Ja çfarë duhet të bëjnë Shqiptarët për të emigruar në Kanada

1830
Sigal

Eksperti i emigracionit sqaron kushtet e përfitimit të lejes së punës, bashkimit familjar, vizës së shkollës dhe pse shqiptarët nuk duhet të aplikojnë për azil në shtetin kanadez. Kriteret: Gjuha, profesioni, mosha, punëdhënësi dhe diploma

Eksperti i emigracionit sqaron kushtet dhe procedurën e përfitimit të lejes së punës, bashkimit familjar, vizës së shkollës dhe pse shqiptarët nuk duhet të aplikojnë për azil në Kanada

Ja çfarë duhet të bëjnë shqiptarët për të emigruar në Kanada

Kriteret: Gjuha, profesioni, mosha, kontrata e punës, diploma e profesionit etj.

Kanadaja është një prej shteteve që ka treguar një qasje pozitive ndaj pranimit të emigrantëve të huaj, gjatë viteve të fundit. Shteti kanadez ka raportuar në disa raste se ka nevojë për fuqi punëtore në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, për këtë arsye janë thjeshtuar procedurat e marrjes së një vize apo leje pune. Në vitet e fundit Kanadaja ka pranuar rreth 300 mijë emigrantë çdo vit, pjesë e të cilëve mund të jenë dhe qytetarët shqiptarë, për sa kohë që plotësojnë disa kushte specifike. Eksperti shqiptar i emigracionit në Kanada, avokat Gjergji Hasa ka folur në një intervistë për portalin e shqiptarëve të Kanadasë “Flasshqip.ca” duke dhënë detaje mbi mënyrën dhe kushtet që duhet të plotësojnë qytetarët shqiptarë për të emigruar në Kanada. Sipas tij një nga kriteret kryesore për t’u pranuar në shtetin kanadez është perfeksionimi i gjuhës angleze ose franceze. Në qoftë se para 10 vjetësh të jepnin shumë pikë për moshën dhe shkollimin e aplikuesit, sot jepen shumë herë më shumë pikë për nivelin e gjuhës. Hasa thekson se të rinjtë shqiptarë janë duke ardhur përmes vizave të studimit, pasi niveli i lartë i gjuhës nuk është kusht për të studiuar atje. Gjithashtu ai thotë se Kanadaja është një nga vendet e fundit perëndimore që ka programe të posaçme për studentët e huaj që të marrin rezidencën e përhershme dhe pas tre vitesh nënshtetësinë kanadeze. Ndërkohë, sa i përket bashkimit familjar, ai është i kufizuar në kategori dhe në numër. Këtu përfitojnë gjyshërit, prindërit, bashkëshortët dhe fëmijët. Fëmijët janë të kufizuar deri në moshën 22 vjeç dhe, nëse fëmija e kalon këtë moshë, ai ose ajo nuk mund të sponsorizohet. Eksperti Gjergji Hasa shprehet se nuk do i inkurajonte shqiptarët që të kërkojnë azil në Kanada pasi qytetarët e vendit tonë nuk i plotësojnë kushtet e vendosura nga qeveria kanadeze për azilkërkuesit

Workers

Kohët e fundit, janë të shumta lajmet që mbërrijnë në Shqipëri të cilat flasin për një politikë favorizuese të Kanadasë në drejtim të emigrantëve. A duhet ta shohin shqiptarët Kanadanë si një alternativë për të emigruar?
Ajo që duhet të kuptojmë të gjithë teksa lexojmë këto lajme është fakti që arsyeja e parë pse Kanadaja ka këto politika emigrimi është interesi i saj ekonomik. Shqiptarët mund ta shohin Kanadanë si një alternativë për të emigruar vetëm duke menduar për t’i shërbyer ekonomisë së saj dhe në të njëjtën kohë që të përfitojnë edhe ata. Kanadaja pranon rreth 330 mijë emigrantë në vit. Popullsia e Kanadasë është duke u vjetruar dhe ka nevojë për të mbushur boshllëqet që po krijohen duke e ditur që Kanadaja është një ekonomi e zhvilluar dhe në zhvillim. E vërteta është që politika favorizuese e Kanadasë është për t’i shërbyer ekonomisë së saj dhe nëse një emigrant nga Shqipëria, India apo Kina mund t’i shërbejë ekonomisë së Kanadasë, atëherë patjetër që Kanadaja ka një politikë favorizuese. Në të kundërt, nuk do thosha që Kanadaja ka një politikë favorizuese.
Cilat janë disa nga format që mund të përdorin shqiptarët për të emigruar në Kanada?
Në dhjetë vitet e fundit politika emigruese e Kanadasë ka ndryshuar dhe është bërë më e vështirë, sepse kërkesat janë shumë të larta nga e gjithë Bota kështu që Kanadaja synon të zgjedhë emigrantët më të kualifikuar. Kriteri që ka ndikuar më tepër në seleksionimin e emigrantëve që vijnë në Kanada është perfeksionimi i gjuhës angleze dhe franceze. Kjo sërish është e lidhur me interesat ekonomike të Kanadasë. Në qoftë se para 10 vitesh të jepnin shumë pikë për moshën dhe shkollimin e aplikuesit, sot jepen shumë herë më shumë pikë për nivelin e gjuhës. Për shembull, në procesin e “Express Entry” për të kapur pikë kyçe që të arrish pikët minimale (rreth 440 pikë) për një ftesë për rezidencë të përhershme duhet të kesh nivelin e IELTS mbi 7. Ky është një nga ndryshimet thelbësore. Rritja e kriterit të gjuhës ka kufizuar jashtë mase emigrimin e shqiptarëve drejt Kanadasë si rezidentë të përhershëm. Duke e ditur që shqiptarët e kanë të vështirë të arrijnë nivelin 7 të IELTS, eliminohen, kurse për të emigruar në Quebec duhet frëngjishtja në një nivel mesatar të avancuar që është B2. Në vitet e fundit edhe ky kriter u rrit nga B1 në B2. Kjo më nxjerr në konkluzionin që pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë, duke e vënë re edhe në punën e përditshme si avokat në fushën e emigracionit, janë duke ardhur përmes vizave të studimit ku zotërimi i anglishtes apo frëngjishtes nuk kërkohet të jetë i lartë. Me sa di unë, Kanadaja është një nga vendet e fundit perëndimore që ka programe të posaçme për studentët e huaj që të marrin rezidencën e përhershme dhe pas tre vitesh nënshtetësinë kanadeze.

Si mund të emigrohet në Kanada përmes lejes së punës, studimeve, bashkimit familjar dhe “Express Entry”?

Një shtetas i huaj, një emigrant nuk mund të marrë leje pune pa pasur punëdhënës në Kanada. Kanadaja ka një sistem mbrojtës të interesave të saj që të mos vijë një i huaj dhe t’i marrë vendin e punës një kanadezi ose një rezidenti të përhershëm, për shembull duke e konkurruar një shtetas kanadez me pranimin e një pagese më të ulët. Jo vetëm gjendja ekonomike e punëdhënësit, por edhe pozicioni që do ketë emigranti në kompani duhet të ketë një lidhje të drejtpërdrejtë me eksperiencën profesionale të punonjësit dhe pozicioni i lirë që i ofrohet emigrantit të kompani. Për shembull, një kompani ka nevojë për një IT. Që të punojë si IT rregullorja në Kanada (e njohur si National Occupational Classification) i kërkon që të ketë patjetër një diplomë universitare për atë vend pune. Në qoftë se këto të dyja nuk lidhen, ky duhet të jetë një alert për një emigrant që aplikimi nuk do të ketë sukses, pasi nuk plotëson një nga kushtet bazë. Një shembull tjetër është ai i kuzhinierit ku nuk kërkohet gjithmonë diplomë, por kërkojnë disa vite eksperiencë, pra më shumë se dy vite. Në qoftë se nuk plotëson kushtin e eksperiencës së punës, përsëri aplikimi do të refuzohet. Agjentët e emigracionit marrin tepër seriozisht çdo kriter dhe, nëse një prej kritereve nuk plotësohet, aplikimi refuzohet.

Bashkimi Familjar

Sa i përket bashkimit familjar, ai është i kufizuar në kategori dhe në numër. Këtu përfitojnë gjyshërit, prindërit, bashkëshortët dhe fëmijët. Fëmijët janë të kufizuar deri në moshën 22 vjeç dhe nëse fëmija e kalon këtë moshë, ai ose ajo nuk mund të sponsorizohet. Aplikimet për t’u bashkuar me prindërit apo gjyshërit janë në rritje, por të limituar në 20,000 aplikime për 2019, ishte 10,000 në 2018, dhe 5,000 kur qeveria konservative e ish-kryeministrit Harper ishte në fuqi.

“Express Entry”

Sa i përket “Express Entry”, ky proces ka në total 1200 pikë dhe 600 pikë jepen për aftësitë personale të një kandidati. Pikët e tjera jepen nëse, për shembull, kandidati është i përzgjedhur nga një provincë në Kanada. Në qoftë se një kandidat nuk ka 440-450 pikë në “ExpressEntry” do të jetë shumë e vështirë që t’i përzgjidhet kandidatura. Gabimi që bëjnë kandidatët është që në vend që të marrin një profesionist në fillim për t’u bërë një vlerësim të të gjithë komponentëve dhe për t’i nxjerrë pikët e përafërta, ata fillimisht aplikojnë duke harxhuar mbi 1 mijë dollarë në pagesa të ndryshme për të përgatitur dhe dorëzuar aplikimin dhe në fund e shohin që janë larg kufirit minimal.

A ka mundësi ligjore për një shqiptar që të fitojë azilin në Kanada?
Për shumë arsye, nuk do i inkurajoja shqiptarët që të kërkojnë azil në Kanada. Për çdo shqiptar që do të dijë informacionin që ka qeveria kanadeze për Shqipërinë, ata mund ta lexojnë në një faqe të posaçme të ‘Immigration and Refugee Board of Canada (IRB)” që quhet “National Documentation Packages (NDP)”. Në seksionin për Shqipërinë do të shohin me dhjetëra dokumente që japin informacion në të gjitha fushat e mundshme në lidhje me gjendjen në Shqipëri që mund të ketë lidhje me kriteret e nevojshëm për përzgjedhjen e azil kërkuesve. Ajo që del nga këto dokumente është që Kanadaja ka informacion që ndihma e shtetit për të mbrojtur shtetasit e saj ekziston në Shqipëri. Sa e vërtetë është kjo në jetën e përditshme të shqiptarëve në Shqipëri është pyetje tjetër por sot këtë informacion ka Kanadaja se këtë pikësynim ka edhe qeveria aktuale. Por, me pak fjalë, dëshiroj ta bëj të qartë që, nëse një shqiptar nuk kërkon ndihmën e shtetit shqiptar (duke siguruar provë dokumentare për këtë) përpara se të vijë dhe të kërkojë azil në Kanada, shanset janë shumë të larta që kërkesa e tij të refuzohet.

Një familje shqiptare që vendos të emigrojë, sa kohë i duhen afërsisht për t’u integruar në tregun e punës apo plotësisht në Kanada?
Përgjigjja shkurt e kësaj pyetje, do të ishte që një ndryshim të parë profesional në Kanada e sheh mes vitit të katërt dhe të pestë dhe më pas çdo pesë vjet. Duhet të investosh në një profesion, ose nëse fillon universitetin do të duhen 3 vite ta kryesh dhe më pas sa të gjesh veten dhe të bësh vend në atë profesion. Në tregun e punës besoj se integrohesh kur ke kryer ekuivalencën e studimeve ose ke kryer studimet në Kanada dhe je në të njëjtin nivel arsimor me një kanadez. Kur arrin në këtë nivel, në Kanada quhesh i barabartë. Në metropolet e Kanadasë nuk ka diskriminim në qoftë se je i zoti: nëse dy persona janë me aftësi të barabarta profesionale, vendi i punës i ofrohet më të zotit, nuk shikohet prejardhja.

Kemi dëgjuar që Kanadaja është një shtet shumë social. Çfarë i ofron qeveria kanadeze një familjeje me fëmijë të vegjël dhe të sapoardhur në Kanada?

Kanadaja është një shtet social por është kapitalist social. “Kapitalist” në jetën e përditshme dhe në një gjuhë të thjeshtë do ta interpretoja si “garo për të ndihmuar veten tënde”. Termi ‘social’ do të thotë që nëse nuk ke mundësi të ndihmosh veten tënde, ‘ne nuk të lemë të vdesësh’, por jo të lulëzosh. Në një botë perëndimore kapitaliste, mund të themi që Kanadaja është një shtet social sepse disa shërbime janë falas. Në krahasim me Amerikën janë si nata me ditën për sa i përket shërbimeve falas që ofrohen apo ndihmës që i jepet individëve në nevojë. I pasuri i Amerikës është më i pasur se i pasuri i Kanadasë por ama edhe i varfëri i Amerikës është më i varfër se ai i Kanadasë. Pika e dytë, një personi të papunë i ofrohet një ndihmë sociale, e cila në fakt është sa për të mbijetuar dhe unë mendoj se kjo ndihmë më shumë të lë mbrapa sesa të ndihmon. Unë personalisht ndihmën sociale e shoh si ‘një gur’ ku duhet të shkelësh përkohësisht dhe të hidhesh diku tjetër. Mund ta marrësh për një kohë të shkurtër, por jo për shumë gjatë. Rasti më ekstrem janë bankat që nëse ke një rrogë të ndihmojnë përmes kredisë për të blerë një shtëpi, por me ndihmë sociale nuk ta japin kurrë kredinë.

Çfarë do t’i këshillonit një pjesëtari të familjes suaj, nëse vendos të emigrojë në Kanada?
Pjesa më e madhe e familjes sime gjendet jashtë Kanadasë dhe të gjithë më kanë pyetur se si mund të emigrojnë dhe u kam dhënë të njëjtën përgjigje. Këshilla ime do ishte e ndryshme për ata që janë jashtë Kanadasë dhe ata që janë brenda Kanadasë me dokumente të rregullta. Atyre që janë jashtë Kanadasë do t’i këshilloja të mësonin në një nivel mesatar një nga gjuhët zyrtare të Kanadasë dhe të kenë vullnetin, mundësinë financiare dhe dëshirën për t’u arsimuar në Kanada që të kenë një mundësi të emigrojnë në këtë vend. Pa gjuhë dhe pa dëshirë për t’u arsimuar, reduktohen shanset me rreth 80-90%. Për ata që janë në Kanada, këshilla ime do të ishte përmirësimi i gjuhës në një nivel mbi mesataren dhe marrja e një profesioni.