Sigal

Kongresi i Lushnjës, janar-1920 dhe kontributi i popullit patriot të Myzeqesë

Jovan Bizhyti

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimit të Qeverisë së Parë të Ismail Qemalit në nëntor 1912, pasoi një tjetër ngjarje e rëndësishme për popullin shqiptarë, Kongresi Historik i Lushnjës në janar 1920. Rreziku i copëtimit të Shqipërisë nga shtetet fqinje, po bëhej gjithnjë e më shumë evident dhe kërkonte domosdoshmërish mbledhjen e një kuvendi kombëtar, që të bashkonte të gjitha forcat patriotike të vendit, për të dal në mbrojtje të Shqipërisë. Kjo bëri që të mblidhej në kryeqendrën e Myzeqesë, Kongresi Historik i Lushnjës, në 21-31 janar 1920.

Sigurisht, iniciativa ishin marrë edhe në qytete të tjera për tu mbledhur ky kongres, si në Tiranë, Elbasan, Berat, Krujë, e Shijak, por pa arritur ndonjë rezultat, për shkak edhe të terrorit që ushtronte qeveria fashiste e Esat Pashë Toptanit me qendër në Durrës. Së fundi, u përzgjodh Lushnja e Myzeqesë, si një qytet më i qetë nga ndikimet e qeverisë kuislinge të Durrësit. Jo më pak u përzgjodh Lushnja dhe për faktin, se patriotët dhe populli liridashës i Lushnjës dhe i gjithë Myzeqesë, morën përsipër sigurinë për mbarëvajtjen normale të këtij kuvendi mbarë kombëtarë.

Ndaj, sa u dha dakordësia e krerëve të kombit me Aqif Pashë Elbasanin në krye, në Lushnjë nisën përgatitjet për organizimin e mbarëvajtjen e këtij kuvendi. U ngritë një komision iniciator me 22 anëtarë, burra patriotë të shquar, një pjesë e mirë e të cilëve jetonin në Lushnjë dhe konkretisht, Besim Nuri, kryetar i Bashkisë së Lushnjës, që u zgjodh dhe kryetar i komisionit, anëtarë inxhinieri Eshref Frashëri, Llazar Bozo, Jakov Bozo, Taulla Sinani, Ferid Vokopola, Andrea Papai, si dhe firmëtarët myzeqarë të pavarësisë, Nebi Sefa dhe Zija Mullai, e të tjerë. Besim Nuri ishte një patriot, që ka marrë pjesë në shumë veprimtari të lëvizjeve antiosmane në Myzeqe. U aktivizua ndjeshëm në masat mbrojtëse për kalimin nëpër Myzeqe të delegacionit të patriotëve që shkuan në Vlorë me Ismail Qemalin në krye për shpalljen e Pavarësisë. Në 27 nëntor 1912, një ditë para se të shpallej Pavarësia në Vlorë, Besim Nuri së bashku dhe me patriotë të tjerë myzeqarë, organizuan një ceremoni, duke ngritur flamurin shqiptar në qytetin e Lushnjës.

Fillimisht, komisioni hartoi një thirrje që përmbante programin e Kongresit dhe masat e tjera organizative. Kjo thirrje iu dërgua të gjitha prefekturave dhe nënprefekturave mbarë shqiptare. Kushtet për ta shpërndarë këtë thirrje ishin të vështira, ndaj komisioni angazhoi disa anëtarë të tij si dhe aktivistë të tjerë, që shkuan në qytete dhe krahina për të marrë kontakt direkt me figura të shquara patriotësh. Ja si shprehet në kujtimet e tij një nga aktivistët pranë komisionit për Kongresin e Lushnjës, Bajram Haxhiu: “Unë u ngarkova të shpërndaja ftesat e thirrjes së Kongresit në qytetet: Elbasan, Peqin, Kavajë dhe Durrës. Taulla Sinani kishte Tiranën dhe zonën e Dibrës. Aktivistë të tjerë, që nuk më kujtohen, shkuan në jug e në veri të vendit”.

Populli i Lushnjës e mirëpriti me entuziazëm këtë ngjarje të madhe, ku qytetarët lushnjarë dhe të fshatrave për rreth qytetit, hapën konakët për të pritur delegatët dhe shoqëruesit e tyre të mirëseardhur. Komisioni mori masa paraprake dhe për sigurimin e delegatëve me strehim e ushqim, si dhe për zhvillimin normal të punimeve të këtij kuvendi. Si më e përshtatshme për mbledhjen e kongresit, u caktua shtëpia dykatëshe e patriotit, Kasem Fuga.

Për zhvillimin normal të punimeve të kongresit, komisioni iniciator mori masa dhe për sigurimin me forca mbrojtëse rreth sallës së kuvendit dhe në periferi të qytetit të Lushnjës. Në shtabin e forcave mbrojtëse ishin patriotët: Riza Cerova, Llazar Bozo, Ismail Ali Kuçi, Taulla Sinani, e të tjerë. Në forcat mbrojtëse u mobilizuan dhe shumë fshatarë nga fshatra të ndryshëm të Myzeqesë së Lushnjës, si dhe të ardhur nga rrethe të tjera dhe konkretisht:

-250 forca nga zona e komunës së Libofshës, nën komandën e Zoi Ndrekos, Nasi Lepurit dhe Vasil Keqit.

-170 forca nga zona e komunës së Bubullimës, nën komandën e Jashar Blezenckës.

-Rreth 300 forca nga zona e Dumresë, nën komandën e Demir Arapit dhe Dalip Haskos.

-150 forca nga zona e Çermës e Dushkut, nën komandën e Selman Arapit.

-220 forca nga Kosovë-Dragoti, fshatra kodrinore të Leshnjes, nën komandën e Pal Kadillarit, Vangjel Çukos, Lam Shtëmbarit dhe Ibrahim Ali Dragotit. Po ashtu, në mbështetje të mbrojtjes së kongresit, erdhën forca vullnetare dhe nga Mati, Berati e Skrapari. Pra, siç shihet u ngritë në këmbë një popull i tërë në mbështetje të këtij Kongresi Historik. Këto të dhëna janë marë nga “Historiku i lëvizjes patriotike dhe i luftës Antifashiste Nac.Çl. të rrethit të Lushnjës 2005, me autor, Xhorxhi Robo, Koli Ll. Bozo, Miti Bozo dhe J. Bizhyti.

Kongresi i filloi punimet në 21 janar 1920 me pjesëmarrjen e 53 delegatëve nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Nënprefektura e Lushnjës përfaqësohej nga 3 delegatë, Ferid Vokopola, Llazar Bozo dhe Sheh Ibrahim Karbunara. Kongresi analizoi situatën e brendshme e të jashtme të vendit dhe masat për shpëtimin nga rreziku i copëtimit të Shqipërisë.

Të pranishmëve u uroi mirëseardhjen delegati i Myzeqesë, Ferid Vokopola, ndërsa delegati myzeqar, kleriku Sheh Ibrahim Karbunara, mbajti një lutje për të ndershmit delegatë, duke dhënë dhe urimin e bekimin e Zotit për mbarëvajtjen e këtij kuvendi. Pastaj u mbajt një fjalë e shkurtër për situatën e vendit nga delegati i Elbasanit, Aqif Pashë Elbasani. Njëkohësisht ai u përgjigj dhe disa pyetjeve të bëra nga delegatët e pranishëm në sallë. Kjo ishte ceremonia e hapjes së Kongresit, pastaj delegatët e pranishëm u ndanë nëpër grupe (komisione) dhe filluan menjëherë nga puna.

Pas një shkëputje rreth tre ditë, për arsye se kishte ende delegatë pa ardhur, të cilët pengoheshin nga forcat e pushtetit fashist të Qeverisë së Durrësit, punimet e kuvendit nisën sërish në 24 janar, ku u zgjodh dhe kryetari i kongresit, Zoti Aqif Pashë Elbasani dhe sekretar, Zoti Ferid Vokopola. Po atë ditë pati dhe diskutime nga delegatët për probleme të ndryshme, midis tyre u ngritë dhe problemi i vrasjes së patriotit, Abdyl Ypi, i cili ishte një nga iniciatorët e mbajtjes së kongresit dhe që njerëzit e Qeverisë së Durrësit të Esat Pashë Toptanit, pak ditë para mbledhjes së kongresit, e ekzekutuan Abdyl Ypin, për të frikësuar delegatët dhe për t’i penguar që të mos merrnin pjesë në Kongresin e Lushnjës. Pjesëmarrësit miratuan dhe një telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit, Ypi.

Kongresi u mblodh për të tretën herë në 30 janar. Në këtë mbledhje nga diskutuesit u ngritë me të madhe organizimi i popullit në mbarë vendin në protesta të ashpra kundër vendimit të fuqive aleate, për zbatimin e paktit të fshehtë të Londrës të vitit 1915, për copëtimin e Shqipërisë. Po ashtu kjo mbledhje, analizoi dhe qëndrimet tradhtare të Qeverisë së Durrësit, e cila i hapi rrugë pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.

Kongresi zgjodhi dhe Senatin e Qeverinë e Shqipërisë, pas asaj të Ismail Qemalit, në 28 Nëntor 1912. Me unanimitet nga të gjithë delegatët, u vendos për rrëzimin e Qeverisë tradhtare të Durrësit, duke zgjedhur përfaqësuesit legjitim të popullit shqiptarë, si dhe zgjodhi delegacionin shqiptar, që do të përfaqësonte vendin në Konferencën e Paqes në Paris. Ky delegacion përbëhej nga zotërinjtë: Imzot Luigj Bumçi, Mehmet Konica dhe Dr.Turtulli. Po ashtu Kongresi zgjodhi dhe Këshillin e Lartë Shtetëror të përbërë nga 4 vetë: Imzot Bumçi, Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani dhe Dr.Turtulli, të cilët do kryenin funksionin e kryetarit të shtetit. U zgjodh dhe Këshilli Kombëtar i përbërë prej 37 vetë, si dhe përbërja e Qeverisë e kryesuar nga kryeministri, Sulejman Delvina. Anëtarë të qeverisë u zgjodhën: ministër i punëve të brendshme, Ahmet Zogu, ministër i punëve të jashtme, Mehmet Konica, ministër i drejtësisë, Hoxhë Kadria, ministër i financave, Ndoc Çoba, ministër i arsimit, Sotir Peçi, ministër i luftës, Ali Riza Kolonja, drejtor i punëve botore, ing. Eshref Frashëri dhe drejtore e postë-telegrafës, Idhomene Kosturi. Në përfundim të punimeve, delegatët nuk do shpërndaheshin deri sa Qeveria e re të merrte frenat e shtetit në dorë. Në fund të pasdites së 31 janarit 1920, kongresi vendosi njëzëri Tiranën kryeqytet të Shqipërisë. Po ashtu, kongresi miratoi dhe një letër falënderimi për popullin patriotë të Lushnjës dhe gjithë Myzeqesë, për bujarinë, mikpritjen dhe sigurinë që krijoi për mbarëvajtjen e punimeve të kongresit.

Ky kuvend kombëtar, hapi dhe mbylli punimet nën tingujt e himnit solemn të kongresit, i cili rriti frymën e patriotizmit në mbarë vendin dhe në popullin e Myzeqesë. Vargjet e himnit të kongresit janë shkruar nga poeti patriot, Ferid Vokopola:

Shkrepi dita, në Lushnjë u lind një diell

Shqipëria lidhi besë,

dëgjoi bota, dëshmuan yjet në qiell

për ty, o i larti Kongres!

 

Sikur tym e flakë të dalë nga faqja e dheut,

shkreptimë të bjerë e flakë,

bëj detyrën që ke kundrejt Atdheut

mos kurse, as shpirt, as gjak…!

Qeveria e Durrësit bëri të gjitha përpjekjet për ta penguar Kongresin e Lushnjes, duke shpallur terror ndaj delegatëve në bashkëpunim me pushtuesit Italian, për ti penguar ata si gjatë ardhjes dhe gjatë kthimit për në qytetet përkatëse. Disa nga delegatët e Tiranës, Elbasanit, Peqinit, Kavajës, Shijakut e tjerë, qëndruan dhe për disa ditë në Lushnje pas kongresit, për t’ju shmangur përplasjeve me forcat tradhtare të Qeverisë së Durrësit. Qeveria e Sulejman Delvinës e dalë nga kongresi, mori masa për të intensifikuar luftën patriotike kundër pushtuesve, për shtrirjen e pushtetit të saj në të gjithë vendin dhe për organizimin e forcave të armatosura në mbrojtje të atdheut. Rezistenca e ushtrisë italiane për të mos u larguar nga territori i vendit tonë, veçanërisht në Vlorë, bëri që të organizohej goditja heroike e luftës së Vlorës në 1920, që e hodhën në det ushtrinë italiane. Në këtë luftë morën pjesë mijëra vullnetarë nga shumè krahina të Shqipërisë për krahë heroizmit të patriotëve të Labërisë. Edhe nga Myzeqeja e Lushnjes morën pjesë rreth 600 luftëtarë të drejtuar nga kapedanët, Llazar Bozo, Zoi Nreko, Naun Doko (Prifti), që u vendosën në Llakatund të Vlorës, ndërsa Naun Doko (Prifti) me 50 luftëtarë myzeqarë, luftuan heroikisht brenda në qytetin e Vlorës kundër pushtuesve italian.

Tetë muaj pas Kongresit Historik të Leshnjes, në 15 gusht 1920, u mblodh po në qytetin e Leshnjes dhe Kongresi Kombëtar i Arsimit, i cili kurorëzoi kërkesat e lëvizjes shqiptare për dituri e arsim kombëtar. Në dokumentet e kësaj ngjarjeje theksohet, se Ministria e Arsimit për mbledhjen e Kongresit Arsimor zgjodhi Lushnjën, si vend historik. Morën pjesë në këtë kuvend shumë mësues me përvojë në përhapjen e dritës së diturisë, midis tyre dhe disa nga figurat e spikatura të arsimit shqiptar si: Aleksandër Xhuvani, Ahmet Gashi, Thoma Papapano e tjerë. Nga Myzeqeja e Leshnjes morën pjesë mësuesit e nderuar: Anastas Laska nga Vanaj, Naun Doko (Prifti) nga Libofsha, Theodhor e Aleko Rista nga Bubullima e tjerë, të cilët dhanë kontributin e tyre.

Ky Kongres Arsimor, trajtoi probleme të strukturës e përmbajtjes së shkollës shqipe, që kish nisur të shtrihej në gjithë vendin. U përcaktua fizionomia e fryma kombëtare e arsimit në shtetin e pavarur shqiptar, jashtë influencave të shteteve pushtuese. Për herë të parë ky kongres vendosi detyrimin për arsimin fillorë, për të luftuar analfabetizmin që shtrihej në mbi 85% të popullsisë. Vendimet e këtij kongresi arsimor, u bënë nxitje për hapjen e shkollave të reja në mbarë vendin, po ashtu dhe në Myzeqe.

Pra, dy kongreset që u mbajtën në Lushnjë, në vitin 1920, ishin ngjarje të mëdha për popullin tonë, për Pavarësinë e Shqipërisë dhe për përhapjen e dritës së diturisë në mbarë vendin.