Ja mënyrat se si CEZ vjedh konsumatorin e energjisë elektrike

    487
    Sigal

    Aksion ligjor ndaj CEZ-it për të ndaluar abuzimet ndaj konsumatorëve të energjisë elektrike

    Abuzimet e CEZ me konsumatorët ndodhin çdo 30 sekonda dhe janë gjithshfarëllojesh.  ZMK konstaton se CEZ është një kompani që po vjedh si shqiptarët nëpërmjet abuzimeve, dhe po ashtu po vjedh shtetin shqiptar nëpërmjet një evazioni fiskal të papërmasë dhe të pakrahasuar. Ja si i vjedh konsumatorët CEZ-i.

    1- Mbifaturimi nëpërmjet aparateve matës të paligjshëm, pasi nuk janë kalibruara në mënyrë të pavarur ashtu siç e kërkon legjislacioni shqiptar dhe kjo vjen si pasojë e aparateve matës të manipuluar nga vetë CEZ.

    2- Faturimi i pallogaritur në bazë të aparateve matës, i cili ndodh rregullisht ndaj shumë konsumatorëve, të cilët nuk kanë asnjë mundësi të kryejnë verifikimet e aparateve të tyre matës.

    3- Mbifaturimit të konsumatorëve familjarë që jetojnë në banesa të përbashkëta i shtohet edhe një vlerësim absurd i konsumit të përbashkët.

    4- Praktikat financiare të lidhjes së kontratave të energjisë lidhen me shuma marramendëse dhe absurde dhe kjo sidomos në rastet kur abonentët e rinj kanë godina të reja

    5- Kryerja e pagesave të rregullta dhe mos hedhja në sistem nga ana e stafit të CEZ, duke i vendosur konsumatorët përpara detyrimeve të pavërteta.

    6- Vendosja e detyrimeve të vjetra për konsumatorët e rregullt, duke u shpikur muaj të mëparshëm, apo vite të mëparshme. Si mund të ketë paguar një konsumator muaj të tërë dhe të ketë pasur muaj më parë pa paguar?!

    7- Luhatjet e tensionit të energjisë elektrike janë shkaku i shkatërrimit dhe amortizimit të dhjetëra mijë pajisjeve elektroshtëpiake në të gjithë Shqipërinë. Rreth 90% e difekteve të pajisjeve elektroshtëpiake sipas tyre vjen nga luhatjet e energjisë së CEZ. Dhe CEZ nuk mban asnjë përgjegjësi për këtë dëm të pakrahasueshëm pasi sistemi është ndërtuar i tillë që asnjëherë të mos vërtetohet se në cilën orë dhe në cilën zonë u luhat energjia. Kontratat e reja të energjisë elektrike nuk kanë asnjë mekanizëm real për matjen e luhatjeve të tensionit pasi CEZ nuk ka instaluar një sistem dixhital për gjurmimin e cilësisë së energjisë dhe entet rregullatore nuk kanë asnjë mekanizëm matjeje çka e bën çdo pretendim të konsumatorëve nul në çdo gjykatë apo komision vlerësimi.

    8- Vetë praktika e dorëzimit të faturave nga ana e CEZ është në shkelje të plotë të ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve Neni 40 pika 5, ku fatura nuk i dorëzohet dorazi apo me postë konsumatorit në adresën e deklaruar të banimit. CEZ ka shmangur shërbimin postar dhe një pjesë të faturave nuk i dorëzon fare dhe një pjesë tjetër i lë para pallateve duke i dhënë mundësi kujtdo ti kontrollojë duke shkelur një ndër kushtet minimale të ruajtjes së të dhënave personale.

    9- Një lojë tipike e CEZ është faturimi nën konsum i energjisë me qëllim shtimin artificial të kuotës së fashës mbi 300 KVvh me qëllim vendosjen e një çmimi më të lartë për konsumatorë.

    10-   Sistemi i pagesave të faturave është një kalvar më vete për konsumatorët pasi radhët e gjata dhe kushtet e papërshtatshme të pagesës në orare dhe vendndodhje e bën CEZ-in kompaninë më absurde.

    11- Ristrukturimi i detyrimeve është një lojë tipike e padrejtë tregtare ku CEZ detyrimet e prapambetura që në shumicën e rasteve janë abuzive i aplikon sikur të jetë një bankë e cila përdor kreditimin dhe kjo ndalohet me ligj.  CEZ është një kompani që po vjedh si shqiptarët nëpërmjet abuzimeve, dhe po ashtu po vjedh shtetin shqiptar nëpërmjet një evazioni fiskal të papërmasë dhe të pakrahasuar.

    _______________________________________________________________________________

    JA SI VJEDH CEZ-i

    Mbifaturimi nëpërmjet  aparateve matës të paligjshëm pasi nuk janë kalibruara

    – Faturimi i pallogaritur në bazë të aparateve matës

    – Kryerja e pagesave të rregullta dhe mos hedhja në sistem nga ana e stafit të CEZ

    – Praktikat financiare të lidhjes së kontratave të energjisë

    – Vendosja e detyrimeve të vjetra për konsumatorët e rregullt duke u shpikur muaj të mëparshëm apo vite të mëparshme

    – Luhatjet e tensionit të energjisë elektrike janë shkaku i shkatërrimit dhe amortizimit të dhjetëra mijë pajisjeve elektroshtëpiake

    – Praktika e dorëzimit të faturave nga ana e CEZ është në shkelje të plotë të ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve

    – Një lojë tipike e CEZ është faturimi nën konsum i energjisë me qëllim shtimin artificial të kuotës së fashës mbi 300 KW

    – Sistemi i pagesave të faturave është një kalvar më vete për konsumatorët

    – Ristrukturimi i detyrimeve është një lojë tipike e padrejtë tregtare

    _______________________________________________________________________________

    JA INSTITUCIONET SHTETËRORE QË JANË BASHKËFAJTORE ME ABUZIMET E CEZ-IT

    – Enti Rregullator të Energjisë të cilit do ti kërkojë një hetim të matjes së cilësisë së energjisë, praktikat e instalimeve të reja, sistemin e ankesave.

    – Autoriteti Kombëtar të Konkurrencës, për abuzim me pozitat dominuese të monopolit duke i detyruar konsumatorët të kryejnë pagesa mbi konsumin përballë detyrimit të mbetjes pa energji dhe ofrimin e një shërbimi jo cilësor si pasojë e mungesës së alternativës.

    – Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorëve, për praktikat e faturimit të energjisë dhe dëmtimin e pajisjeve elektroshtëpiake, moszbatimin e detyrimeve kontraktuale, etj.

    – Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit, për gjendjen e kolaudimit të aparateve matës të energjisë në të gjithë Shqipërinë

    – Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim Taksave, për evazion fiskal në shifra ekstreme nëpërmjet sistemit të pagesave të faturave nga konsumatorët, pasi konsumatorët nuk pajisjen me kupon tatimor në momentin e kryerjes së pagesave .

    – METE-s, e cila duke qenë aksionere në kompani ka të drejtë të kërkojë informacion për nivelin e investimeve dhe matjes reale të humbjeve dhe shkaqeve reale, si dhe për praktikën e sistemit të ankesave të konsumatorëve.

    – Prokurorisë së Tiranës, për vjedhjen që CEZ kryen ndaj konsumatorëve shqiptarë nëpërmjet mbifaturimeve të energjisë elektrike, dhe ndaj zyrtarëve të METE-s  për shpërdorim detyre duke dëmtuar sistemin e ankesave të konsumatorëve të energjisë.