Hebrenjtë rikthehen në Berat për të thënë: “Shalom!’

779
Sigal

Vizita e hebrenjve në qytetin e Beratit

 

Rikthehen për të thënë: “Shalom!”

 

Qyteti i Beratit shquhet jo vetëm për arkitekturën magjepsëse të ndërtimit, por mbi të gjithë për arkitekturën shpirtërore të banorëve të tij, të cilët, qysh prej lashtësisë kanë mbrojtur e trashëguar virtytet dhe vlerat më të larta humane e njerëzore. Bashkëjetesa fetare mes ortodoksëve, myslimanëve dhe çdo përkatësie tjetër fetare është shprehja më e lartë e një harmonie shpirtërore për banorët e këtij qyteti.

Gjatë Luftës Dytë Botërore, për t’i shpëtuar Holokaustit, familjet myslimane dhe të krishtera të Beratit, strehuan, mbrojtën dhe shpëtuan rreth 600 hebrenj, historia e të cilëve do të bëhej objekt i punës studimore të profesor Simon Vrushos, ku në veprën e tij “Hebrenjtë e Beratit” dhe sidomos në muzeun “Solomoni”, të themeluar prej tij, ai do të rizbulonte dhe do të evokonte marrëdhëniet shqiptaro – hebraike, si dëshmi e gjallë e vlerave shpirtërore, humane dhe njerëzore të një populli që di ta çmojë jetën e njeriut, pavarësisht etnitetit të tij.

Sado e largët të jetë ngjarja, vjen një ditë kur protagonistët e tyre shfaqen dhe rikthehen sërish në gjurmët e fëmijërisë për t’u shprehur banorëve të një qyteti mirënjohjen për atë që ata kanë bërë dikur.

Kështu ka ndodhur me z. Benjamin Neumann, dhe bashkëshorten e tij Ellie Katz Neumann, të cilët vizituan Beratin, qytetin ku nëna e Benjamin dhe familja e saj u strehua për t’i shpëtuar përndjekjes së nazistëve. Ajo kishte ardhur në Berat në moshën 10 – vjeçare. Gjithçka të përjetuar ato vite të vështira, kalvarin e vuajtjeve e të mundimeve, mikpritjen, dashurinë, ngrohtësinë dhe mbështetjen që gjetën te shqiptarët, Johanna Jutta Neumann e ka rrëfyer në librin e saj “Escape to Albania”, (botuar në gjuhën angleze), të cilin në disa kopje ia dhuruan bibliotekës: “Vexhi Buharaja”.

Në kapitullin kushtuar qëndrimit të tyre në Berat ajo rrëfen se kishin mbërritur në këtë qytet në muajin shtator të vitit 1940 dhe ishin strehuar në vendin e quajtur “Harem”, te familjet Wolf dhe Taub. Gjendja e vështirë ekonomike, dimri i acartë, sëmundjet, lufta ua kishin shuar shpresat se një ditë mund t’ia dilnin. Por mbështetja e shqiptarëve i bëri ata ta gjenin shpëtimin e tyre.

Në librin e saj “Escape to Albania” Johanna Jutta Neumann kujton:

“Berati ishte një qytet në Jug te Shqipërisë, me një popullsi prej 14.350 banorësh. Shumica e tyre ishin myslimanë dhe qyteti ishte i ndarë në lagjet myslimane dhe të krishtera. Kristianët ishin vendosur në një kodër mbi qytet, ndërsa myslimanët në pjesën tjetër të qytetit. Qyteti është i vendosur në brigjet e lumit Osum. […] Dimri e bënte jetën tonë akoma më të vështirë . Megjithatë gjëja më e keqe ishte lufta ndërmjet Greqisë dhe Italisë. Qyteti bombardohej. Në atë kohë nuk kishte strehime. I vetmi vend ku mundëm të gjenim strehim ishte xhamia më e afërt, e cila në pjesën e oborrit kishte një strukturë pa dritare, të ndërtuar me gurë të mëdhenj. Pas ca kohësh lëvizëm nga “Haremi” në muajin janar ose shkurt 1941, në një familje shqiptare. Gratë e familjes ishin larguar pas bombardimeve. Atë vit Ramazani qëlloi në fillim të pranverës. Ishte një muaj agjërimi për gjithë myslimanët, i cili përfundonte me Festën e Bajramit. Gjatë asaj kohe myslimanët thernin dele dhe së bashku me ushqimin ua shpërndanin të varfërve. Neve na konsideronin të varfër dhe na dërgonin ushqime dhe dhurata, përfshirë pilaf dhe bakllava, të cilat i merrnim në sasi të mëdha. Fqinjët tanë myslimanë na ftonin të vizitonim xhaminë bashkë me ta. Njerëzit ishin shumë miqësorë me ne. Shqiptarët përgjithësisht janë shumë mikpritës. Ata jetojnë sipas një kodi të lartë moral, të quajtur ‘Kanun’.”

Gjatë qëndrimit të tyre në Berat, Benjamin Neumann dhe bashkëshortja e tij, u takuan me Kryetarin e Bashkisë, z. Petrit Sinaj, të cilit i shprehën mirënjohjen për atë që populli i Beratit kishte bërë për familjen e tyre dhe për të gjithë hebrenjtë. Ata donin, – siç u shpreh Benjamin Neumann, – të takonin ata njerëz të virtytshëm, të zakonit dhe të besës dhe të kuptonin forcën e vitalitetit të këtyre njerëzve, kodin e nderit, që qëndronte në themel të ekzistencës së tyre.

“Ju mund t’u mësoni fëmijëve tuaj këtë kod nderi, po s’mund t’i tregoni botës sesa të mrekullueshëm jeni. Vetëm ne mund ta bëjmë këtë për ju. Tani që nëna ime Jutta ka ndërruar jetë, na takon neve t’ju falënderojmë personalisht dhe t’ia tregojmë gjithë botës historinë tonë, për të kuptuar edhe më mirë se cilët janë shqiptarët në të vërtetë”, – tha ndër të tjera z. Benjamin Neumann në takimin me Kryebashkiakun Sinaj. Nga Adriatik Mema