Jeta Katro: Gratë në listat elektorale, sfidë apo rritje numrash të zërave të heshtur?

    447
    Shekulli i korporatave, më në fund i ka pranuar burrat dhe gratë si dy gjini me aftësi komplementare, me nevoja dhe prioritete të ndryshme, shenjë kjo, që tregon se kultura tradicionale ka nisur të ndryshojë. Më parë, ajo i interpretonte të dy gjinitë si të ndryshme, nisur nga mentaliteti që mbronte diferencat biologjike dhe rolet shoqërore, të cilat dhe i konstruktoi në shekuj. Gjinitë sigurisht janë të ndryshme ndërmjet tyre, madje dhe jo të barabarta. Por, ajo çka ato kanë të barabartë janë të drejtat e tyre, që mesa duket mundën të influencojnë kulturën tradicionale, e cila tashmë ka nisur ta qarkullojë hierarkinë e pushtetit tek të dy gjinitë. Nuk janë të pakta rastet kur gratë sot në botë kanë postin e kryeministrit, kryetarit të shtetit apo atë të parlamentit. Kjo tregon se një kulturë dhe mjedis i ri po kultivohet, që le të kuptosh se si burrave, ashtu dhe grave do t’u krijohet mundësia të marrin atë çka ata dëshirojnë e meritojnë. Por për të arritur këtë do të duhet të maksimalizohet potenciali i kombinimit të diferencave të tyre. Në të kundërtën, ky progres pozitiv do të mbetet i ngadaltë dhe nëse vazhdon mungesa e politikave proaktive, do të duhen dekada pa fund për të mbyllur hendekun gjinor, apo për të sjellë një shkallë më të lartë të barazisë gjinore. Gjithsesi, një gjë është më se e qartë, që bota po ndryshon dhe bashkë me të edhe gratë.
    Klimë e re
    Kjo klimë e re ka nisur të ndihet edhe tek ne, edhe pse një vend i vogël e me zhvillime, që gjithsesi mbetet i mbarsur me trazira e spekulime pa fund. Është pikërisht kjo klimë, që reflektoi në deklaratat e dy partive më të mëdha në vend, PD e PS, që publikisht u shprehën për rritje të përfaqësimit femëror në listat elektorale të këshillave bashkiake në zgjedhjet lokale 2015. Partia Socialiste deklaron nëpërmjet kryetarit të saj, njëherazi dhe kryeministër i vendit, 50 % të përfaqësimit femëror në listat elektorale me renditje një burrë një grua. Partia Demokratike, tashmë në opozitë deklaron nëpërmjet kryetares së forumit të gruas, se do të kenë 12 gra apo 20 % gra kryetare bashkish. Këto deklarime duhen përshëndetur, edhe pse të vonuara, pasi duhej të ishin bërë më herët dhe në përputhje me deklaratat e Komisionit të Venecias dhe Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës (KMKE), që shprehen se kuotat gjinore elektorale mund të konsiderohen të përshtatshme dhe legjitime për të rritur përfaqësimin parlamentar të grave.

     Në deklaratën e KMKE-së (2009) “Të bëjmë barazinë gjinore realitet”u kërkohet vendeve anëtare të adaptojnë aksione pozitive dhe masa të veçanta për të arritur përfaqësim të balancuar në vendimmarrjen publike dhe politike. Në angazhimet dhe përpjekjet e saj për t’u bërë anëtare e familjes të madhe europiane, politika shqiptare gjatë proceseve të integrimit për në BE nuk e konsideroi seriozisht këtë rekomandim, duke mos e renditur atë në axhendën e prioriteteve të saj edhe pse shoqëria civile raportonte probleme shqetësuese. Por edhe BE nuk e listoi dhe as e prezantoi deficitin gjinor shqiptar në raportimet e saj, për të inkurajuar kështu vendet, që kishin nisur procedurat për bashkimin me të. Të kesh një partneritet të suksesshëm ndërmjet dy gjinive do të thotë ta nisësh herët këtë proces dhe ky ishte rasti më i përshtatshëm, që padyshim do të ndikonte në proceset e zhvillimeve në vend.
    Besimi
    Personalisht besova dhe besoj në të ardhmen në premtimin elektoral të Edi Ramës. Besoj, sepse premtimi i tij për më shumë gra në kabinetin e ministrave pas zgjedhjeve 2013, u bë realitet pas ardhjes në pushtet të PS-së (33 %). Ky realitet i ri theu tabunë e dy dekadave më parë (1992-2013), që e mbajtën peng gruan shqiptare për pozicionet e larta drejtuese të qeverisjes me një kuotë prej 7.1 % femra në kabinetin e ministrave. Besoj në këtë premtim, sepse edhe aleatët e PS-së, sidomos LSI, ka provuar të jetë e hapur ndaj grave, gjë që e tregoi me rezultatet e zgjedhjeve 2011 dhe 2013. Por e besoj këtë premtim edhe pse klima e re politike e sociale e krijuar në vend nuk e mbështet më kulturën e hierarkisë absolute mashkullore. Këto ishin dhe arsyet, që i shtynë socialistët të digjnin pretendimet e disa prej OJF-ve në vend për nevojën e ngutshme të përfshirjes në Kodin Elektoral të kuotës 40 % të përfaqësimit femëror në listat elektorale. Ka ardhur koha e aksioneve pozitive dhe masave të veçanta, më shumë se ajo e rritjes së numrave. Për më tepër që numri i rritur i grave jo domosdoshmërisht tregon se, ato janë pro politikave dhe programeve gjinore apo të afta për t’i mbrojtur ato.
    Në kampin tjetër 
    Në kampin tjetër, tek Partia Demokratike, për fat të keq kemi vetëm deklarim, që vjen jo nga niveli i lidershipit të PD-së. Ndaj këtij deklarimi në fakt mungon besimi për realizimin e tij për shkak të përvojave të mëparshme të kësaj partie ndaj fuqizimit politik të gruas, që ka pasur kuota gjithnjë më të ulëta, se ato të socialistëve. Përjashto vitin 1996, ku PD arriti kuotën më të lartë të përfaqësimit femëror në Kuvendin e Shqipërisë me mandat 1 vjeçar, treguesit e tjerë si në pushtet qendror ashtu edhe në atë lokal janë të ulëta dhe përkatësisht: 7.1% ministre femra në të gjitha vitet, kur ishte në pushtet krahasuar me 33 % të socialistëve në 2013-ën. PD ka 7.4 % gra deputete nga 10.8 % të socialistëve në 2005, 14.9 % nga 20.3 % të socialistëve në 2009-ën, dhe 19.5 % nga 20.5 % të socialistëve në 2013-ën. Në zgjedhjet lokale 2011, kjo parti kishte një përfaqësim femëror në listat elektorale për kryetar bashkie 1.5 % krahasuar me 2.5% të socialistëve dhe 8.5% të LSI-së. 

    PD vuri në listat elektorale 0 % gra si kryetare minibashkish nga 27.3 % të socialistëve dhe 18.2 % të LSI-së. Për rrjedhojë, rezultatet e saj në zgjedhjet lokale 2011 janë 0% gra fituese si kryetare bashkish dhe 0 % si kryetare minibashkish. Fakte të tilla, pavarësisht dëshirave dhe shpresave nuk inkurajojnë shumë besim. Një rol të rëndësishëm në krijimin e klimës së re kanë luajtur përpjekje te lëvizjes të gruas nëpërmjet implementimit në nivel nacional të programit rajonal “Gratë Mund T`ia Arrijnë” (1999-2008), që u kurorëzua me vendosjen e kuotës prej 30 % në statutet e partive politike në vitet 1999 e më pas, apo në Kodin Elektoral, në vitin 2008. Suksesi i këtij programi vërtetoi se, kuota prej 30 % luajti rol në rritjen e përfaqësimit femëror sidomos në Kuvendin e Shqipërisë, aq më tepër në krijimin e klimës pro gruas në mjedisin politik e social. Edhe pse numrat janë indikatorë që tregojnë ndryshim, duhet shkuar përtej kësaj nëse kërkojmë barazi gjinore.
    Sfida 
    Pavarësisht këtyre, ajo çka më bën të kem rezerva është, nëse premtimi elektoral i Edi Ramës do të jetë një sfidë apo thjesht një përpjekje për të rritur numrin e përfaqësimit femëror me zëra të shuar në organet e zgjedhura nga këto zgjedhje. PS ashtu sikundër dhe PD nuk japin asnjë modalitet për vendosjen e grave në listat e kryetarëve të bashkive apo komunave, që do të thotë, se për këto pozicione nuk kemi akoma ndonjë premtim konkret. Po ashtu, të sigurosh vendet për gratë si kandidate në listat elektorale e më pas edhe në organet e zgjedhura është vetëm njëra anë e problemit. Ana tjetër është nëse rritja e numrit të kryetareve femra në bashkitë apo komunat e vendit do të kapërcejë ndjeshëm kuotën më të ulët ndër vite të zgjedhjeve lokale 2011, ku numri i këtyre titullarëve të zgjedhur përbënte vetëm 1.6 %. Nuk dimë po ashtu, nëse gra potenciale do të mund t’i afrohen këtyre pozicioneve, që historia e këtyre 24 vjetëve ka treguar se, politika e ka pasur të vështirë t’u hapë rrugë. 

    Por ka dhe shumë çështje të tjera të paqarta që lidhen me pyetje për të cilat organizatat e grave nuk kanë marrë akoma përgjigje. Prandaj dhe nuk mund të shprehemi, nëse partitë politike janë të përgatitura për t’iu përgjigjur kësaj sfide. Kuotat që kanë në statutet e tyre apo aksionet dhe masat e ndërmarra duhet të sigurojnë progresin e grave në pozicione të lidershipit dhe jo të bëhen pengesë në progresin e tyre. Kjo çështje mesa duket nuk është parë seriozisht nga partitë politike shqiptare deri më sot në kuptimin e të gjitha aspekteve. Kjo çështje nuk mund të mbetet vetëm në kontekstin politik, pasi mbart shqetësime socio-ekonomike, që duhen adresuar, nëse duam realisht t’i fuqizojmë gratë për të luajtur rolin e tyre dhe për të ndërmarrë hapat e tyre drejt majave. 

    Kjo kërkon formim dhe zhvillim të kompetencave të grave të angazhuara në politikë nga vetë partitë politike, aftësim të tyre për të pasur një zë publik, vetëbesim ndërsa marrin pjesë në proces, që nis që nga niveli lokal. Vetëm kështu ato do të mund të arrijnë pozicione më të larta në nivel qendror. Kjo periudhë tranzicioni për to, nuk shërben vetëm për përgatitjen si menaxhuese, por edhe si drejtuese të institucioneve apo organeve drejtuese. Kjo strategji dhe ky informacion pothuaj është i pamundur të sigurohet prej partive politike, që na bën të besojmë se nuk ekziston. Sado të kenë zë gratë e zgjedhura për të prezantuar alternativa gjatë proceseve të zhvillimit apo për të artikuluar shqetësimet e komunitetit të grave, është një tjetër çështje që kërkon vëmendje. Përvojat në këtë drejtim, për fat të keq nuk inkurajojnë shumë. Për më tepër ato kanë treguar që shpesh gratë kanë qenë marioneta në duart e lidershipit apo forcave politike, ku aderojnë. Kjo dhe për shkak të mungesës së një konkurrence reale në proceset e kandidimit, përveç arsyeve të tjera, për të cilat jam shprehur dhe në shkrime të tjera. 
    A janë të dokumentuara masat dhe politikat gjinore nga partitë politike? Cilat janë të dhënat e tyre? 
    Kjo e fundit nënkupton të dhëna të herëpashershme të përkthyera në shifra e analiza, që tregojnë sa funksionojnë kuotat me bazë gjinore. Vetëm kështu mund të kuptojmë më mirë ekzistencën dhe shkallën e pabarazisë gjinore. Edhe këtë informacion nuk e gjen dot tek partitë politike shqiptare, ashtu sikurse nuk gjen informacion mbi strategjitë e tyre gjinore, planet apo programet e niveleve të ndryshme për të arritur një pjesëmarrje dhe përfaqësim të balancuar në organet vendimmarrëse, që nga institucioni i forcave politike e deri në organet vendimmarrëse të zgjedhura. Vëzhgimet dhe monitorimet e Rrjetit të Grave Millennium në vite tregojnë se, këto studime mungojnë. Kjo dëshmon se, partitë politike janë akoma të paafta në trajtimin e çështjeve gjinore, të njohura si elemente serioze në promovimin e zhvillimeve sociale dhe ekonomike në vend. 

    Cilat janë procedurat dhe kërkesat,që lidhen me procesin e selektimit të kandidatëve për listat e kandidimit? Ndoshta kjo është ndër çështjet më të rëndësishme për t’u parë. Për fat të keq, partitë politike si PDNJ, LSI,PR, PD, PS nuk kanë ndonjë nen apo pohim në statutet e partive të tyre mbi procesin e seleksionimit të kandidatëve. Kjo e fundit ka instruksione, ku prezanton kriteret për seleksionimin e kandidatëve në bazë të të cilave kandidati duhet të jetë anëtar partie, të përmbushë kërkesat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Kodit Elektoral, të ketë angazhim dhe kontribut politik, të njohë programin dhe politikat e partisë në nivel lokal e nacional, të ketë arsim të lartë dhe aftësi manexheriale dhe profesionale, reputacion të mirë dhe mbështetje të komunitetit, të jetë aktiv dhe i përkushtuar ndaj çështjeve elektorale, të ketë integritet moral e kuraje sociale për të luftuar korrupsionin dhe spekulimet. Vitet kanë provuar që shumë pak janë aplikuar këto kritere, gjë, që do të thotë se ato ekzistojnë në të shumtën e herëve vetëm në letër. Kjo mbase dhe për faktin që procesi për selektimin e kandidatëve sipas praktikave të deritanishme nga forcat politike i kanë lënë dorë të lirë lidershipit të tyre të veprojë duke e kontrolluar këtë proces. 

    Përplasjet pa fund, deri në absurd, të kampeve politike kundërshtare në Shqipëri në këto 24 vite tranzicioni, që janë udhëhequr edhe nga liderë ekscentrik, pa dyshim e injorojnë evolucionin duke iu rikthyer qasjeve të praktikave të vjetra e të aplikuara në të shkuarën e largët. Në përgjigje të këtyre situatave do citoja thënien e Nelson Mandelës, i cili shprehet: “Ajo që është e rëndësishme në jetë, nuk është fakti që kemi jetuar, por çfarë ndryshimesh kemi sjellë në jetën e të tjerëve, për të thënë sa e rëndësishme është jeta që duam të jetojmë”.
    Sigal