Ka vrarë 1 diversant në ’70-ën, prej 30 vjetësh merr edhe pension të posaçëm me ligjin e vitit ‘66

    383
    Tashmë A. Bejo është 80 vjeç. Nuk është as shkencëtar, nuk ka qenë as partizan e as udhëheqës i shquar i luftës anatifashiste, as deputet, as president, as kryeministër, as kryetar parlamenti, as shkrimtar, as këngëtar, as aktor e as sportist i shquar. Nuk është as “Hero i Popullit” dhe nuk ka as grada e tituj të lartë nderi. Aktualisht jeton në Tiranë. Dhe i “gëzohet” dy pensioneve. Një ia jep ligji si pension pleqërie, ndërsa pensionin tjetër që ia jep shteti si “Pension të posaçëm”. Pensionin e parë, të pleqërsië, A. Bejo e merr prej 30 vjetësh, mbasi ka dalë në pension në moshën 50 vjeç, si minator nëntoke! Ndërsa “Pensionin e posaçëm” e merr prej 30 vjetësh, qysh kur ka dalë në pension nga miniera. Pra, të dy pensionet i kanë nisur në një datë. I ka të dy pensionet, në të njëjtën vlerë financiare. Po përse përfiton A. Bejo “Pension të posaçëm”? Sipas bisedës që bëmë me A. Bejon, “Pensionin e posaçëm” ia jep shteti si shpërblim, për një “vepër të shquar që ka bërë për partinë dhe popullin”, siç e quan ai. Ai na rrëfeu “hisotrinë” se si e ka përfituar e pensionin e posaçëm. Deri në vitin 1992, ka banuar në një zonë kufitare në jug të Shqipërisë. Në moshën 35 vjeçare, konkretisht në vitin 1970, krahas punës në ish-kooperativë, A. Bejo dhe shumë bashkëfshatarë të tij, 3 herë në javë organizoheshin natën në njësitin kufitar të fshatit. Shkonte tek “vendi” ku e kishin caktuar dhe kryente shërbim vullnetar në vijën kufitare. Ishte me grafik shërbimi në kufi, por vetëm për banorët e besuar të fshatit. Një natë, gjatë shërbimit A. Bejo zbuloi dhe vrau një diversant që donte të kalonte kufirin. Pas këtij “akti trimërie” siç quhej, si “shpërblim” e çuan të punonte në minierë. Në vitin 1985, në moshën 50 vjeçare A. Bejo doli në pension si minator nëntoke. Pikërisht në këtë vit, mbështetur në Ligjin Nr. 4171, datë 13.09.1966, kapitulli “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, A. Bejo i bëri kërkesë Komitetit të Partisë, Komitetit Ekzekutiv të rrethit dhe Këshillit Popullor të fshatit ku banonte, duke i kërkuar të trajtohej me pension të posaçëm. Sipas ligjit, paraqiti një vërtetim nga Posta Kufitare dhe Dega e Punëve të Brendshme e rrethit, që vërtetonte se në vitin 1970, ai kishte vrarë 1 diversant, gjatë shërbimit vullnetar në kufi. Pas 3 muajve, kërkuesa iu miratua dhe A. Bejo përfitoi “Pensionin e posaçëm”, me motivin që parshikonte ligji “Për shërbim të shquar dhe akt të lartë trimërie në ruajtjen e kufirit shtetëror”. Që prej vitit 1985, A. Bejo trajtohet me dy pensione, në të njëjtën vlerë. Një pension e merr si ish-minator nëntoke dhe 1 pension si vrasës diversanti në kufi! Këtë të drejtë, ia njeh Ligji Nr. 4171, datë 13.09.1966, neni 33 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, në kapitullin: “Pensioni për merita të veçanta”. Pyetjes tonë, drejtuar A. Bejos: Pse nuk ta heqin këtë pension?, ai iu përgjigj: – “Nuk ma heqin dot, mbasi ligji i vitit 1966 është akoma në fuqi dhe sipas këtij ligji, tij pensioni i posaçëm paguhet deri sa të jem gjallë”. Madje ky nen i ligjit nuk është ndryshuar, ose hequr, as me Ligjin Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë” dhe as me VKM nr. 429, datë 12.09.2002 “Për kushtet e përfitimit, shumën dhe procedurat e dhënies së pensioneve të posaçme shtetërore dhe të shtesave të pensioneve të posaçme shtetërore”.
    ———————————————
    Absurd
    Ligji thotë: “Për personin e pasiguruar, nuk jepet pagesë varrimi”!
    “Mallkimi” i mospagimit të sigurimeve, i ndjek pas shqiptarët deri në… varr! –
    Për aq kohë sa shqiptari është gjallë, nëse “punon në të zezë”, kur vjen mosha e pensionit, nuk merr pension nëse nuk ka paguar detyrimet e sigurimeve shoqërore. Por “mallkimi” i sigurimeve shoqëror, i ndjek pas shqiptarët, që nuk paguajnë sigurime deri sa futen në… varr! Mos u çuditni, por është fakt e madje ligj. Konkretisht, në Ligjin Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, ndryshuar me VKM Nr. 429, datë 12.09.2002 “Për sigurimet shoqërore”, në kapitullin: “Pensionet familjare”, në pikën (a), përcaktohet ligjërisht kështu: Pagesë varrimi jepet vetëm në rast se personi i vdekur ka qenë i siguruar me kontribute të sigurimeve shoqërore, ose në rast se i vdekuri është pensionist me pension, ose i jepet një një pensionisti të gjallë, në rast vdekjeje të një anetari të familjes që ai e ka në ngarkim”. Sipas ligjit, nëse personi i vdekur, apo i mbeturi gjallë nuk janë pagues të sigurimeve shoqërore, nuk e përfitojnë pagesën e varrimit për personin e familjes, pagesë e cila edhe për personin e siguruar, sipas ligjit është e barabartë me vlerën e një pensioni pleqërie, ose sipas çmimeve të shërbimeve funerale është sa vlera e kapakut të… arkivolit!
    Sigal