Gjermania, nevojë urgjente për 60 mijë shoferë kamioni

6307
Sigal

Emigracion/ Shteti gjerman u hap dyert e punësimit shoferëve të huaj, me paga deri në 3 mijë euro në muaj, për të zgjidhur krizën e mungesës së fuqisë punëtore në këtë profesion. Ja kriteret e kërkuara dhe ku mund të aplikoni

Shteti gjerman u hap dyert e punësimit shoferëve të huaj – Ja kriteret dhe ku mund të aplikoni

Gjermania ka nevojë për 60 mijë shoferë kamioni, paga deri në 3 mijë euro/muaj

Deniz Tufina

Profesioni i shoferit duket se po lihet pas dore nga shtetasit gjermanë. Në fakt gjatë viteve të fundit është ulur ndjeshëm numri i të rinjve që zgjedhin si profesion drejtimin e automjeteve. Nga ana tjetër, shoferët ekzistues, një pjesë e mirë e tyre janë në moshë madhore. Çdo vit janë rreth 30 mijë shoferë që dalin në pension, dhe afërsisht vetëm gjysma e tyre zëvendësohen me të rinj, raporton gazeta gjermane “Welt”, e cila në artikullin e saj e shikon këtë situatë si alarmante. Sipas gazetës, dhjetëra mijëra shoferë kamioni po largohen nga ky profesion, dhe për këtë shkak, industria e logjistikës po kërkon ta bëjë këtë profesion edhe më tërheqës, duke synuar të punësojë edhe gratë. Aktualisht sot mendohet se Gjermanisë i mungojnë nga 45 mijë deri në 60 mijë shoferë kamioni, teksa shifrat vijojnë të rritet. Për këtë arsye, shteti gjerman është i detyruar të kërkojë ndihmën e shtetasve të huaj emigrantë për të zgjidhur krizën e shoferëve. Në fakt, gjatë viteve të fundit Gjermania është kthyer në një destinacion të preferuar për emigrantët, duke përfshirë në masë dhe shqiptarët, e ndihmuar kjo dhe nga një ligj i ri i qeverisë që lehtëson emigrimin dhe punësimin e shtetasve të huaj në profesione të caktuara, për të cilat Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore.

Si të punësoheni në Gjermani

Në kushtet kur qindra e mijëra emigrantë nga vendet e Ballkanit dhe përtej kanë mësyrë Gjermaninë në kërkim të një pune, pritet që të shtrohet si parësore, punësimi i atyre me profesion shoferë, për të plotësuar vakancat në këtë zanat. Agjenci të ndryshme punësimi gjermane dhe shqiptare ofrojnë mundësi të shumta për gjetjen e një pune për shoferët nga Shqipëria, në kompani të ndryshme ndërtimi e tregtie. Ndër kriteret që kërkohet është kategoria e patentës (B, C, CE, C1E etj), njohja e gjuhës gjermane (në shumë raste jo e domosdoshme), eksperiencë në drejtimin e kamionëve etj. Për sa i përket pagës, një shofer kamioni në Gjermani paguhet rreth 3 mijë euro në muaj. Punëdhënësit ofrojnë akomodim, transport në vendin e punës, pagesë ekstra për orë shtesë dhe benefite të tjera. Disa nga agjencitë ku mund të aplikohet janë https://www.stepstone.de/ apo https://www.stellenangebote.de/stellenangebote/