Hapësira që zë Ismail Qemali në kurrikulën mësimore

984
Sigal

Aurela Lamepetro Guida Didaktike/ Specialiste historie në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë)

Njohja e figurës së Ismail Bej Vlorës duhet bërë nëpërmjet arsimit parauniversitar dhe vizitave në muze

Katërmbëdhjetë muajt e qeverisjes së Ismail Qemalit u përqendruan mjaft edhe në çështjet e arsimit. Përpjekjet në këtë fushë vihen re me krijimin e Ministrisë së Arsimit ku në  krye u vendos Luigj Gurakuqi, i cili i njihte mirë problemet e kësaj fushe, pasi kishte qenë drejtor i shkollës Normale të Elbasanit. Më pas u vazhdua me hapjen e shkollave fillore, arsimin e detyruar, ngritjen e komisioneve me profil shkencor për çështje të gjuhës, programeve, por edhe teksteve shkollore. Në vitin 1912 numëroheshin 250 shkolla fillore dhe dhjetëra plotore. Sfida e arsimit ishte hedhja e bazave për zhvillimin e arsimit kombëtar dhe laik, madje pati tentativa  për të mbyllur shkollat e huaja dhe për ti zëvendësuar ato me shkolla shqipe. Ndër të tjera në projektet e qeverisë së Vlorës ishte krijimi i një Akademie Kombëtare për çështjet e gjuhës dhe programeve shkollore, si dhe komisione që do të merreshin me hartimin e terminologjive shqip për degë të ndryshme të administratës, arsimit dhe sferave të caktuara të jetës. Nga sa u tha më sipër duhet të reflektojmë natyrshëm, duke e kthyer vështrimin sot me një pyetje krejt naive:

Nëse arsimi në vëmendjen e Ismail Qemalit zinte një vend të rëndësishëm, po sot çfarë vendi zë ky personalitet, veçanërisht në lëndën e historisë dhe si e sa trajtohet ai?

Lidhur me vëzhgimet e bëra në ambientin brenda klasës dhe jashtë  orës së mësimit, vihet re se përgjithësisht në arsimin fillor aty ku merren njohuritë e para për historinë e Shqipërisë, figura e Ismail Qemalit kalohet tërthorazi, duke u përmendur shkurtimisht si një element që lidhet vetëm me datën e shpalljes së pavarësisë në kuadër të festave zyrtare e kombëtare të vendit.  Sa i përket arsimit të mesëm të ulët dhe atij të lartë  merret informacion mbi Ismail Qemalin vetëm në klasën e nëntë dhe të njëmbëdhjetë sipas kurrikulës së re. Në vitet e tjera në lëndën e historisë botërore për këtë personalitet nuk flitet, minimalisht as për  rolin e tij në Perandorinë Osmane apo edhe në kuadër të problemeve politike e diplomatike të Ballkanit në fillim shek XX.  Kjo mangësi duket qartë edhe në rubrikat e përforcimit të njohurive dhe arsyetimit,  nuk gjendet asnjë pyetje në nivel krahasues midis figurës së Ismail Qemalit dhe figurave të tjera ekuivalente në historinë e Ballkanit apo edhe më gjerë. Në lëndën e historisë së Shqipërisë ai njihet kryesisht  nëpërmjet përpjekjeve për  pavarësi dhe momentit të shpalljes së saj, nëpërmjet veprimtarisë së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës në planin e brendshëm dhe të jashtëm, por jo si personalitet me vete i shkëputur nga ky kuadër. Po të krahasojmë Ismail Qemalin me Gjergj Kastriot Skënderbeun, ky i fundit trajtohet gjerësisht edhe në letërsi aq sa figura e tij ka arritur në nivelet e një miti dhe tek nxënësit është krijuar shpesh konfuzioni, nëse ky personazh historik ekziston vërtetë apo jo, konfuzion, i cili vjen shpesh edhe për shkak të hiperbolizimit të figurës, famës dhe fuqive të tij apo edhe për shkak të periudhës së largët historike ku ai jetoi e veproi. Lidhur me Ismail Qemalin në përfytyrimin e nxënësve ai është një personalitet real, por shprehitë dhe njohuritë e tyre janë të vakëta. Ata kanë një mungesë të theksuar informacioni kur bëhet fjalë për jetën, origjinën, edukimin dhe veprimtarinë e tij diplomatike si para shpalljes së pavarësisë edhe pas rënies së qeverisë së tij. Vihen re përpjekje nga ana e mësuesve në data të caktuara që lidhen me këtë figurë ku flitet dhe rikujtohet, por gjithçka mbetet brenda kuadrit të orës mësimore dhe kufizimeve të shumta të saj. Sugjerohet që në ato hapësira që lejon  lënda e historisë, e cila ka lidhjen ekskluzive më këtë personalitet, mësuesit  përkatës të bëjnë ndërhyrje në programin lëndor,  duke shtuar orët e veprimtarive praktike, por edhe të projekteve kushtuar kësaj figure. Po ti referohemi didaktikës së historisë nuk mjafton vetëm teksti mësimor për të përthithur dhe zgjeruar  njohuritë  historike, por fatmirësisht kjo fushë. lejon edhe shumë hapësira të tjera. Këtu mund të përmendim reportazhet, konkurset historike, bisedat ose tryezat e rrumbullakëta me nxënësit, aplikimi i  kinematografisë shqiptare, ku  nxënësve u jepet mundësia e njohjes së personazheve qoftë edhe nga këndvështrimi artistik, gjithmonë në prezencën e mësuesit dhe duke u komentuar nga ky i fundit. Gjithashtu hartuesit e tekstit të historisë duhet të kenë parasysh në këtë rast rishikimin e përqindjes së hapësirës që duhet të zënë figurat historike  ato më të spikatura dhe shtimin e saj  përballë ngjarjeve politike dhe atyre sociale e kulturore.  Një formë tjetër mjaft frytdhënëse janë edhe vizitat në muze, në rastin konkret Muzeu Kombëtar i Pavarësisë është një tempull mjaft i rëndësishëm, i cli ndihmon mësuesit dhe nxënësit në procesin mësimor. Nga eksperienca vihet re se nxënësit përgjithësisht njohin vetëm portretin e tij në vitet e pavarësisë, por jo kur ai ishte në moshë të re dhe atëherë funksionar në Perandorinë Osmane. Shpesh jemi ndeshur me habinë e tyre kur kuptojnë se emri i vërtetë është Ismail Vlora dhe jo Ismail Qemali. Ata e njohin si “plaku i urtë”, por në fakt  nuk i dinë arsyet e këtij etiketimi. Sa i përket vdekjes së tij dihet se ajo është e veshur me mister, por shpesh jam ndodhur para konstatimeve  të nxënësve të tipit: Atë e vranë.  Sigurisht që kur bëhet fjalë për figura të rëndësishme vdekjet e tyre vishen me hije dyshimi edhe në rastet  kur ato janë krejt normale, megjithatë  sqarimi i tyre qëndron tek fuqia e argumentit dhe e pranimit të versionit zyrtar. Në radhët e nxënësve ka një kuriozitet të shoqëruar me konfuzion lidhur me vendin ku Ismail Qemali ngriti flamurin për herë të parë.

Nga vëzhgimet vihet re se për të realizuar njohjen e Ismail bej Vlorës, nxënësit paraprakisht duhet të edukohen me idenë e muzeut dhe sjelljes brenda normave etike, pasi shpesh tek një grup nxënësish kjo shikohet si një mënyrë e mirë për ti shpëtuar zhvillimit të orës mësimore në klasë dhe ku ata  janë përgjithësisht të shtendosur, kur në fakt vetë vizita e tyre është në vetvete pjesë e procesit mësimor, por e realizuar në një formë dhe në një qasje tjetër. Ajo çfarë nevojitet gjatë vizitës në muze është përgatitja dhe përshtatja me target grupe të ndryshme të nxënësve në bazë të moshës dhe njohurive paraprake që ata kanë. Zakonisht tek moshat e vogla turi shoqërohet jo vetëm me informacione të reja, por edhe me elementë artistikë mbi Ismail Qemalin si poezi ose  këngë, pasi kjo është një nga mënyrat më frytdhënëse për të përthithur njohuritë e reja dhe për realizimin e objektivave, të cilat jo domosdoshmërish duhet të realizohen brenda klasës. Dhënia e informacionit bëhet shpesh në formën e pyetje-përgjigjeve dhe kjo jo pa qëllim, por  për të pasur pas vetes një auditor aktiv që në të njëjtën kohë ka interes të dëgjojë, por edhe të shprehë mendimin. Pas përfundimit të turit në muze, rezultati është menjëherë i dukshëm dhe me kënaqësi konstatohet se kemi një grup nxënësish më entuziastë se në fillim të vizitës, por në këtë rast për shkak të njohurive të reja dhe mënyrës sesi janë përthithur ato.

Në përfundim për realizimin e qëllimeve dhe objektivave në lëndën e historisë nuk mjafton vetëm teksti apo interpretimi i tij prej mësuesit, por futja në procesin mësimor të një sërë elementësh mbështetës për të kuptuar më mirë të kaluarën dhe të vërtetën historike. Teknologjia, por edhe vizitat në muze janë qasje mjaft të rëndësishme pikërisht në tempujt ku historia flet vetë dhe ku edukimi realizohet nëpërmjet trashëgimisë kulturore. Figurat historike dhe në këtë rast ajo e Ismail bej Vlorës janë ato që bëjnë historinë, të cilat ia vlen të kujtohen çdo ditë dhe jo në raste apo data të shënuara në mënyrë të sforcuar dhe monotone nga mësuesit në formën e një referati ose ligjërimi, i cili nuk nxit kuriozitet tek nxënësit. Format të cilat përgjithësisht nxisin diskutimin, kur nxënësit kanë hulumtuar paraprakisht e bëjnë procesin e nxënies më interesant, duke zhvilluar aftësitë e tyre analizuese dhe vlerësuese mbi personalitetin dhe figurën e Ismail Qemalit dhe duke kuptuar rëndësinë e tij si babai i kombit shqiptar, por edhe si kryeministri i parë, i cili shënoi kthesën në historinë e vendit në 1912.