Vepror Hasani: Jetojnë në një shtëpi të rrënuar, vajza e verbër pa kujdestari prej 9 vitesh

341

Bashkia Maliq u premton shtëpinë, por asgjë nuk ndodh

Nga Vepror Hasani

Mjerime të tilla mund të gjesh vetëm në vendet ku bëhet luftë, por nuk jemi në Siri, por në Bashkinë e Maliqit, e cila shtrihet në një fushë me prodhimtari të lartë për gjithçka që kultivohet. Pranë kësaj fushe, në fshatin Zvirinë, jeton edhe familja Çite, por nëse ju tregojmë për anëtarët e saj, përveçse askush nuk do ta besojë, gjithkush do të mbetet i tronditur, me pyetjen: Ç’bëhet kështu?!  Anëtarët e familjes Çite jetojnë në një shtëpi të rrënuar, të gjithë janë të sëmurë.  Dhe në këtë shtëpi nuk jeton vetëm një familje, por dy vëllëzër, secili ka familjen e vet. Një vajzë e vogël adoleshente është lënë pa kujdestari prej 9 vitesh. Tmerri është i papërshkureshëm.

Te shtëpia e rrënuar, dy familje të sëmura

Te shtëpia e rrënuar në fshatin Zvirinë të Bashkisë Maliq në rrethin e Korçës, jetojnë familjet e dy vëllezërve, Gëzim dhe Gurali Çite. Në të vërtetë shtëpia e tyre është e shembur plotësisht, ka mbetur më këmbë vetëm një dhomë, por edhe ajo me tavan të rrënuar. Nëse ngre sytë dhe shikon, e para gjë që mund të thuash është: Si mund të jetojnë në këtë rrënojë këto dy familje?! Përse janë institucionet në këtë vend?  Pse nuk ndërhyn kryetari i Bashkisë? Pse heshtin anëtarët e Këshillit Bashkiak? Ndoshta këta të fundit janë vetëm për të ngritur dhe ulur dorën. Në këtë dhomë të vetme, me tavan të rënuar dhe të ftohtë, flenë dy familje, aty gatuajnë, aty hanë, aty presin miqtë edhe pse nuk ka vend për njerëz të tjerë, ata përsëri e mbajnë derën hapur.  Por nuk është kjo e gjitha, sepse mjerimi i dy familve nuk ka fund, siç nuk ka as të rrëfyer

Të gjithë të sëmurë

Në këtë dhomë të mbetur ende më këmbë, anëtarët e familjes janë të gjithë të sëmurë. Bashkëshortja e Guraliut ka zënë krevatin prej 8 vitesh dhe nuk ngrihet dot. Çdo muaj i duhet të paguajë 6.6 mijë lekë për tre shishka ilaç; herë i gjejnë lekët dhe herë nuk i gjejnë dot. “Ilaçin ia hedhim në sy, – shpjegoj bashkëshorti i saj, – sepse rrezikon t’i prishet truri; së paku kështu i kanë thënë mjekët.  Vetë bashkëshorti i saj vuan nga syri i djathtë, por  nuk shkon te mjeku, përveçse herës së parë kur i thanë se duheshin 50 mijë lekë që të bënin operimin. Trishtimi ndihet në çdo cep të dhomës së vogël ku vetëm mjerimi rri si zotëri.  Askush prej tyre nuk beson se do të vijë një ditë që ta shohin veten të shëruar. Ndihen të harruar prej të gjithve, përveç njerëzve që i ndihmojnë me sa munden. E sëmurë është edhe vajza e Gëzim Çites, për për këtë vajzë të vogël, do të flasim më poshtë. Pak më ndryshe ndihet Gëzim Çite, por edhe ai thotë se ndihet i plevitosur, jemi aq të varfër sa nuk kemi mundësi të blejmë ilaçe.

Vajza e vogël, 15 vjeç

Edhe vajzës së vogël, ende adoleshente, vetëm 15 vjeç, i takoi fati të jetojë në një shtëpi, ku era dhe të ftohtit gjatë dimrit nuk ndahet për asnjë çast. Kjo është keqardhja më e madhe. Edhe pse anëtarët e dy familjeve janë vetë të sëmurë, luten që vajzën e vogël të bëhet mirë, të vijë  një ditë që ta shohin mirë me shëndet, sepse ka gjithë jetën përpara. Nëna e saj, Zhuljeta, nuk flet dot, mallëngjehet dhe  lotët i zbresin prej syve. “Vajza vuan nga epilepsia, – na tregon ajo, – por njëkohësisht është edhe e vërber, ka problem të rënda me shikimin. Para nëntë vitesh,  kujdesesha unë për të, paguhesha si kujdestare e saj, por prej 9 vitesh, kur vajza ishte 6 vjeç, ia hoqën kujdestarinë”. Pas kësaj, nëna e vajzës mbetet e heshtur mes lotëve. “A mund të lihet ky fëmijë pa kujdestar?”- pyet ajo. Në shtëpinë tonë vetëm mjerim dhe fatkeqësi ka. Dhe ndersa nëna e saj flet, 15-vjeçarja duket sikur nis e beson se fjalët e nënës së saj do të prekin dikë dhe  do të gjendet dikush që t’i ndihmojë. “Kryetari i Bashkisë, Gëzim Topçiu, na premtoi rregullimin e shtëpisë, vijon rrwfimin nwna e vajzws, por deri më sot nuk është bërë asgjë.  Jetojmë vetëm me pagesën e kempit, gjithsej 10 mijë lekë, çfarë të blejmë më parë me aq lekë, ilaçet e vajzës, apo për të ngrenë? Vetëm ilaçet bëjnë 9.8 mijë lekë, nuk ia dalim dot, ndihemi tejet të dëshpëruar dhe pas kësaj nëna e vajzë shkrehet në lot.