Hafizi: Pezullimi i rektorit Koni, plan për të përçarë Universitetin

639
Sigal

Pedagogia dhe ish-deputetja e Partisë Socialiste, Mimoza Hafizi, ka kritikuar vendimin për pezullimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, pa asnjë transparencë. Hafizi thotë se nuk është dhënë asnjë arsye për këtë veprim dhe, nëse do të vijohet në këtë mënyrë, ajo do t’i konsiderojë këto akte “si pjesë të planit okult të rilindjes për të përçarë e goditur Universitetin e Tiranës”. Pedagogia dhe ish-deputetja e PS-së Hafizi shkruan: Kryeministri kërcënon prej muajsh rektorin e Universitetit të Tiranës, kurse sot ministrja e arsimit e paska pezulluar. Jam njëra nga pedagoget e këtij universiteti. Kam një histori të gjatë betejash për të mbrojtur vlerat e tij, si brenda mjedisit akademik e shkencor, ashtu edhe në politikë e në parlament. Po kërkoj në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit për të gjetur një dokument të plotë e të qartë me arsyet dhe argumentet e këtij vendimi. Për çfarë shkeljesh bëhet fjalë? Nuk po i gjej askund. Pedagogët e Universitetit të Tiranës meritojnë ta kenë këtë transparencë. Qeveria është e detyruar ta bëjë. Përndryshe, unë do të jem e para që këto akte do t’i konsideroj si pjesë të planit okult të rilindjes për të përçarë e goditur Universitetin e Tiranës. Plan i përpiluar nëpër rreshtat ogurzeza të kapitullit XII të Ligjit aktual për Arsimin e Lartë.