Ja si do të veprohet për banesat me truall ilegal/ Kreu i Kadastrës sqaron mbi fatin e 13 mijë banesave që janë ndërtuar me procedurë të parregullt. Lista e dokumenteve, bashkitë dhe pronarët e tokave që kompensohen në 7 qarqe

287

Kadastra/ Nis regjistrimi për rreth 13 mijë banesa me truall ilegal. Ja dokumentet dhe lista e qyteteve

 

Rreth 13 mijë banesa dhe troje në të gjithë vendin të ndërtuara pas vitit 1991, janë të paregjistruara për shkak të dokumentacionit të mangët të truallit, i cili është dhënë pa procedura të rregullta nga bashkitë. Së fundmi qeveria miratoi një VKM për trojet e shitura nga bashkitë ku përcaktohen rregullat dhe dokumentacioni për regjistrimin e këtyre trojeve dhe banesave në zyrat vendore të Kadastrës. Kreu i këtij institucioni, Artan Lame doli në një deklaratë ku shpjegoi VKM-në e re dhe zgjidhjen e situatës me trojet e ndërtuara pas 1991-shit. “Këto troje, në shumicën e tyre janë dhënë pa procedura të rregullta, me procedura që kanë mbetur varur, apo edhe pa procedura fare. Me këto dokumente qytetarët kanë vijuar ndërtimin dhe në fund janë gjendur përpara situatës ku nuk kanë mundur të regjistrojnë si të ligjshme banesat e tyre, për shkak të dokumentacionit të mangët të truallit.

Procesi i dhënies së këtyre trojeve nga Bashkitë ka filluar që në vitin 1991 me Komitetet Ekzekutive pluraliste, ka vijuar më pas vit pas viti me Bashkitë, ka njohur pikun e vet në vitet 1996-1998 dhe më pas ka qenë më i kufizuar, pavarësisht se në mënyrë absurde ka vijuar edhe në vitet 2006-2007. Them në “mënyrë absurde”, pasi me hyrjen ne fuqi të Ligjit të ri të Qeverisjes Vendore në vitin 2000, kjo procedurë ekstra/ligjore duhej të ishte shuar, por realiteti nuk ka qenë i tillë.”- u shpreh Artan Lame. Rekordin e banesave e mban Saranda me 3500 troje të dhëna në këtë mënyrë, ndërsa ka me shumicë në Gjirokastër, Përmet, Kolonjë, Tepelenë, Berat, Fier, Elbasan, Lezhë, Kukës, Shkodër, etj.  Qeveria përmes një vendimi të miratuar së fundmi, i hap dritën jeshile qytetarëve për të regjistruar trojet në përdorim në zyrat e Kadastrës. Lame foli dhe për mënyrën se si do i jepet zgjidhje kësaj situate, duke përcaktuar dhe tipologjitë kryesore. “Nëpër vite të gjitha qeveritë e kanë përballur problemin, por asnjëherë nuk i është dhënë zgjidhje shteruese dhe e detajuar ligjore atij. Lajmëroj me kënaqësi se edhe këtë problem e vumë në rrugën ligjore të zgjidhjes.  VKM e miratuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë (VKM 329/2019), përcakton rregullat dhe dokumentacionin e nevojshëm që mundëson regjistrimin në zyrat vendore të Kadastrës të këtyre trojeve dhe banesave.”

Tipologjitë kryesore:

  1. Procedura e shitjes së truallit ka qenë e parregullt apo si pasojë e neglizhencës së Bashkisë.
  2. Dokumentacioni i lejes së ndërtimit nuk ka qene i plotë.
  3. Qytetari ka bërë 30-50% të pagesës së truallit, por më pas nuk ka vazhduar procedurën, ose nuk ka paguar pjesën tjetër të detyrimit.
  4. Ligji për shitblerjen e trojeve i vitit 1995 dhe/ose me ligjin e vitit 2001, kishte konflikt me këtë procedurë dhe kontrollet e KLSH apo vetë zyrës e kanë evidentuar si shkelje.
  5. Qytetari i është drejtuar Bashkisë, por nga kjo e fundit nuk është vijuar me plotësimin e procedurës për paaftësi apo neglizhencë.

Qytetarët që e vuajnë këtë situatë, duhet të fillojnë të grumbullojnë dokumentacionin që kanë, pra aktin për dhënien e truallit, faturën e pagesës së truallit, lejen e ndërtimit përkatëse, apo çdo lloj dokumenti tjetër provues. Pas kësaj, duhet të paraqesin kërkesë pranë zyrave vendore të Kadastrës, për regjistrimin e truallit dhe të objektit përkatës.”

Dokumentet kryesore për të vazhduar procedurën për regjistrim, janë:

  1. Vendimi i bashkisë së asaj kohe, për dhënien qytetarit këtë tokë për ndërtim
  2. Kur kontrata e kalimit të pronësisë mbi tokën nga bashkia është firmosur, pra është bërë sipas legjislacionit të kohës
  3. Nëse nuk ekziston, por është bërë në formë tjetër jo-noteriale, por disponohen mandat pagesat e vlerës së truallit
  4. Nëse nga qytetari posedohen dokumentacioni i lejes së ndërtimit, pasuria kalon në procedurë regjistrimi.
  5. Nëse nuk ka dokumentet për lejen e ndërtimit, por mund të vërtetojë se ka vendimin e marrjes së truallit nga bashkia ose mandate pagesat për truallin, kalon në procedurë legalizimi, por nuk do të paguajë për parcelën ndërtimore (legalizimi trajton vetëm objektin), duke e konsideruar ndërtimin si në pronën e vet kërkuesit.
  6. Nëse përfituesi i pronës ja ka kaluar të tretëve me shitje apo dhurim (jo trashëgimi) përpara kësaj VKM-je, ASHK kalon në pronësi apo heq kufizimin dhe e disponojnë të lirë.
  7. Nëse trualli është i lirë dhe s’është bërë ndërtimi procedohet me regjistrimin e truallit vetëm në rastet kur mbi këtë truall ka tituj të pronësisë të regjistruar më parë (të mbivendosur).

Kur ka mangësi të dokumenteve të lart përmendura, por për subjektin është miratuar të paktën vendimi i Bashkisë për dhënien e tokës për ndërtim, regjistrimi i pronësisë ose heqja e kufizimit, kryhet pasi Bashkia të ketë plotësuar mangësitë e dokumentacionit ose procedurat e kalimit të pronësisë. Nëse Bashkia nuk vepron brenda 3 muajve, atëherë qytetarit i lind e drejta për ta çuar në Gjykatë.

Kontratat e shitjes së truallit nga organet vendore

 

 

Nr

 

Drejtoria

 

Numri i përafërt i tyre

1 Tirana 90
2 Berat 1200
3 Durrës 120
4 Elbasan 400
5 Fier 1000
6 Gramsh 135
7 Gjirokastër 2500
8 Kolonjë 300
9 Korçë 120
10 Kukës 500
11 Librazhd 20
12 Lezhë 50
13 Sarandë 3000
14 Shkodër 350
15 Tepelenë 500
16 Vlorë 45
17 Përmeti 1500
     TOTALI 11740