Izet S. Çulli: Gjendja e mjeruar në spitalet e Kryeqytetit

826

“…Të mërzitshëm si spitalet!”

Izet S.Çulli

Spitalet tona, sipas kushteve konkrete, historikisht ngrohjen e siguronin me soba për dru zjarri e më pas me lëndë të ndryshme djegëse, kaloriferë që punonin me ngrohtore (kaldaja) e mandej me kondicionerë. Një periudhë e tillë kohore përfshinte nga 15 nëntori deri më 15 mars. Po kishte raste, mbështetur në rrethanat atmosferike, mbajtja në normë e temperaturës së institucioneve zgjaste edhe më tepër si para ashtu edhe mbas këtyre datave.

Sot, në ditët  e këtij janari të acartë në klimë, ekonomi e politikë ,ç’ndodh sipas asaj që kemi vëzhguar edhe kur kemi pasur pacientë tanët për t’u trajtuar në spitale?

U pa nga gjithkush se çfarë ngjau në spitalin e rinovuar të Durrësit, ku në katër kate  shpërthyen tym e flakë transformatorët!  Pse ndodhi diçka e tillë? Shkakun besoj se e kanë zbuluar personat përgjegjës apo kompetentë të organeve përkatëse.  Mendojmë se një prej tyre  e më kryesori duhet të jetë, ngarkesa e madhe elektrike  si rezultat i përdorimit të mjeteve disi primitive ngrohëse si furnela elektrike  prej familjarëve me halle të ndryshëm. Dhe do të ishin rrezikuar jetë njerëzish,të sëmurë e të shëndoshë, nga ai zjarr apo asfiksi të mundshme.

Duhet të theksojmë se e njëjta situatë shihet edhe gjetkë. Ja p.sh. në Spitalin e Përgjithshëm të Traumës (Laprakë), problemi mbetet i njënjëshëm, ku nuk ka fare ngrohje prej kohësh. “Shyqyr,-tha një shoqëruese e një pacienteje, Mjaftimja,-që këto ditë  të para të janarit, na ka ndihur dielli sadopak në mesditë.” Një tjetër, Fejzua, u shpreh se, a e përfytyroni dot që në ç’gjendje është i operuari kur del nga salla e operimit dhe drejtohet në  pavijonin me dhoma të akullta?! Kushtet më minimale duhet të sigurohen, sepse jo rrallë në institucionin e mësipërm mungonte edhe  uji i ftohtë i rrjedhshëm(!).Mjekët atje e kudo bëjnë një punë heroike e të mundimshme dhe nuk mund të merren me çështje të tillë në dukje të vogla, por sidoqoftë edhe këta, duhet ta ngrenë zërin atje ku mund  të merret parasysh…

Menaxhimi i këtyre qendrave jetësore  të bëhet me maturi e jo të lihen për t’i lyer p.sh. në këto ditë dimri. Atje ka repart prapavije, mirëmbajtjeje për t’i pasur ato në gjendje pune e jo t’i lihet rastësisë. Ky shërbim kaq humanitar,siç është mjekësia për vetë dhimbjet, shqetësimet, trysnitë, ankthet, pasiguritë e fatkeqësitë e mundshme, bëhen të bezdisshëm. Atëherë pse t’i shtojmë ne ato me shpërfilljen dhe pakujdesinë tonë? Poeti V. Majakoski ka një gjysmë-varg në një nga poemat e tij “…të mërzitshëm si spitalet.”