Ismet Varfi: Bashkohuni, o shokë me ne në çetë!

1142
Sigal

Kërkesat e ushtarakëve në rezervë e në pension

Ismet Varfi, Kolonel në pension

Jam shumë krenar dhe i privilegjuar që nëpërmjet gazetës “Telegraf”, gazetë tepër serioze, korrekte dhe e pavarur, që në këtë shkrim të vë titullin e mësipërm (Bashkohuni, o shokë në çetë). Thirrje e bërë nga paraardhësit tanë të cilët u bashkuan pa dallim feje, krahine dhe ideje për çlirimin e vendit. Fjalën nuk e kam që sot të dalim “malit”, sepse aktualisht kemi kohë që jemi çliruar nga pushtuesit e huaj. Mesazhi që unë po jap me këtë rast është, që të bashkohemi më tepër se kurrë për t’u çliruar nga “pushtuesit” politik, ekonomik e social, të cilët sesi po e menaxhojnë të ashtuquajturën demokraci na kanë zhytur më tepër se kurrë në varfëri. Prandaj them se sot është detyrë e shoqërisë civile dhe e tërë shoqatave mbarë kombëtare jo politike, të cilat duhet të bashkohen për t’i thënë: “Ndal!” qeverisjeve të deri tanishme, të cilat siç e theksuam më lart vazhdojnë të na zhysin në varfëri dhe në veçanti për të ndaluar “hemorragjinë” mbarëkombëtare.

Personalisht në këtë shkrim (në mënyrë të përsëritur) u drejtohem, në veçanti, të gjithë ushtarakëve të ndershëm e patriotë të dalë në rezervë dhe në pension që ka ardhur koha që të bashkohemi jo vetëm për të kërkuar të drejtat tona të cilat deri tani janë mohuar, por dhe të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në vend, sigurisht duke përdorur të gjitha format dhe mjetet demokratike. Anëtarësimi i vendit tonë në NATO, sigurisht që dhe ne ushtarakëve të dalë në rezervë dhe në pension na shtojnë besimin dhe shpresën se do të behet diçka, por që deri tani nuk ka ndryshuar dhe përmirësuar asgjë, sidomos në trajtimin ekonomik. Kemi 25 vjet që po kërkojmë që shteti ynë (të cilit në vite i kemi shërbyer me devotshmëri) të na vlerësojë dhe trajtojë jo si “ish-bllokmenë” apo si “parazitë” të sistemit të kaluar, por të na konsiderojë si bij të denjë të këtij vendi dhe, për sa më sipër, me ardhjen e demokracisë nuk e meritojmë të trajtohemi si deri tani.

Konkretisht çfarë kërkojmë?

Së pari, duam që të zbatohet statusi i ushtarakut, i cili është i miratuar me ligj, por që deri tani nga ana e qeverive të djathta e të majta është sakatuar, megjithëse me gjyq i kemi fituar të drejtat, unë siç theksova ato na janë mohuar.

Së dyti, shumë ushtarakë në rezervë dhe në pension me gjyqet që ata kanë bërë individualisht i kanë fituar të drejtat e tyre financiare, të cilat u ishin mohuar, por sot me një urdhër anulohen dhe ushtarakët në fjalë dalin debitorë pra del nën ligji mbi ligjin ose më troç Maliqi mbi ligjin.

Së treti, aktualisht ne sot nuk kemi asnjë objekt socialo-kulturor ku mund të mblidhemi për të zhvilluar aktivitete të karakterit ushtarako-kulturor apo tek e fundit të bëjmë homazhe për të nderuar e përcjellë figura të shquara të forcave të armatosura sepse këto objekte si SHQUP-i etj., në tërë vendin na e kanë grabitur politikanët e djeshëm dhe të sotëm.

Së katërti, veprimi më i shëmtuar ndaj nesh është fakti që na kanë hequr të drejtën legjitime për të pasur mundësinë si të gjithë ushtarakët e vendeve të tjera perëndimore dhe lindore të kemi një objekt spitalor (siç kemi pasur Spitalin Ushtarak) të cilin edhe atë na e kanë grabitur dhe privatizuar.

Së pesti, po me klubin sportiv “Partizani” çfarë patën qeveritë tona? Klub sportiv, i cili ka qenë legjendë jo vetëm për forcat e armatosura, por për mbarë vendin tonë. Ky klub sportiv sot vetëm emri i ka mbetur “Partizani” se në përmbajtje është kthyer si një klub sportiv i tipit të ish-kooperativë bujqësore.

Meqë jemi te sporti për të disatën herë denoncoj publikisht Ministrinë e Mbrojtjes për zhdukjen e forcave të armatosura, organizimin, funksionimin dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Dikur në shkallë kombëtare zhvilloheshin spartakiadat e ushtrisë në sportet elitare si: Boksi, mundje, atletikë, qitje, radio amatorizëm, futboll etj., etj. Ne sot jemi dhe anëtarë të CIZMIT, por shtrojmë pyetjen: Ushtria jonë me çfarë sportesh përfaqësohet? Të vjen keq, madje shumë keq që sot palestrat e akademisë ushtarake janë kthyer në magazina. Pa pikë dyshimi ne jemi i vetmi vend në Evropë e më gjerë që forcat e armatosura, përfshirë dhe ata aktivë të trajtohen si një shtresë e pavlerë, madje do thosha se të gjithë mllefin që kanë pushtetarët e sotëm ndaj sistemit të mëparshëm po e nxjerrin ndaj nesh. Aktualisht, sot janë krijuar dhe funksionojnë disa shoqata të ushtarakëve në rezervë e në pension, të cilat deri tani nuk kanë mundur të realizojnë kërkesat tona. Unë personalisht përshëndes shoqatat e disa lloje armësh dhe shërbimeve si ato të zbulimit, aviacionit, ndërlidhjes, policisë së shtetit, Xhenios etj., të cilat në vazhdimësi organizojnë dhe zhvillojnë aktivitete të ndryshme në respekt të specialiteteve të tyre. Por siç theksova më lart çështja shtrohet që ne duhet të bëjmë përpjekje maksimale që të gjithë së bashku pa dallim funksioni, specialiteti apo edhe bindjesh politike për të kërkuar nga qeveria të na plotësohen kërkesat tona legjitime. Pra, ka ardhur koha që sidomos dy shoqatat madhore kombëtare, AKUSH dhe ajo e ushtarakëve në rezervë të rimarrin edhe njëherë iniciativën për një bashkim mbarëkombëtar. Mesa unë kam dijeni nga shoqatat në fjalë kohët e fundit janë bërë përpjekje për plotësimin nga qeveria të kërkesave tona. Por, për mendimin tim, ato nuk mund të zgjidhen me takimi bilaterale, domethënë midis krerëve të shoqatave dhe disa drejtues të dorës së dytë. Me këtë rast nuk mund të lë pa kritikuar dhe i tërhequr vëmendjen Z. Kryeministër, i cili në prag fushatës zgjedhore (siç bëri në Vlorë në takimin që pati me ushtarakët e dalë në pension dhe në rezervë që deklaroi se me riardhjen në pushtet do të na plotësoheshin të gjitha të drejtat tona, por që në fakt ndodhi e kundërta.) Kur them qe të bashkohemi në një shoqatë mbarëkombëtare të ushtarakëve të dalë ne rezervë e në pension nuk e kam fjalën vetëm për ushtarakët e FA-së, por edhe për ushtarakët që shërbejnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme ë dhe në Shërbimin Informativ shtetëror sepse interesat tona madhore janë të përbashkëta.