Ismet Varfi*

Kisha vendosur të mos shkruaja më për problemet e ushtarakëve, sepse deri tani askush nuk na ka dëgjuar, madje na kanë harruar. Shkak këtë radhë u bë një shoku im ish-zv/ministër i Mbrojtjes dhe aktualisht Presidenti i AKUSH, zoti Kujtim Çako. Ai me atë humorin karakteristik më ngacmoi duke më thënë “Hë mo komandant Ismeti, përsërite edhe një herë mesnatën e 1992-it, ku siç e ke shkruar edhe në shkrimin e datës 23 Korrik, 2018 thua: ‘O sot o kurrë!’ për të rivendosur dinjitetin e ushtarakëve të nëpërkëmbur nga politika”. Por unë jam shumë i zhgënjyer si nga kolegët e mi ashtu edhe nga shoqatat e ushtarakëve, sepse nuk ka pasur asnjë reagim. Para se të trajtoj edhe një herë problemet që na shqetësojnë dua që:

Së pari, përulem me respektin më të madh për të gjithë kuadrot ushtarake, të cilët ndër vite na mësuan, përgatitën dhe edukuan me vetitë dhe virtytet më të larta njerëzore, Sigurisht që në sistemin e mëparshëm, çdo institucion, përfshi edhe Forcat e Armatosura ishin të politizuar e të partitizuara. Por duhet të theksoj edhe një herë me forcë, se FA i qëndruan besnik interesave të atdheut dhe popullit dhe për këtë jemi krenarë. Është e padiskutueshme që proceset demokratike në Shqipëri u mbështetën nga shtrija dhe gjithë strukturat e FA., të cilat pavarësisht privimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, që reforma i hodhi në rrugë pa asnjë mjet jetese ushtarakët u treguan shumë korrektë dhe jo vetëm që përballuan mjaft vështirësi pa mjete jetese, por u bënë edhe mbështetje e demokracisë në proces. Me ndryshimet që ndodhen në vitin 1992 ku në krye të qeverisë erdhën persona karrieristë, të cilët në emër të demokracisë dhe të nderimit të sistemit, nuk bënë reforma progresive, por reprezalje edhe në radhët e FA, dhe krahas shkatërrimeve në ekonomi, në arsim e kulturë, ata goditën fort dinjitetin dhe shpirtin e ushtrisë, policisë dhe gjithë strukturat e FA, duke shkarkuar kuadrot kryesore të përgatitur dhe më të aftë drejtues dhe i zëvendësuan me personel të paaftë dhe drejtues të dobët. Këtë e vërtetuan ngjarjet e vitit 1997, kur oficerët dhe armatimi ikën në drejtim të paditur duke braktisur çdo gjë, detyrën, repartin, armatimin dhe gjithë objektet mbrojtëse të ndërtuara me mundin, djersën dhe gjakun e popullit, veprime ato që kanë mbetur si njolla më e zezë për ushtrinë. Shqipërinë dhe shqiptarët. Siç dihet, në vitin 1991 u miratua Statusi i Ushtarakut i FA, që është një ligj i kohës dhe i krahasueshëm me ligjet e ushtrive moderne dhe i përshtatur për nivelin ekonomik të Shqipërisë. Në Qershor të vitit 1992 kur filloi zbatimi i Statusit në ushtri, qeveria e zbatoi me kritere politike e partiake dhe jo si ligj para të cilit të gjithë janë të barabartë, gjë që shkaktoi pakënaqësi. Në këto kushte ushtarakët e liruar u ngritën në protesta për të mbrojtur të drejtat e tyre që u jepte ligji. Qeveria Berisha, në vend që të respektonte dhe zbatonte Statusin dhe ligjet për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut filloi reprezaljet ndaj ushtarakëve dhe drejtuesve të protestave paqësore të ushtarakëve. Fillimisht dërgoi policinë dhe në mesnatë bëri kontrolle në banesat e ushtarakëve sipas listave që bëri MM, MPB dhe SHIK, dy net para zgjedhjeve vendore të 22. Korrikut. Dhe në vazhdim doli urdhri i tre dikastereve për 6 kuadro të MPB (Ministria e Punëve të Brendshme), 8 kuadro të SHIK-ut, 15 kuadro të Ushtrisë dhe 20 kuadro pensionistë e veteranë të LANÇ-it, anëtarë të shoqatës BUKR, që të gjithë këta -përjashtohen nga FA, u hiqen gjithë të drejtat si ushtarakë dhe pensionet t’i përfitojnë jo si ushtarakë, drejtuesit e protestës të paditen për ndjekje penale e të tjera masa. Shpresat tona u ngjallën me ardhjen në pushtet të së majtës, pasi shumica votoi për atë. Por nuk ndodhi dhe nuk po ndodh ashtu, sepse e majta nuk i mbajti premtimet që na dha në fushata zgjedhore, Statusi nuk është zbatuar, Objektet si SHQUP e shtëpitë e ushtarakëve dhe spitali ushtarak u grabitën nga politikanët biznesmenë dhe nuk janë më për ushtarakët sipas ligjit. Qeveria fali borxhet e ushtarakëve që krijoi ligji i Berishës, bravo që ua ktheu, por ato lekë po ua mban qeveria Rama, sepse nuk hoqi bazën ligjore të atij ligji. Ai është një ligj antikushtetues, ashtu siç është edhe vendimi i GJL, të zotit Zaganjori, i cili megjithëse është zhytur në korrupsion, vazhdon detyrën. Me vendimin e tij anulon ligjin dhe vendimet e gjykatave që u kanë dhënë të drejtë ushtarakëve. Turp për drejtësinë! Dhe me zbatimin e atij vendimi krijohen me mijëra ushtarakë debitorë, të gjithë ata që kanë fituar të drejtën me vendim gjykate. Sa për kujtesë! Zoti Kryeministër, ushtarakët në rezervë dhe në pension janë të “indoktrinuar me ligjet” dhe zbatimin e tyre, gjë që e kanë treguar me kërkesat, manifestimet dhe protestat paqësore dhe pa eksese të dhunshme. Mos vallë këto qëndrime pushteti dhe politika i merr si dobësi?! Në qoftë se mendoni kështu, gaboheni rëndë, sepse neve jemi të aftë të organizojmë dhe grumbullojmë njerëzit tanë etj., dhe do të jetë vështirë të na përballoni. Prandaj edhe njëherë ju bëjmë thirrje që të mbani premtimet për zbatimin e ligjit, STATUSIN E USHTARAKUT TË FA TË RSH. Ne nuk kërkojmë lëmoshë, por zgjidhje ligjore. Zoti Rama, protestën dhe kërkesat tona ne i kemi bërë në institucionet e shtetit edhe të atyre që janë në vartësinë e Qeverisë, nëpërmjet shkresave dhe kërkesave të bazuara në ligje, edhe nëpërmjet mediave të shkruara dhe elektronike (aq sa ato duan), por reagime nuk ka nga institucionet dhe veçanërisht nga Ju, që, me thënë të drejtën, me mospërfilljen Tuaj, na keni lënduar dhe po vazhdoni të na lëndoni (jeni në mandatin e dytë qeverisës). Nuk po lini vend dhe kategori të shoqërisë pa takuar me popullin, dhe shumë mirë bëni, por për ne ushtarakët përse nuk kujtoheni? Përgjigjen po ta jap unë – Nuk keni kurajën sepse, e thënë troç, na keni gënjyer duke mosmbajtur asnjë premtim që na keni bërë në kohë fushatash për zgjedhjet. Ju e bëni këtë, sepse e dini mirë që votat tona dhe familjeve e të afërmve tanë nuk kanë shkuar për të djathtën,. Por edhe pritja e durimi kanë kufirin e tyre, dhe me këtë rast do të të kujtojë atë thënien popullore “Për inat të sime vjehrre, do të fle me mullixhinë”. Së fundi, me anën e këtij shkrimi (në qoftë se e lexoni) i bëj thirrje edhe zonjës Xhaçka, Ministre e Mbrojtjes, që të bëjë një takim me ne ushtarakët e liruar, rezervë e në pension pleqërie, që jo vetëm të dëgjojë hallet e problemet tona, por edhe ndonjë sugjerim që kemi për gjendjen në ushtrinë aktive. Sot ne përshëndesim vendimin e NATO-s, për Aerodromin e Kuçovës, dhe me këtë rast ju bëjmë thirrje që ishallah, të merrni ndonjë vendim apo masë për të na kthyer (jo të gjitha) disa objekte me karakter social, (siç i kanë edhe ushtritë e tjera të NATO-s, të Evropës dhe të Botës), të cilat na i ka rrëmbyer politika dhe politikanët me qeveritë e deritanishme.

Kolonel në pension