Ish-pronarë tokash në Sarandë, Vlorë edhe Durrës, kompensohen me toka në… Galigat!

    473
    Qenka e “shkruar” që edhe pas 70 vitesh, emri “Galigat” të bëhet pjesë e debatit publik. Një letër e ardhur dje në redaksinë e gazetës “Telegraf”, kishte si përmbajtje këtë shqetësim: Një ish-pronar tokash, R. Lamaj nga qyteti i Vlorës, kërkonte nga qeveria “Rilindja”, që të anulonte vendimin e saj absurd, në lidhje me kompensimin fizik të pronave, pra dhënie toke e trualli jo në Vlorë ku e kishte ai tokën dhe truallin, por në një rreth tjetër të Shqipërisë. Sipas vendimit të datës 5 dhjetor 2014, qeveria “Rilindja”, me propozim të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), ka vendosur që ish-pronarët e Vlorës, të cilëve u janë zënë pronat nga ndërtimet e paligjshme, nga ndërtesa shtetërore dhe nga projekte urbane, t’u jepet tokë tjetër në formë kompensimi fizik, në fshatrat që gjenden në malet e Gramshit e Librazhdit. Këtyre ish-pronarëve u është njohur toka si pronë, por nuk u kthehet mbasi janë të zëna nga shteti, ose të zaptuara nga të fortët e qyteteve dhe shtetarët e politikanë e lartë me ndërtime e biznese! Përballë kësaj masakre, dhe këtij mashtrimi, falsifikimi dhe zaptimi 23 vjeçar që u është bërë pronave me letra false, me vendime gjykate të paguara dhe me Ligjin 7501, ish-pronarët po trajtohen me kompensime financiare e fizike, kur ka lekë e kur gjendet ndonjë copë tokë e lirë në ndonjë zonë të braktisur edhe nga ujqërit. Kështu është vepruar edhe me ish-pronarin që i është drejtuar gazetës “Telegraf”, lidhur me asurdin e kompensimit fizik të pronave. Konkretisht, ish-pronarit R. L nga Vlora, i ka rënë “për pjesë” (short), që tokën e zënë në Vlorë, ta marrë kompensim me tokë në malin e fshatit… Galigat, ku gjatë luftës çlirimtare, qëndronte Enver Hoxha së bashku me emisarët jugosllavë Miladin Popoviçi e Velimir Stoiniçi dhe me misionin anglo-amerikan! Kjo është sa tallëse edhe absurde! Tabela e kompensimit fizik të ish-pronarëve, përgatitur nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) e miratuar nga qeveria “Rilindja”, përbënë listën e parë emërore të pronave të lira me të cilat do të kompensohen ish-pronarët! Sipas kësaj tabele, pronat e lira gjenden në fshatrat më të largët malorë të rretheve Elbasan, Berat, Tepelenë, Skrapar, Librazhd, Pukë, Kukës, Mirditë, Has, Peshkopi, ku edhe vetë banorët e këtyre zonave kanë braktisur shtëpi e toka! Sipas vendimit të qeverisë dhe tabelës kompensuese të pronave të lira të përcaktuara nga qeveria, ish-pronarët me toka brenda qyteteve Vlorë, Fier, Tiranë, Lushnjë, Sarandë, Gjirokastër, Korçë, Shkodër, Durrës, Lezhë, Pogradec etj, duhet të shkojnë të marrin tokat që u janë caktuar në… Galigat, në Dymberas, Turbull, Kaçivel e Kaçivat të Elbasanit. Ose duhet të shkojnë të marrin toka në Buz, Selckë e Matohasanaj të Tepelenës, në Sevran, Faqekuq e Zabërzan të Skraparit, në Sheper të Gjirokastrës., në Gabricë të Kukësit, në Osmëzezë e Zhapokikë të Beratit, në Bubs të Përmetit e deri në Kurbnesh dhe Orosh të Mirditës!
    Faksimile. Ja 2 nga tabelat me emrat e zonave dhe fshatrave të caktuara si “toka për kompensimin e ish-pronarëve të qyteteve Vlorë, Sarandë, Durrës, Fier…” 
     
    Sigal