Sigal

Kreu i Aleancës së Ushtarakëve Nevruz Sako: Ushtarakët janë debitorë prej paaftësisë së krijuar nga ligje e vendime që kundërshtojnë njëri-tjetrin. Rillogaritjet gabim të pensionit të parakohshëm dhe pleqërisë nga Qendra e Rekrutimit, vendimit i Kushtetueses, Gjykatës së Lartë dhe Akti famëkeq Normativ. Ja pse vendosëm ti bëjmë publike korespondencat me ISSH dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Nevruz Sako,

Sekretar i Përgjithshëm i AKUSH

Debi të krijuara nga ligje e vendime  që kundërshtojnë njëri-tjetrin dhe zbatimi jo i rregullt nga sigurimet shoqërore, kësaj i thonë që: – kur gabon shteti ( nëpunësit e tija)  “e ha” mileti. Kryesia e shoqatës së ushtarakëve “ Aleanca  Kombetëre e Ushtarakëve të Shqipërisë” në analizën  e ankesave të ushtarakëve  pensionist të parakohëshëm dhe pensionist pleqërije për debitë e krijuara, konkludoi se:

– Ushtarakët padrejtësisht janë bërë debitorë. Ata nuk kanë bërë fallsifikime dokumentesh,  nuk kanë kërkuar shtesa më shumë se sa u takon me ligj, madje kanë marrë më pak se sa u takon sipas  STATUSIT TË USHTARAKUT,  i vitit 2004.  Megjithatë sigurimet shoqërore i kanë bërë debitorë  dhe ju mbajnë paratë, gjë që është e padrejtë dhe cënon nivelin jetik të tyre dhe familjarëve të ushtarakëve.

– Disa janë bërë debitorë  nga viti 1999, kur filloi pensioni suplementar, dhe në vitin 2000 e më tej, në vend të shtesës me VKM  për pensionin e pleqërisë ju kanë dhënë shtesën për pensionin të parakohëshëm,  dhe kjo (zbulohet)  konstatohet nga zbatimi i VKM Nr. 409, data 01.06.2016, në vitin 2016.

– Me mijëra oficerë pensionistë të parakohëshëm, që kanë punuar dhe kanë paguar sigurime shoqërore sipas ligjit, por që nuk lejohej  me ligj të punonin, më vonë u lejua me ligj që edhe të punonin, duke paguar sigurime, sot janë bërë debitorë.

– Një grup tjetër, me mijëra pensionist do të jenë debitorë, kur të hyjë në fuqi  Vendimi Nr. 3, datë 24.11.2016 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Arsye të tjera janë:

– Kanë shkelur kufijtë ligjorë të moshës së ushtarakut, si përfituesë në pension të parakohëshëm në rast punësimi në kundërshtim me pikën 3 të nenit 35  të Statusit të Ushtarakut të 23 Marsit 2004.

– Vonesa  në lidhjen e pensionit të parakohëshëm për vjetërsi shërbimi nga ISSH.

– Nuk janë paguar nga buxheti i shtetit  kontributet e sigurimeve shoqërore për ushtarakët nga 1.7.1992 deri 31.12.1998, kur kjo periudhë njihet si periudhë sigurimi për efekt të pensionit të plotë të pleqërisë.

– Nuk bëhet trajtimi shëndetësor, rimbursimi i medikamenteve sipas Statusit të Ushtarakut.

Rillogaritje gabim të pensionit të parakohëshëm dhe të pleqërisë nga Qendra e Rekrutimi si:

– Pagesat gabim të shtesave për gradë ushtarake, duke ju dhënë një gradë më të ulët,

– Mosnjësimi i gradës me funksionin, sipas dispozitës ligjore dhe urdhërit të MM,

– Mangësi në llogaritjen e vjetërsisë së shërbimit, etj.

– Për këto e të tjera arsye që nuk janë për faj, apo gabime të ushtarakëve, por të  sigurimeve shoqërore dhe të ligjeve  e VKM-ve që kundërshtojnë njëri tjetrin, si dhe për interpretim dhe zbatim jo të rregullt të ligjeve dhe vendimeve nga sigurimet shoqërore, ushtarakët janë debitorë. Megjithë ankesat dhe kërkesat e ushtarakëve për t’i falur, nuk merren parasysh. Unë shtroj pyetjen: Përse nuk falen këto borxhe,  kur janë falur me miliarda lekë për vjedhje të energjisë elektrike,  për mos pagim tatim-taksash etj, dhe përse jo  për ushtarakët, që janë borxhli, jo për faj apo gabim të tyre? Për këto e të tjera arsye dhe argumente, Kryesia e AKUSH i dërgoi këto ankesa në portalin e bashkëqeverisjes, për Shqipërinë që duam dhe menjëherë na u dha përgjigje nga MM, Kabineti dhe  sigurimet shoqërore. Ja përgjigjet e tyre:

Më posht1 gjeni përgjigjen nga Ministria e Mbrojtjes.

Ja kemi nisur kërkesën edhe ministrisë së Financave, por akoma nuk ka ardhur përgjigje.

Përgjigje ndaj kërkesës tuaj me Numër:45008 :

Duke ju falenderuar për mesazhin në adresë të Zyrës së Bashkëqeverisjes. Lutem gjeni më poshtë përgjigjen e ardhur nga Ministria e Mbrojtjes. Në lidhje me kërkesën e subjektit Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë (AKUSH), drejtuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë nëpërmjet Platformës së vetëqeverisjes, shprehemi se: Parimisht jemi dakord për zgjidhjen e problemit të krijuar, si pasojë e zbatimit të vendimit nr 3. Datë 24.11.2016, i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. AKUSH, në kërkesën e saj për fillimin e procedurave për propozim të një Projektakti (VKM), nëpërmjet të cilit kërkon faljen e të gjitha borxheve të krijuar, si pasojë e zbatimit të vendimit të Gjykatës cituar sa më lart. Objekti dhe qëllimi i Projektvendimit, do të prekte në mënyrë të drejtpërdrejtë veprimtarinë dhe fushën e përgjegjësisë së Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë. Po t’i referohemi Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 584, date 28.8.2003 “Për Miratimin e Rregullores së Këshillit të Ministrave”, i ndryshuar, kreu II, pika nr.3, nr. 4) përcakton se: KREU II NISMA PER PROJEKTAKTIN 3. Kryeministri dhe çdo ministër kanë të drejtën e propozimit të projektakteve për shqyrtim ne Këshillin e Ministrave. 4. Ministrat e ushtrojnë këtë të drejtë në përputhje me fushat e veprimtarisë shtetërore që kanë në kompetencë, si dhe me përgjegjësitë që burojnë nga strategjitë dhe dokumentet e tjera të miratuara për drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore. Në vendimin e këshillit të Ministrave nr. 503, datë 13.09.2017, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë”, në kreun III pika 13 dhe kreu IV pika nr. 12, Zhvillimin e politikave dhe monitorimin e politikave, të legjislacionit e të veprimtarive që kanë të bëjnë me sigurimet shoqërore, si dhe procesin e bashkërendimit të punës për skemat e mbrojtjes shoqërore me vendet e tjera. Konflikti gjyqësor, objekt i gjykimit është ndërmjet ISSH dhe Ushtarakëve në rezervë, i cili është gjeneruar ndër vite për shkak të akteve ligjore e nënligjore të cilat rregullojnë përcaktojnë skemën e sigurimeve shoqërore të ish ushtarakëve dhe të cilat zbatohen nga ISSH dhe Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Sa më sipër në lidhje me kërkesën e subjektit Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë, rekomandojmë që kjo kërkesë të adresohet në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, si Organ i qeverisjes së përgjithshme i cili duhet të jetë në rolin e propozuesit të projektaktit. Ju nformojmë se kjo ankesë do përcillet për trajtim pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Lutemi qëndroni në pritje të përgjigjies suaj. Duke ju falenderuar edhe njëherë,inkurajojmë sa më shumë qytetarë të veprojnë si ju. (Me konsideratë,Zyra e Bashkëqeverisjes. Faleminderit, Ministria e Mbrojtjes).

Përshëndetje! Gjeni më poshtë përgjigjen nga ISSH.

Përgjigje ndaj kërkesës tuaj me Numër:45010

I nderuar Z. Binaj, Ju falenderojmë për besimin tuaj, duke adresuar këtë ankesë në Platformën e Bashkëqeverisjes.Kjo çështje u trajtua nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe bashkëngjitur lutemi të gjeni përgjigjen e dhënë nga ky Institucion: ”Lidhur me kërkesën e Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë (AKUSH) të cilët kanë kërkuar faljen e detyrimeve të padrejta të ushtarakëve si pasojë e zbatimit të Vendimit nr.3, datë 24.11.2016 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ju informojmë: Instituti i Sigurimeve Shoqërore në periudhën 01.01.1999-01.07.2009, në caktimin e përfitimeve suplementare që rrjedhin nga vjetërsia në shërbim të ish-ushtarakëve, ka zbatuar dispozitat e ligjit nr. 8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Ligji nr. 8087/1996 (i ndryshuar me ligjin nr. 8521/1999), nuk u ndryshua me ligjin nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, por u shfuqizua me ligjin nr. 9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar me ligjin nr. 9481/2006, ligje për të cilat nuk janë nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e tyre. Pra për shkak të mos nxjerrjes së akteve nënligjore për zbatimin e ligjeve nr. 9418/2005 dhe nr. 9481/2006., strukturat e sigurimeve shoqërore kanë vazhduar të zbatojnë ligjin nr. 8087/1996, të ndryshuar deri më datë 01.07.2009. Nga data 01.07.2009, ka hyrë në fuqi dhe është zbatuar Ligji nr. 10142, datë 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të Punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Ky ligj është kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese, e cila me vendimin nr. 33, datë 24.06.2010 shfuqizoi kufirin tavan të masës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të vendosur me ligjin nr. 10142, datë 15.5.2009, i cili ishte përcaktuar sa dyfishi i pensionit maksimal, si dhe interpretoi nenin 29 për rillogaritjen, por nuk e shfuqizoi. Mbi këtë gjykim dhe problematikë Këshilli i Ministrave miratoi Aktin Normativ nr. 5, datë 10.11.2010, i cili ndryshoi rrënjësisht formulën e llogaritjes së përfitimeve. Akti normativ mori fuqinë e ligjit, me ligjin nr. 10367, datë 23.12.2010. Ligji nr. 10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, u kundërshtua dy herë në Gjykatën Kushtetuese, në vitin 2010 dhe në vitin 2012. Vendimi nr. 33, datë 24.06.2010 i Gjykatës Kushtetuese vendosi shfuqizimin si antikushtetues të pikës 2, të nenit 14 (neni që përcaktonte formulën e pensionit) si dhe të nenit 27 të ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009. Vendimi nr. 2, datë 18.02.2013, i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendosi rrëzimin e kërkesës së Shoqatës së Xhenierëve të Shqipërisë, të cilët kërkuan shfuqizimin e ligjit nr. 10367, datë 23.12.2010 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit nr. 5, datë 10.11.2010, të Këshillit të Ministrave” si antikushtetues, duke lënë në fuqi ligjin nr. 10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, i cili i shtrinte efektet financiare nga data 1.7.2009. Bazuar në vendimin nr. 793, datë 24.9.2010 të Këshillit të Ministrave “Për zbatimin e ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009” të ndryshuar, u krye rillogaritja e përfitimeve mbi bazën e Modelarit 03 “Vërtetim për vjetërsinë në shërbim dhe pagën neto mesatare referuese”, dokument i cili, u plotësua nga strukturat e ministrive të linjës dhe më pas u përcoll zyrtarisht pranë strukturave rajonale të sigurimeve shoqërore, që zbatojnë proçedurën e llogaritjes apo rillogaritjes së përfitimit. Zbatimi i formulës së pensionit të përcaktuar me ligjin nr. 10367, datë 23.12.2010 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit nr. 5, datë 10.11.2010, të Këshillit të Ministrave”, me efekte financiare nga 1.7.2009, solli si pasojë rillogaritjen e pensioneve të parakohshme dhe ato suplementare, nga të cilat një pjesë e konsiderueshme rezultuan debitorë. Nisur nga numri i madh i debitorëve që rezultuan nga rillogaritja, u miratua ligji nr. 46/2016 “Për faljen e detyrimeve që kanë ish ushtarakët në skemën e sigurimeve suplementare, nga rillogaritja e pensioneve, në zbatim të ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, i cili në nenin 1, përcaktonte: 1. Falen detyrimet e papaguara, që kanë rrjedhur nga rillogaritja e pensioneve, bazuar në përcaktimet e ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar,…………, sipas gjendjes së tyre në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. 2. Shumat e detyrimeve të krijuara nga rillogaritja e pensioneve, të paguara nga personat përfitues, në harkun kohor dhjetor 2010 deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kthehen personave që u janë mbajtur, brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Në zbatim të nenit 2, të ligjit nr.46/2016, përcaktohet: detyrimet e ushtarakëve, që janë krijuar si pasojë e zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për njohje të masës së përfitimit pas datës 1.7.2009, në kundërshtim me formulën e llogaritjes së pensionit të parakohshëm, të përcaktuar sipas ligjit nr. 10 142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nuk falen. Sa më sipër, në zbatim të ligjit nr.46/2016 dhe VKM nr.704, date 12.10.2016, detyrimet e papaguara nga përfituesit deri në datën 01.06.2016, që kanë rrjedhur nga rillogaritja e pensioneve, sipas ligjit nr. 10142, date 15.05.2009, të ndryshuar, u falën . Gjithashtu, shumat e detyrimeve të krijuara nga rillogaritja e perfitimeve suplementare dhe të paguara (te shlyera) deri në 31.10.2016, ju kthyhen çdo përfituesi përgjatë periudhës Nentor 2016 – Maj 2017. Zbatimi i ligjit nr. 8087/1996, të ndryshuar dhe jo i ligjeve nr. 9418/2005 dhe nr. 9481/2006, nga strukturat e sigurimeve shoqërore, në mënyrë të vazhdueshme, është bërë objekt konflikti gjyqësor në tre shkallët e sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë me vendimin unifikues nr. 3, datë 24.11.2016, kanë vendosur: Prishjen e vendimit nr.1784, datë 14.05.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, por me tjetër trup gjykues, duke arritur në tre përfundime: – rillogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas nenit 29 i Ligjit nr.10142/2009, do të bëhet sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj, edhe në situatën kur kjo rillogaritje ul masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të njohur dhe caktuar më parë.: – në gjykimin e mosmarrëveshjeve për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, për periudhën nga data 01.01.1999 deri më hyrjen në fuqi të ligjit nr.10142/2009, pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi do të përllogaritet sipas Ligjit nr.8087/1996, të ndryshuar me Ligjin nr.8521/1999. Në rastet kur e drejta për pension ka lindur pas hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 9418/2005, të ndryshuar me Ligjin nr.9481/2006, deri me hyrjen në fuqi të Ligjit nr.10142/2009, të ndryshuar, në kuptim të nenit 29 të këtij ligji, skema për llogaritjen e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, e parashikuar nga Ligji nr.9418/2005 të ndryshuar me Ligjin nr.9481/2006, nuk zbatohet, pavarësisht nëse masa e pensionit rritet apo ulet në raport me skemën e parashikuar nga Ligji nr.8087/1996, të ndryshuar me Ligjin nr.8521/1999; – caktimi i pensionit të parakohshëm, sipas nenit 11 të Ligjit nr.8087/1996, i ndryshuar me Ligjin nr.8521/1999, bëhet duke u llogaritur sipas skemës: a) 50% e pagës referuese mbi të cilën është derdhur kontributi; dhe b) për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit mbi 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat masa e pensionit shtohet me 2% të pagës referuese. Por masa e përgjithshme e pensionit të parakohshëm nuk mund të kalojë masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi. Shoqata “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”; Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë dhe Organizata e Punonjësve të Policisë së Shtetit në Lirim i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë me objekt: “Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit unifikues nr.3, datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Pezullimi i ekzekutimit të vendimit nr.3, datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë”. Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se: “Duke pasur parasysh se objekti dhe shkaqet e kërkesës mbi të cilat ngrihet çështja e kushtetutshmërisë përbëjnë thelbin e gjykimit kushtetues, Gjykata vëren se kërkueset kanë kundërshtuar vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë, i cili ka unifikuar praktikën gjyqësore në lidhje me mënyrën se si do të zbatohen dispozitat e ligjit nr.10142 për llogaritjen e masës së pensionit të parakohshëm për disa kategori funksionesh. Në kushtet kur vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë nuk përfshihet në kategorinë e akteve normative që parashikon neni 116 i Kushtetutës, në jurisprudencën e saj Gjykata, në raste të tilla, ka vlerësuar se objekt i kërkesës, sipas nenit 131/1/a të Kushtetutës, mund të jetë dispozita. Në rastin konkret, për sa kohë që kërkueset nuk kanë arritur të plotësojnë kërkesat për legjitimimin e tyre, vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë nuk mund të bëhet objekt shqyrtimi në këtë Gjykatë. Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se për mënyrën se si është paraqitur kjo çështje para saj, kërkueset nuk legjitimohen në kuptim të neneve 131/1, shkronjat “a” dhe “f” të Kushtetutës. Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese me vendim nr. 72, datë 17.11.2017, ka vendosur: Rrëzimin e kërkesës. Sa më sipër, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, zbaton aktet ligjore, nënligjore dhe vendimet gjyqësore të detyrueshme për zbatim. Falja e debive të krijuara në masat e përfitimeve që cakton, administron dhe paguan Instituti i Sigurimeve Shoqërore, nuk është në kompetencë të institucionit tonë” Sa me sipër çështja që ju parashtroni është në kuadrin e një nisme. Për këtë, çështja do të përcillet në instancat përkatëse, pasi ajo kërkon studim të saj dhe një vendimmarrje të caktuar. Me konsideratë, Zyra e Bashkëqeverisjes (Me konsideratë, Zyra e Bashkëqeverisjes. Faleminderit, Kabineti )

Sipas përgjigjeve  del se MM si gjithmonë I shmanget detyrës së saj për mbrojtjen e interesave të oficerëve aktivë dhe jo aktivë, sepse ajo duhet të marrë nisma dhe veprime e bashkëpunime me ministritë e tjera për ligje e vendime që mbrojnë interesat e ushtarakëve dhe jo të thotë që për pensionet përgjigjet ISSH,  Ministrija e Financave, e Ekonomisë apo e Punës dhe e Mirëqënies etj. Ndërsa Ministrija e Financave dhe ajo e Ekonomisë na kanë thënë që MM duhet të na kërkojë e të marrë nismat për ushtarakët.

Këto anomali janë krijuar sepse pensioni i ushtarakut nuk është llogaritur drejtë, sipas kritereve të përcaktuara në Statusin e Ushtarakut të FA të RSH. Prandaj kërkojmë:

-Të falen të gjitha debitë e krijuara ndër vite për çdo lloj arsyeje, sepse nuk janë për faj e gabime të ushtarakëve.

–  Për ushtarakët mbetet problem rishikimi i pensioneve të ulëta të pleqërisë, për ushtarakët e dalë në pension në periudhën 1992-2002, të cilët kanë diferenca të konsiderueshme në pagesat e pensioneve krahasuar me pjesën tjetër të ushtarakëve të pensionuar. Kjo diferencë varion nga 8000-20.000 lekë në muaj. Theksojë se VKM-ja për rritjen e pensioneve para vitit 1996 nuk zgjidhi asgjë për ushtarakët, pasi pensioni i parakohëshëm nuk është zbatuar deri në Janar 1999, prandaj duhet një rregullim ligjor. Ushtarakët për vetë pozitën e veçantë kushtetuese kërkojmë një bllok të veçantë ligjor, ku të gjitha ligjet në fushën e sigurimeve shoqërore për ushtarakët të jenë në pajtim të plotë  me ligjet bazë të Strategjisë Ushtarake dhe Statusit të Ushtarakut të RSH. Të anullohet ( të mos vihet në zbatim) vendimi Nr. 3 datë 24.11.2016, i Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë, sepse është e kundraligjëshme, që një vendim të rrëzojë një ligj. Për të eleminuar gjithë këto anomali duhet plotësuar ( amenduar ) ligji i vitit 2015 për pensionet e ushtarakëve me shtrirje për të gjithë ushtarakët,  duke e bërë me fuqi prapavepruese. Të merret një nismë për ligjore, apo një VKM dhe të rregullohen e anullohen debitë e krijuara jo për faje, apo gabime të ushtarakëve.