, Gjergjin, Zanën dhe Arbanën. Kristo Frashëri me dashuri, përkushtim dhe atdhedashuri e trajtoi historinë e shqiptarëve dhe Shqipërisë. Akademiku Kristo Frashëri eci drejt historisë e kulturës dhe historia e kultura ecën, qëndruan dhe u lartësuan nga akademiku Kristo Frashëri. E vërteta dhe atdhedashuria ishin ndër të tjera piedestale të larta, mbi të cilat u ngrit dhe u lartësua vepra madhore e Kristo Frashërit. Ecën në rrugën e shkencës dhe të mbrojtjes së vlerave dhe identitetit kombëtar edhe fëmijët e tij, Gjergji, Zana dhe Arbana.
    Çmimet
    Kristo Frashëri ka marrë dy herë Çmimin e Republikës, të Klasit I dhe të Klasit II, më1961 dhe më 1989. Është nderuar me Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit I. Më 01.12.2000 është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, ndërsa më 17.12.2007 me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Profesor Kristo Frashëri ka mbajtur lidhje të vazhdueshme e të ngushta me Frashërin, Dangëllinë dhe Përmetin. Edhe kur ka ardhur vetë, edhe kur e kanë sjellë të tjerët në vitet e pushtetit monist dhe u emërua dhe u detyrua të punojë si arsimtar në Shkollën e Mesme të Përmetit, ai ka dhënë kontribute të vyera në rrafshin historik, arsimor e kulturor edhe për trevën e Përmetit. Kristo Frashëri, si bir i trevës së Përmetit dhe për vlerat e mëdha që i ka dhënë kombit që e lindi, u shpall “Qytetar Nderi i Përmetit” nga Këshilli i Bashkisë së Përmetit më 02.03.2004 dhe, nga Këshilli i Komunës së Frashërit, si bir i madh i Frashërit, u shpall “Nderi i Frashërit” më 30.04.2007. Nga viti 2007 e në vazhdim, Kristo Frashëri mbrojti mbijetesën nga tjetërsimi në Kishë të Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”, që ngrihet në zëmër të Përmetit, mbrojti atë që mbrojti e kërkoi edhe pushteti gjyqësor në Shqipëri. Jo shumë kohë më parë, piktori me vlera për kombin, miku im Josif Bushi, ka realizuar mjeshtërisht një tablo, ku janë dhënë 12 figurat më madhore të trevës së Përmetit, “12 apostujt e Përmetit”, ku, në qendër të kësaj tabloje apo kompozimi në pikturë, jepen tre Vëllezërit Frashëri dhe, pranë tyre, ndër të tjerë, jepet edhe historiani i madh Kristo Frashëri.

    “Qytetar Nderi” i Komunës Arras, “Qytetar Nderi” i Qytetit të Tiranës
    Më 21.04.2008 akademiku Kristo Frashëri është nderuar edhe me titullin “Qytetar Nderi” i Komunës Arras nga Këshilli i Komunës Arras të Dibrës dhe më 11.05.2009, me titullin “Qytetar Nderi” i Qytetit të Peshkopisë nga Këshilli i Bashkisë së qytetit të Peshkopisë. Me 21.03.2012, nga Këshilli i Bashkisë se qytetit te Tiranës, iu dha titulli “Qytetar Nderi i Qytetit të Tiranës”. Kristo Frashëri është personalitet i madh i historisë, i kulturës dhe qytetërimit në Shqipëri. Emri i tij ka kohë që i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe të Ballkanit. Ai për çdo problem dhe etapë të historisë ka dhënë përgjigje shkencore, sepse ai i njihte mirë të gjitha periudhat e historisë së kombit. Është një pasuri e madhe kombëtare. Për historianin Kristo Frashëri në çdo kohë është thënë dhe do të thuhet diçka e re, sepse Kristo Frashëri është si puna e hapësirës, që nuk ka fillim dhe nuk ka mbarim, është një enciklopedi e gjallë e historiografisë. Ai është mbrojtës i madh i identitetit dhe integritetit të shqiptarëve, historian i ngjarjeve madhore të Shqipërisë. Në veprën shkencore të profesorit u jepet përgjigje dhe shpjegim i saktë shkencor ngjarjeve dhe figurave madhore të Shqipërisë. Sa më mirë të njihet vepra e Kristo Frashërit, aq më shumë të shtohen atdhedashuria dhe krenaria për shqiptarët, të cilët, si thoshte Pushkini janë “Populli më trim i Europës” dhe siç thoshte Bajroni janë ndoshta “Raca më e bukur në botë” apo siç shkruhej më 21.05.1911 në gazetën “New York Times”, “Raca më e bukur e Europës”. Kristo Frashëri është jo vetëm një pasuri e madhe kombëtare, por ai është edhe një Institut më vete, i Historisë në Shqipëri.
    Lamtumirë profesor Kristo Frashëri!
    Sigal